Deputetë të Parlamentit të Egjiptit kanë kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të këtij shteti që ta procedojnë njohjen e Republikës së Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Mohamed Kamel Amr, ka marrë një raport mbi rezultatet e takimit të Autoritetit të Përgjithshëm të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Ulët të Parlamentit, të udhëhequr nga Essam Al Aryan.
Gjatë takimit janë diskutuar perspektivat e marrëdhënieve të Egjiptit me Rusinë, Turqinë dhe Kosovën, dhe mundësia e njohjes së Kosovës nga Egjipti. Disa anëtarë të këtij komisioni, kanë ngritur domosdoshmërinë e njohjes së Republikës së Kosovës nga Egjipti dhe i kanë shprehur Ministrisë së Jashtme interesimin për dosjen e Kosovës.
Artan Behrami, këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj ka theksuar se pas lobimit të fuqishëm të zhvilluar në Egjipt nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe vizitën e ministrit Enver Hoxhaj në Kajro në shtator 2011, personalitete dhe përfaqësues të lartë politikë egjiptianë po kërkojnë nga institucionet e atjeshme njohjen sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës nga Egjipti.
“Së fundi, edhe deputetë egjiptianë i kanë kërkuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ministria Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, në kuadër të prioriteteve dhe së fundi edhe Strategjisë për Lobim për Njohje, gjatë vitit 2011 ka zhvilluar një varg aktivitetesh lobuese për njohjen e Kosovës nga Egjipti, si një shtet me rëndësi të madhe për atë pjesë të botës”, ka theksuar Behrami.
Në shtator të vitit të kaluar, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar edhe një vizitë zyrtare në Egjipt, ku ka zhvilluar takime me udhëheqës të lartë të institucioneve, partive politike, shoqërisë civile si dhe organizma të tjerë rajonalë, të cilat veprojnë në Egjipt. /express/