(Hytbe për femrën muslimane)
Shkruar nga Muhammad Sherif
Shumë shpesh ne lëmë pas dore një traditë të Profetit alejhi selam, kur të gjitha hytbet, mësimet dhe ligjëratat u drejtohen vetëm meshkujve.
Ne harrojmë se nga udhëzimi i Profetit alejhi selam ka qenë caktimi i një dite të veçantë për të mësuar gratë. Gratë muslimane të asaj kohe i bënin pyetje Profetit alejhi selam në kohë haxhi, në rrugë e madje shkonin edhe në shtëpinë e tij për të pyetur rreth fesë. Në namazin e Bajramit, pasi u kishte folur burrave, Profeti alejhi selam merrte Bilalin dhe shkonte në vendin ku ndodheshin gratë dhe u drejtohej edhe atyre.
Allahu i Madhëruar ka shpallur një sure të tërë me emrin Nisa – Gratë, një tjetër me emrin Merjem si dhe një tjetër me emremrin Muxhadele.
Motër, nënë e bijë e dashur!
Çdokush kërkon lumturinë dhe kënaqësinë dhe as ti nuk bën përjashtim. Po ku gjendet lumturia dhe kënaqësia? Ku dhe kur e dëshironi këtë kënaqësi? A doni kënaqësi në këtë botë në dëm të botës tjetër, apo dëshironi që kur të takoni Allahun të jeni të lumtura?
Kudo ku shkoni do të gjeni shumë media dhe njerëz që ju thonë se lumturia gjendet në këtë botë. Por a është ajo me të vërtetë lumturi? Në Ditën e Pendimit, Allahu do ta marrë jobesimtarin që ka qenë “më i lumturi” në këtë botë dhe do ta fusë në xhehenem dhe do ta pyesë: "A ke qenë ndonjëherë i lumtur?” Pabesimtari do të thotë: “Kurrë!”
Lumturia e vërtetë është lumturia e botës tjetër, cilado qoftë lumturia që përjetohet në këtë botë. Në Ditën e Pendimit, Allahu do të marrë besimtarin më të sprovuar dhe do ta fusë në xhenet dhe do ta pyesë: A ke provuar ndonjëherë trishtim?” Ai do të thotë: “Kurrë!”
Por mos mendoni se lumturia dhe kënaqësia janë të lidhura vetëm me botën tjetër. Ato janë shumë të lidhura edhe me këtë botë. Lexoni fjalët e Allahut: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahl, 97)
Motër e dashur, duhet ta kuptosh se kushdo mund të hyjë në xhehenem. Për Zotin, ne nuk jemi më të mirë se Fatimja, vajza e të Dërguarit të Allahut alejhi selam, së cilës ai i tha: "O Fatime, bija e Muhamedit. Më kërko çfarë të duash nga pasuria ime, sepse tek Allahu unë nuk do të të vlej." Kjo do të thotë se fakti që ajo është vajza e Profetit alejhi selam nuk do të thotë gjë nëse nuk punon për xhenetin.
Islami ka shumë besimtare që janë të devotshme. Kur bashkëmoshataret e tyre vendosin në mure posterët e këngëtareve ose aktoreve jobesimtare, muslimanet duhet të kenë në zemrat e tyre “posterat” e Fatimes dhe të shumë besimtareve të tjera të devotshme.
Asija, gruaja e Faraonit, jetonte nën hijen e dikujt që thoshte: “Unë jam Zoti juaj më i Lartë!” Kur faraoni mori vesh se gruaja e tij besonte në Zot, e ndëshkoi atë duke i urdhëruar rojat e tij ta çonin atë në diellin përvëlues të mesditës dhe ta rrihnin. Kujt iu drejtua ajo për ndihmë? Ajo u lut: “O Zoti im, më ndërto një shtëpi në parajsë dhe më shpëto nga faraoni dhe veprat e tij si dhe më shpëto nga njerëzit mëkatarë."
Transmetohet se kur tha këto fjalë, qielli u hap për të dhe ajo pa shtëpinë e saj në parajsë. Ajo buzëqeshi. Rojat u habitën se si mund të buzëqeshte kur po torturohej. I tërbuar, faraoni urdhëroi që të sillnin një gur shumë të madh që t’ia hidhnin përsipër, që ta vrisnin. Por Allahu i Madhëruar ia mori shpirtin Asijes përpara se të sillnin gurin, duke e bërë shembull për të gjithë besimtarët, burra dhe gra, deri në fund të kësaj bote: “E atyre që besuan, All-llahu ua solli shembull gruan e faraonit kur ajo tha: “Zoti im, më bëj një vend pranë mëshirës sate në xhennet dhe më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!” (Tahrim, 11)
A e dini se muslimani i parë që dha jetën në rrugë të Allahut ishte një grua? Ajo ishte Sumeja, nëna e Amarit. Kur Ebu Xhehli dëgjoi se familja e tyre kishte pranuar Islamin, ai i ndëshkoi duke i rrahur me kamxhik. Ai i rrihte aq shumë, saqë i Dërguari alejhi selam kalonte pranë tyre dhe u thoshte: "Kini durim, o familja e Jasirit, sepse keni për të hyrë në xhenet!"
