REJHANA-ENSAR Moderator
Numri i postimeve : 811 Data e regjistrimit : 07/07/2010 Mosha : 37 Nacionaliteti-Sheti : stuttgart
| Titulli: Rruga drejt Allahut Tue 21 Sep 2010 - 18:56 | |
| Ti po më dëgjon, po më sheh, po më vështron. Ti më mbikëqyr. Më udhëzo. Më drejto në rrugën Tënde.
Allah! Më bë të jem vetëm robi Yt! O sa e varfër është gjuha ime!
Allah! Ndiej mëshirën. Ndiej butësinë. Ndiej madhështinë. Rrugë që përshkon tërë qenien, ta zgjeron zemrën, ta qetëson shpirtin. Rrugë, po e përshkove, humbasin kuptimin fjalët që i thotë gjuha e edukuar; s’ka më dhembje, s’ka më dobësi, s’ka më lodhje, s’ka më dëshpërim; edhe sikur të çahej toka para teje, e të grabiste krijesat; e të shkuleshin shkëmbinjtë, e të shkapërderdhej qielli; e të vdiste gjithçka! I përshkuari në rrugën e Sundimtarit; je i paprekur, ke shpirt, mendje, të kapur për një lidhje, s’ka shprehje, s’ka fjalë, s’mund të përshkruhet lidhja; toka është e dobët, krijesat në të janë të dobëta. Jo, s’shpjegohet, ndihet thellë, thellë në brendi!
Adhurues i Sundimtarit! Ke ndier. Ke menduar. Ke folur. Ke dëshiruar. Je lart. Je në qetësi. Ke jetë. O sa e varfër është gjuha ime! I Mëshirshmi! Kur në thellësitë e shpirtit ndien mëshirë. Ndien butësi e falje. Je penduar. Ke turp. Ul kokën. Zemra të qan. Syri të loton. Lëkura të rrëqethet. Shpirtin e ndien. Fytyra të skuqet. I ruajtur. Guximtar. Plot shpresë. Zgjohesh. Zgjimi; përmallimi për Zotin! Të do, e do. Zgjohesh, përmirësohesh; i dobët, pendohesh, loton e përulesh, i bindur në Mëshirën e Tij.
O sa kënaqësi ta nënshtrosh tokën! Krijesën! Të madhërosh të Vërtetin; të mos trembesh, të mos kesh frikë, të mos ndiesh vetminë, të mos ndiesh asgjë veçse jetë, jetë, jetë plot jetë! Kur tërë qenien tënde ia nënshtron Atij që i takon sundimi i qiejve e i tokës; të Butit, të Urtit, Allahut! O si mund të mos ndihet, kur të mbulon mëshira e falja e Tij! Kur të pikon syri, kur të gjallërohet zemra, kur të lëvizin gishtërinjtë duke madhëruar Zotin e tyre. O kënaqësia vet! O lumturia vet! Zgjohu! Ndiej! Të lutem mos i bë padrejtësi vetes! Ndiej, ki turp! Ki mëshirë ndaj vetes. Sa shumë i mungon Zoti i saj. Mos moho, mos përgënjeshtro e të mbulohet mirësia jote; përqafoje të vërtetën, përshkohu, zhytu, të pret amshimi, të pret dashuria e ngrohtë që nuk di të shuhet, e të pushojë, të pret Mëshira e Falja e Zotit tënd! Po lexon. Mos i mbyll kapakët e syve. Të dhembin sytë. Kush t’i krijoi, ata kapakë, që të hapen e të mbyllen; me lotët e tu të pastrohet drita e syve. Syri, o sy njeriu, ke Allahun që të sheh, të dëgjon, kërkoje udhëzimin e Tij, kërkoje Jetën e Vërtetë. Le të rrjedh syri lot, e le t’i përshkojë anët e hundës. Le të ngrohet fytyra me lotin e Dritës së Zotit tënd. Të dha jetë. Ke jetë. Po lëviz. Noto bashkë me lotin, kur rrjedh për Zotin e tij, shijoje ëmbëlsinë e zemrës, kur me Zotin e saj qetësohet, kënaqet. O s’kam fjalë. O gjuhë! Sa e paaftë je. Mos më lëviz. Ma përkujto Zotin që më mëshiron e më fal, e ndaj meje është i Butë, Falës, Mirënjohës, Durimtar. O Zoti im! Allah!
Bujar. I Madhërishëm. I Gjithëdijshëm. Më hap dyert e qiellit, më largo nga toka, që mua po më bën të padrejtë, është krijesë e Jotja. Më bëj rob Tëndin. Ti po më dëgjon, po më sheh, po më vështron. Ti më mbikëqyr. Më udhëzo. Më drejto në rrugën Tënde. Më mundëso vetëm pak të shijoj praninë Tënde. Jam i varfër. Jam i dobët. Jam mëkatar. Jam i gabueshëm. Nëse s’më fal, nuk i drejtohem askujt! Te Ti është e tërë mirësia. Ma nënshtro trupin tim, të mos e dëgjojë askënd përveç Teje; më bë ta sundoj veten time, të mos i nënshtrohet askujt përveç Teje. Më ngulitet të parët e më shtanget, më qetësohet të dëgjuarit e më thërrasin, më prehet të menduarit e më këndell, më noton të vështruarit e më dridh, më ngrohen të ndijuarit e më zgjojnë. Flas. S’di të flas. S’di të shprehem. Nuk mund të shpjegohem. Po sa shumë forcë ndihet, po sa shumë ngrohtësi përjetohet, kur rrugën e Allahut, përpiqet njeriu ta përshkojë.
Më fal o Allah! Më bë të jem vetëm robi Yt! I varfër tek Allahu, i pavarur prej krijesave të Tij! | |
|