Dëshiroj të të përgjigjem…
Dëshiroj të të përgjigjem…
Jam tepër e vetmuar sonte në këtë natë të gjatë dhe ashtu siç më duket të pafund! Se di se pse por netët e vjeshtës dhe të dimrit më japin shumë urtësi pasi kam kohë më tepër të lexoj, shkruaj dhe të meditoj.
Nata është e qetë dhe vetëm letra dhe lapsi më kanë mbetur në këto momente të rënda. Vetëm letra, lapsi dhe ky ditar, ky shok i imi që më përcjell në çdo hap, sepse kur shkruaj nga shpirti im i njomë shkarkohet një pjesë e peshës së rëndë që e bart me vete ngado që shkoj.
Pra, vetem këto gjëra e kuptojnë jetën time të rëndomtë sonte.
Kam një mall të pashuar dhe e ndjej se zemrën time e ka ngulfatur, nuk e len të marrë frymë ky mall, i cili e djeg në çdo vend bile edhe në shpirt, sikur të ishte një llavë prej vullkani, e cila sa çel dhe mshel sytë djeg pa dallim çdo gjë, deri në fund.
Ndonjëherë mbylli sytë dhe bëhem sikur nuk e kuptoj këtë situatë dhe dëshiroj thjesht ta injoroj, unë jam sunduese e këtij trupi dhe shpirti, dhe jo ndjenjat që më flututrojnë sa andej sa këndej. Por pas një lufte të shkurtë më duhej ti dorëzohem zemrës time e cila mu duk sikur jetime në momentin kur e largoja prej mendimeve që i dëshironte, mu dhimbs kjo zemër se e hetova se dashuron diçka pa masë. Nga dhembshuria që ndjeva edhe pranova disfatën në të cilën më çoi kjo zemër, e dëgjoj shpesh, konsultohem me te, për atë edhe sonte po ja jap frenimin në dorë dhe le të vepron atë çka don ajo!
Përnjëherë filloi zemra të tregojë dhe zbulojë dashurinë që ndjej në shpirt dhe e cila më ka vërshuar në çdo pjesë të trupit tim me shpejtësi të një uragani. Prandaj edhe e çela dritaren e zemrës të vështroj se ç’don edhe më tej dhe në këtë moment kjo zemër; që nuk më len të qetë të pushoj sonte aspak?!
Të dashuruarit është një art dhe metodë në vete, zemra ime është dalldisur dhe sonte nuk dashuron person, çast as rast, por një vend, po më besoni se është dashuruar në një vend....Fillon zemra ime sikur në një film të më kthen çdo gjë para syve të mi dhe më çon larg, larg, në një vend që shpesh e ëndërroj, në vendin të cilin e quaj “ vendi i të Dashuruarve “; vendin ku shkojnë të gjithë të dashuruarit e Krijuesit të kësaj gjithsie.
Sa kam dëshirë të jem në atë vend, tash, sot dhe në këtë moment, të jam në atë turmë nga miliona njerëz të veshur në të bardhë, të jem edhe unë prej atyre që e bëjnë pamjen aq impozante në vendin më të shenjtë , më të shtrenjtë se të gjitha thesaret e kësaj toke. Apo më mirë të them në zhargonin e lindjes, vendi prej ku është lindur çdo gjë, t‘i them kërthiza, kordoni umbilikal i tokës, Mekka e bekuar dhe e shenjtë. Të veshur me modesti, nën një petk, duke vepruar njëjtë e drejtë, me synim të njëjtë, duke e adhuruar një Zot, duke shfaqur idetë dhe vizionet për një botë dhe shoqëri të barabartë, me respektimin secilit në plotsi, dhe me dashamirësinë e shfaqur ndaj njeri-tjetrit.
Ditët po kalojnë një nga një, pa mos pyetur se a kemi nevojë edhe për diçka tjetër pos gjërave të përditshme. Jeta përbëhet nga ditët dhe netët, atë e din secili prej nesh, por se me kalimin e e ditëve e kalojmë edhe vitet, shohim vetëm kur afrohet fundi i vitit apo vetëm kur afrohen festat, siç është tash edhe festa e Kurban Bajramit .
