Ramazani dhe jeta shoqerore
Të arriturit e të krijuarit të qetësisë në jetën shoqërore paraqet rëndësi sikur të munduarit e të krijuarit të një qetësie të tillë në jetën pesonale.
Andaj nga ky shkak duhet të mundohemi që t’i gjurmojmë, t’i realizojmë dhe vërtetojmë duke i sjell në vendin e tyre faktorët që ndikojnë për qetësinë dhe lumturinë e shoqërisë. Ashtu sikur në të gjitha kohët që u ka ardhur shpallja (vahji) origjinal dhe ka porositur për përmirësimin e shoqërisë, edhe në kohën e Muhammedit a.s. ekziston ky projekt i përmirësimit. Ky projekt është detalizuar në Kur’anin famëlartë dhe në shembëlltyrën e pasqyruar të jetës së Resulullahut s.a.v.s. Paraqitja e këtyre shembujve jetësorë, profileve dhe mësimeve hyjnore që ndërlidhen me jetën e njeriut kanë zbardhur shumë ç’ështje në veçanti në shoqëri kanë bërë të mundur bashkimin dhe unifikimin me jetën shoqërore e cila është qëllimi i krijimit të një shoqërie të shëndoshë.
Muaji i Ramazanit paraqet një vullnet dhe është bazament për realizimin e këtij qëllimi. Sepse në Ramazan njeriu është më i ngarkuar me ibadet me agjërim, faljen e namazit të teraviheve, dhënien e zekatit dhe sadakatul- fitrit, ku për personin dhe shoqërinë në këtë rast krijohet një atmosferë e ndryshuar. Ndaj me formimin e kësaj atmosfere tek njerëzit fillojnë të krijohen dhe të lëshojnë rrënjë filizat e dashurisë dhe pajtimit mes njerëzve. Agjërimi që mbahet gjatë këtij muaji i transformon njerëzit në gjendjen engjëllore, sepse nuk lejon që të shahen, të sulmohen, të përdorin fjalë të këqia dhe të polemizojnë me zhurmë mes vete, dukuri dhe sjellje këto që e prishin dhe shkatërrojnë shoqërinë.
Pejgamberi jonë i dashur (s.a.v.s.) thotë: “Agjërimi është një mburojë. Kur ndokush prej jush është agjërueshëm mos të flasë fjalë të këqia, mos të shajë e as mos ta sulmojë ndokend. Nëse e shan apo e sulmon atë ndokush le t’i përgjigjet: “Unë jam agjërueshëm…” , me këtë hadith Pejgamberi a.s. na e tërheq vërejtjen që të qëndrojmë larg nga sjelljet që e prishin bashkimin dhe vëllazërimin ndërnjerëzor. Në të kundërtën gjatë këtij muaji njerëzit duhet t’u përmbahen vlerave të larta morale, të largohen nga gabimet dhe të heqin dorë nga shprehitë e këqia. Pejgamberi a.s. thotë: “Për agjëruesin i cili nuk largohet nga fjala e rrejshme dhe vepron me gënjeshtra, Allahu nuk ka nevojë për largimin e tij nga ushqimi dhe pijet.” , me anë të këtij hadithi Pejgamberi a.s. na mëson se agjëruesi duhet të heq dorë nga gënjeshta dhe të gjitha punët e këqia në mënyrë që për jetën shoqërore të sajohet një ambient i qetë, i përqëndruar dhe i sigurtë. Gjitashtu, gjatë këtij muaji bijnë më poshtë fajtorët në krahasim me muajt e tjerë, ngase kjo është një peisash se muaji i Ramazanit sjell klimën e mëshirës (rahmetit) për jetën shoqërore.
Muhammedi s.a.v.s. duke thënë: “Nuk do të hyni në Xhennet nëse nuk keni besuar (iman). Gjithashtu nuk keni besuar plotësisht derisa nuk e doni njeri- tjetrin në kuptim të plotë.” , e ka bërë besimin (imanin) shtyllën kryesore të besimit dhe në iman ka futur edhe pajtimin mes njerëzve në shoqërinë njerëzore. Muaji Ramazan është muaji i cili stimulon pajtimin dhe bashkimin shoqëror, ai thërret në një ndërtim të fortifikuar dhe me vlera burimore. Zekati dhe sadakaja që jepen gjatë këtij muaji i mënjanojnë barrikadat në mes të pasurve dhe të varfërve duke e i kthyer ato në urëlidhje dashurie. Gjithashtu përjetohet në ndejnjë tjetër e veçantë me sofrat e shtruara të iftareve gjatë këtij muaji madhështorë, aty ku marrin pjesë njerëz që i njohim dhe nuk i njohim, aty ku grumbullohen një grumbull njerëzish në një vend. Agjërimi i ditëve të Ramazanit simbolizon solidaritetin e përgjithshëm, na mëson se ç’ka do të thotë të qëndrosh i uritur dhe të jetosh i varfër, respektivisht kjo edhe është një praktikë që na mëson të dijmë gjendjen e të varfërit dhe të të uriturit.