Një ditë, Ebu Xhehli i tha Sumejes ta mohonte fenë e saj dhe ajo refuzoi. Ai u tërbua dhe mori një heshtë, me të cilën e shpoi atë tejpërtej, teksa ajo ishte e shtrirë në rërën e nxehtë, ku ai i torturonte. Ajo ishte e para nga umeti islam që e takoi Allahun si dëshmore.
Motër e dashur, shembujt që ne duhet të pasojmë, vijnë nga Kurani. Ndoshta e keni dëgjuar historinë e djalit dhe të mbretit. Kur i tërë fshati u bë musliman pas vdekjes së djalit, mbreti urdhëroi që të ndizej një zjarr jashtëzakonisht i madh për të djegur ata që nuk hiqnin dorë nga feja e tyre. Një besimtare qëndronte përpara zjarrit me foshnjën e saj. Ajo vështroi foshnjën dhe duke parë sa e dobët dhe e pafajshme ishte, mendoi të hiqte dorë nga besimi. Por foshnja i tha së ëmës: “Çfarë je duke pritur mama? Ec përpara sepse je në të vërtetën!" Ajo pohoi me kokë dhe pastaj u hodh në zjarr bashkë me foshnjën e saj.
“E nuk patën pse t’i urrejnë, përveç që e besuan All-llahun, Ngadhënjyesin, Të Lavdëruarin, Të Cilit i takon sundimi i qiejve e i tokës; e All-llahu është Dëshmitar i çdo sendi.” (Buruxh, 8,9)
Motër e dashur, modele për të pasur ka edhe në ditët tona. Siç ka treguar djali i saj, një nënë besimtare në një vend musliman ishte larguar nga fjalët e zakonshme që bëjnë gratë nëpër ndejet e tyre. Ajo i ishte kthyer Allahut dhe falej natën. Kur ishte plakur, një ditë ajo thirri djalin e saj teksa ishte në vend-namazin e saj në shtëpi. Djali i saj tregon: Hyra në dhomën e saj dhe e pashë duke ndenjur në pozicionin e sexhdes dhe më tha se ishte paralizuar." Djali i saj e çoi atë te doktorët për ta mjekuar, por shpresat ishin të pakta. Më pas ajo e urdhëroi të birin ta çonte në shtëpi, ta vendoste në dhomën ku falej e ta vendoste në pozicionin e sexhdes. Një natë, teksa ishte duke u falur, ajo e thirri të birin dhe i tha: "Po të lë në amanet të Allahut dhe ajo që i lihet në amanet Allahut nuk humb.” Ajo vdiq duke qenë në pozicionin e sexhdes. Muskujt e saj ishin ngurtësuar dhe u detyruan ta lanin trupin e saj në atë formë. Edhe namazin e xhenazes ia falën teksa trupi i saj ishte në pozicionin e sexhdes. Edhe kur e varrosën, e varrosën në sexhde.
Profeti alejhi selam na ka treguar se ne do të ringjallemi në atë gjendje që kemi vdekur dhe kjo nënë do të ringjallet në sexhde, pasi ashtu ka jetuar dhe ashtu vdiq.Ka edhe shumë histori të tjera që ne dimë për nëna besimtare, për gra e motra të devotshme si dhe ka shumë histori të tjera që vetëm Allahu i di. Shumë gjëra të tjera mund të thuhen, por po e mbyll me fjalët e Profeti alejhi selam drejtuar çdo nëne muslimane, çdo bashkëshorteje, motre e bije: "Nëse gruaja fal pesë namazet e saj, agjëron muajin e Ramazanit, e mbron veten (nga zinaja) dhe dëgjon bashkëshortin e saj, do t’i thuhet: “Hyr në xhenet nga cilado derë dëshiron!"
Motër, ky është vendi ku ti dëshiron të jesh.
”O ju që besuat, përgjigjjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të Dërguarit kur ai (i Dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë) dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni te Ai.” (Enfal, 24)
Allahu dhe i Dërguari i Tij po të fton për tek ajo që ju jep jetë. Motër e dashur, përgjigju!!!