Të rrethuar nga e përditshmja jonë nganjëherë harrojmë edhe obligimet ndaj vetvetes, familjes, shoqërisë por edhe obligimet ndaj Krijuesit. Gjë e cila nuk guxon të ndodhë, nëse për çdo gjë gjejmë kohë dhe mundësi atëherë duhet edhe për obligimet ndaj Krijuesit të jemi edhe më të përpiktë; por ja që te një krijesë e dobët, me ndjenja me obligime të ndryshme dhe të shumëlllojshme harron apo edhe neglizhon obligimet që ka ndaj Krijuesit.
Njëri prej këtyre obligimeve është; natyrisht vetëm për ata që kanë mundësinë materiale, pasi Krijuesi çdoherë dhe në çdo moment është shumë i Kujdesshëm dhe i Dashur ndaj nesh , pra edhe këtë obligim e bëri vetëm për ata që kanë pasuri të mjaftueshme. Si çdo obligim në Islam që në vete fsheh misterin e saj i cili për ne nuk është dhe nuk duhet të jetë qëllimi final, por qëllimi final duhet të jetë të jetë kryerja e urdhërit të Krijuesit.
Allahu i Madhërishëm urdhëron e thotë: "Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë), e dobishme udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” ( Ali Imran, 96 )
Allahu xh.sh. ka thënë: "Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo." (Ali Imran, 97)
E di se ka miliona njerëz që si çdo vit edhe në këtë vit iu përgjigjën urdhërit dhe thirrjes që prej kohësh u tha prej Ibrahimit a.s. kur e ndërtoi Qaben me të birin e tij Ismailin a.s. Ajeti Kur’anor deklaron:
“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë këmbësorë dhe kalorës me deve të rraskapitura prej rrugëve të largëta.” (Haxhxh, 27)
Ose të themi në çdo urdhër të Sunduesit vetëm atë që thojnë me miliona njerëz për çdo ditë: “ Të përgjigjem O Allah, Të përgjigjem; Lebejke Allahume Lebejk” !
Kjo thirrje vlen edhe për mua por edhe për secilin musliman mbarë rruzullit tokësor dhe që e din rëndësinë dhe ka mundësinë për këtë obligim madhështor.
Pra vlen edhe për mua por edhe për ty!
Ky ishte shkaku i mërzisë sime sonte, pasi kam një obligim të pakryer!
Sonte jam përmalluar dhe dëshiroj thjesht të jem në atë vend, ku qëndron themeli i Islamit por edhe i gjithë tokës në përgjithësi, gjë e cila është zbuluar dhe vërtetuar shumë herë nga aspektet shkencore. Mekka është jo vetëm vendi ku kryhet Haxhi por është mesi i tokës, aty qëndron e gjithë forca magnetike, e cila është mbi nivel dhe me këtë forcë mbahet në ekuilibër e gjithë toka. Për këtë ka mjaft shkrime shkencore për ata që dëshirojnë të dinë më tepër, kurse unë po vazhdoj me shkrimin, për mallëngjimin që kam për atë vend të shenjtë. Edhe pse me padurim pres ditën kur do të qëndroj në atë vend, pa dëshirën time më duhet të duroj dhe të pres ditën kur do të jem edhe unë aty në atë vend madhështor, se në këtë vit prap dëshira ime nuk u plotsua .
Ahhhh, jam aq e përmalluar ,sa kur kujtoj këtë vend zemra për momentin fillon pa nda të rrahë dhe e hetoj se si gëzohet vetëm me një paramendim të thjeshtë. Por që ta qetësoj këtë zemër dhe këtë shpirt që tash ndjehet sikur e gjorë dhe e mjerë, sikur të ishte jetime, fillova të imagjinoj këtë moment!