Imani (besimi) nënkupton të dhurosh dashuri. Të ndash hallet me të tjerët. Të shkrihesh, të gjallërohesh dhe të rinohesh. Ja pra, Ramazani këtë ua meson shoqërisë dhe vetë individit. Ua meson pajtimin, vëllazërinë, dashurinë dhe ndarjen e halleve mes vete. Sa kemi nevojë sot për një zbatim të vetive të tilla sepse vlerat njerëzore janë përmbytur në përgjithësi, kemi nevojë për një ndihmë ngase po jetojmë në ditët të rrethuara në çdo kah nga materialja, dhe presim shumë nga ditët që kalojmë në këtë botë ndonjë ndërrim, në këtë rast Ramazani është rast ideal për lidhjen dhe dobinë e marëdhënieve ndërnjerëzore, ngase ky muaj sjell me vete dashuri, vëllezërim dhe ndihmë, veti të cilat kemi shumë nevojë, aq më shumë gjatë këtyre ditëve kur kriza globale ekonomike ka kapluar çdo cep të botës bashkëkohore. Datyrat dhe përgjejgësitë tona që na obligohen t’i zbatojmë në mes njerëzve duhet t’i zbatojmë duke iu përmbajtur urdhërave hyjnorë duke u sjellur me drejtësi ndaj secilit, duke mos e mashtruar askend, duke mos flejtur në gjumë gjersa fqiu ynë është i uritur, duke mos gënjeyer përhapur gënjeshtra e vepra të këqia, duke mos shpifur urdhëra dhe ndalesa që lidhen kryekëput me besimin e pastër dhe të plotë (imanul kamil), pra duhet të kemi kujdes ndaj sjelljeve tona morale në mënyrë që të kemi besim të pastër, të plotë dhe të paluhatshëm. Personifikimi dhe aplikimi i këtyre dukurive mund të përvetësohet dhe të aplikohet shumë më lehtë gjatë muajit të Ramazanit, ku ky muaj njëkohësisht është edhe muaj i mëshirës (rahmet).
Ramazani dhe femijet.
Ramazani paraqet rëndësi të madhe sikur për të mëdhenjtë poashtu edhe për të vegjëlit, porse për të vegjëlit vendi i tij është plotësisht ndryshe. Fëmijët e presin me mall dhe hasret ardhjen e muajit të Ramazanit. Iftari, syfyri, namazi i teraviheve, ezanet dhe salatu- selamet që këndohen gjatë këtij muaji ndikojnë dhe reflektohen shumë më ndryshe në botën shpirtërore të fëmiut. Me ardhjen e Ramazanit fillon një ndërrim në shtëpi. Fëmiu mundohet të jetë pjesë e këtij ndryshimi. Zgjohet në syfyr së bashku me familjen e tij, me sy të përgjumur por gjithnjë me ngulm që të prezentojë gjatë ngrënies së syfyrit. Edhe pse i thonë të mëdhenjtë “flej”, ai asnjëherë si dëgjon por vazhdon dhe ngrihet çdo natë.
Ndërsa kohën e iftarit e pret me shumë durim (sabër). Ndonjëherë mendja e tij nuk mund të kuptojë kur shtrohet sofra dhe pritet në kohën e iftarit, kureshtja e tij vazhdon të pyes njerëzit që janë aty: “Nënë, përse nuk ia fillojmë ushqimit?” Nëna e tij mundohet t’ia spjegojë shkakun e mosngrënies, se ashtu është obligim (farz), edhe ti kur të rritesh do ta kuptosh dhe do të agjërosh inshaallah. Kur rritet pak fillon të agjërojë duke ngulur këmbë edhe pse nëna dhe babai tentojnë që ai të hajë për moshën apo shëndetin e dobët që ka, por përpjekja e tyre është e kotë, sepse dot nuk heq dorë fëmiu në këtë rast, madje qoftë edhe deri në gjysmën e ditës, këtë e bën nga lodhja ose nga shëndeti i dobët, ngase po të përballonte nuk do të prishte assesi.
Psikologjia e fëmijëve është e atillë sepse çdo herë ata ndjekin hapat dhe shembujt e familjarëve, në përjashtim të rastve të rralla. Ndërsa kur vitet i shkojnë edhe pak ai fillon të agjërojë deri në aksham. Kjo vepër paraqet shumë rëndësi për ata në të ardhmen. Për herë të parë ai vepron një vepër të njejtë sikur të mëdhenjtë, triumfon dhe ka sukses në të. Është uritur, ka ndier etje, ka hequr shumë zorllëqe por mbi të gjitha këto e ka plotësuar obligimin dhe besën e dhënë me sukses. Ky fëmijë deri sa të jetë gjallë në asnjë mënyrë nuk do të harrojë hurmat që ka ngrënë në iftar, erën e (pites) lakrorit taze që ia ka përgatitur nëna e vet, gatojcat (pitajkat) dhe gjellërat e ngrëna gjatë këtij muaji jo që nuk do ta harrojë shijen e tyre asnjëherë por do t’i rrinë në mend përgjithmonë.
Shumica e fëmijëve për herë të parë gjatë muajit të Ramazanit hasin në të shenjtën. Ata fillojnë nga ky muaj të besojnë në një dashuri (ashk) dhe vullnet (irade) të vetme, pra fillojnë të besojnë në ekzistencën e një Krijuesi të Përsosur, Allahut xh.sh. Ata fillojnë të mësojnë të ndajnë se ndryshon e mira nga e keqja, sevabi nga gjynahu, e drejta nga e shtrembëra.
Autor: Dr.Hatixhe Ahmeti