Sikur tash të gjindem në Mekke:
- në vendin ku gati të gjithë pejgamberët e Zotit kaluan dhe u lutën në atë vend të shenjtë
- në vendin të cilin secili musliman e dëshiron dhe dashuron
- në vendin ku lutjet janë më të shumta se pikat e shiut
- në vendin që tërheq zemrat e besimtarëve më fortë se sa magneti hekurin;
- në vendin ku së pari herë u urdhërua të ndërtohet Shtëpia për adhurimin e të Plotfuqishmit
- në vendin ku hyjnë vetëm besimtarët
- në vendin ku jemi mysafirë të të Gjithmëshirshmit
- në vendin ku secili largon xhelozinë, përtacinë, krenarinë, koprracinë
- në vendin i cili edhe pas kataklizmës së madhe do të egziston
- në vendin e bekuar, dhe të më duket vetja sikur një margaritar i vlefshëm ndër thesaret e panumërta të këtij vendi të shenjtë
- në vendin ku do të depozitoj dëshirat e mia, e plotbindur se të gjitha do të më pranohen
- në vendin prej ku fillon edhe një rilindje për çdokend që ka ardhur me plot bindje dhe duke dhënë premtimin se do të len gabimet e bëra deri tash
- në vendin që secili musliman e ëndërron dhe përkujton dhe në çdo lutje i drejtohet me fytyrë
- në vendin ku gjindet Arafati i cili më kujton edhe diçka tjetër. Në këtë vend, siç tregohet, është bashkuar, pas një ndarje të gjatë, Ademi me bashkëshorten e tij, Havanë. Pra një fillim i ri i dashurisë, pas një ndarje dhe mallëngjimi.
- në vendin ku Ditën e Arafatit zbret Mbreti dhe Krijuesi i kësaj gjithsie në qiellin e kësaj bote dhe krenohet dhe lavdërohet me banorët e tokës ndaj banorëve të qiellit dhe thotë: ‘O engjëjt e Mi, shikoni robërit e Mi, më kanë ardhur të pakrehur, të pluhurosur (nga rruga) dhe duke sakrifikuar.”
Paramendoj veten duke ecur atyre rrugëve në të cilat janë derdhur lotë pa masë, janë thurur me të bukurat lutje, janë zbrazur të gjitha fshehtësitë që kanë ruajtur njerëzit në zemrat e tyre , janë ngrejt duart e secilit që ka shkelur në këtë vend dhe është ulur koka e secilit njeri pa dallin statusi dhe posti, qoftë princ apo puntor.
Paramendoj dhe dëshiroj të ndjej atë çast me çdo imtësirë të saj në zemrën time , shpirtin, dhe në çdo qelizë të trupit tim. Të derdh lotët nga sytë e mi të molisur, të ndjej afërsinë e Të Gjithmëshirshmit , të ndjej dhe të përjetoj Ditën në të cilën Falësi fal aq shumë, në Ditën lur u plotsua feja me zbritjen e ajetit: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” (Maide , 3)
Të ndjej veten se jam prej atyre që i ke falë, prej atyre të cilët i shiqon dhe ndëgjon, i dashuron, i bekon në këtë Ditë madhështore.
Çdo gjë që më rrethon është aq e pavlefshme në këtë moment të imagjinatës time dhe ka vlerën “zero” , pasi shpirti im e ndjen se çdo gjë tjetër për momentin nuk ka vlerë. Edhe sikur të më jipeshin të gjitha thesaret e botës nuk do ti ndërroja me këtë Ditë për asgjë, por vetëm se të jem në atë vend të shenjtë. Nuk ka diçka më të bukur dhe më madhështore se sa të jesh mysafir në shtëpinë Tënde dhe pranë teje O Krijues ynë!
Mallëngjimet, kujtimet, dridhjet e zemrës zakonisht vijnë nga mungesa e diçkasë dhe si pasim rrjedhin lotët, të cilët aspak nuk dua t’i kursej për këso rasti. Së paku lotët e mi të jenë si një dëmshpërblim që nuk kisha mundësi të jem sot në Arafat, në Mekke, në Bekke, në afërsinë Tënde në ditët madhështore dhe ditët e festës. Por së paku prej së largu dëshiroj sikur edhe ata që janë në atë vend të shenjtë, të të përgjigjem me lutjet e mia, dhe të madhëroj ashtu siç i përket Madhështisë Tënde o I Lartësuar :
Të përgjigjem O Allah të përgjigjem,Lebbejka-allahume lebbejk
ALL-LLAHU EKBER,
ALL-LLAHU EKBER,
LA ILAHE IL-LALL-LLAHU,
ALL-LLAHU EKBER,
ALL-LLAHU EKBER
VE LIL-LAHIL-HAMD.
Kurse për fund të të lutem nga thellësia e zemrës time, të më mundësosh që edhe unë të kem fatin të jem mysafire e jotja në atë vend të bekuar, O Ti që pranon çdo lutje dhe plotson çdo dëshirë!
Nga e përmalluara për Ty O All-llah!
pregaditi motra juaj ne islam ummu muslimanja