Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Të nderuar besimtarë!
Islami i ka edukuar bijtë e vet që ata ta ndiejnë thellë ndjenjën e unitet, vëllazërisë, afërsisë, dashamirësisë, respektit, sepse ata i takojnë një umeti islam dhe po në këtë Islam kanë thirrur të gjithë të dërguarit e Allahut që nga Ademi (alejhi selam) e deri te Muhamedi (salallahu alejhi ue selem). Allahu i Lartësuar në Kuran ka thënë:
‘’Kjo fe (Islami) është e juaja dhe është e vetmja fe (e shpallur), kurse Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua.’’Enbija, 92.
Edhe hadithet, thëniet profetike, janë të shumta që e ushqejnë besimtarin me ndjenjën e vëllazërisë dhe dashamirësisë. Muslimanët duhen të jenë si një trup dhe të dashur me njëri-tjetrin, sepse kështu realizohet vëllazërimi i sendërtuar mbi bazat e imanit.
Padyshim që tua dëshirosh të tjerëve atë qe ke në qejf për vete, është parim në Islam, madje kjo është edhe pjesë plotësuese e besimit. Ai i cili nuk është i stolisur me këtë cilësi, edhe besimi i tij është i mangët. Në vazhdim po ndaj vetëm disa hadithe që së bashku t’i kujtojmë apo t’i rikujtojmë.
Muslimi transmeton hadithin nga Ebu Hurejra se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk do të hyni në xhenet, derisa të besoni dhe nuk do të besoni, derisa të duheni ndërmjet jush. A doni t’ju udhëzoj për diçka që, nëse i përmbaheni, do të duheni në mes vete? Atëherë, jepni ndërmjet vete selam!”
Po ashtu, transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra ku Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu i Madhëruar Ditën e Gjykimit do të thotë: ‘Ku janë ata që janë dashur në emër të Madhërisë Sime? Sot do t’i vendos nën hijen Time, në ditën ku nuk do të ketë hije (mbrojtje) tjetër përveç hijes Sime.’”
Gjithashtu, transmeton Buhariu dhe Muslimi po nga Ebu Hurejra hadithin e njohur ‘’Shtatë lloje (grupe) të njerëzve që do të jenë nën mbrojtjen e Allahut të Lartësuar në Ditën e Kiametit’’. Njëra nga këto grupet është: “..Dy njerëz të cilët duhen në emër të Allahut, janë shoqëruar dhe të tillë kanë mbetur deri në ndarje (vdekje).”
Të nderuar muslimanë!
Dëshiroja të tjerëve atë që e dëshiron për vete, nëse dëshiron ta fitosh kënaqësinë e Krijuesit tënd, në këtë botë dhe botën tjetër. Po ashtu, nuk duhet harruar që besimi është i lidhur ngushtë me respektin ndaj njëri-tjetrit, ku edhe finalizon çdo gjë në xhenetin e Allahut të Lartësuar.
Nëse e synojmë xhenetin, atëherë duhet t’ia dëshirojmë vëllezërve besimtarë çdo të mirë dhe sukses.
Të nderuar besimtarë!
Nuk është i vështirë definimi i asaj se çka është e mirë dhe e këndshme. Në Islam e mirë është: çdo gjë, qoftë fjalë apo vepër, që Allahu i Lartësuar është i kënaqur; pra konsiderohet e mirë.
Çdo njëri prej nesh duhet të angazhohet që çdo të mirë që e bën jetën të lumtur në suaza të besimit, t’ua mësojë të tjerëve. Kjo realizohet në shumë segmente, por në vazhdim po sinjalizojmë vetëm në disa prej tyre:
- Dëshiroja të tjerëve sinqeritetin, duke e ditur se çdo vepër a qëndrim shpërblehet sipas qëllimit dhe Allahu i Lartësuar shikon vetëm zemrat. Allahu i Lartësuar në Kuran ka thënë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë. ” Bejine, 5.
- Dëshiroja të tjerëve pendimin nga mëkatet dhe kërkimin e faljes prej Allahut të Lartësuar, sepse Ai është Falës i çdo mëkati. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe që të kërkoni falje nga Zoti juaj dhe të pendoheni.” Hud, 3.
- Dëshiroja besimtarëve durimin dhe qëndrueshmërinë, e cila realizohet duke falur namazin. Kjo tregon seriozitetin dhe disiplinën që e ushtron besimtari ndaj Krijuesit Allah. Allahu i Lartësuar ka thënë: “...Vetëm ata që janë të durueshëm realizojnë shpërblim të pakufizuar.” Zumer, 10.
- Dëshiroja besimtarëve frikërespektin ndaj Allahut, duke ia mësuar lutjen e njohur të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem): “O Zoti im, unë të lutem Ty (për udhëzim), për devotshmëri.’’ Transmeton Muslimi.
- Dëshiroja dhe mësoja besimtarëve drejtësinë që ata të shkojnë vetë rrugës së drejtë dhe të jenë të paluhatur dhe të vendosur në besimin e drejtë dhe në të drejtat jetësore. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ti shko rrugës së drejtë, siç je urdhëruar.” Hud, ll2
Të nderuar besimtarë!
Pse të jemi të rezervuar ndaj të tjerëve, të bëhemi zemërgjerë dhe çdo mirësi t’ia dhurojmë besimtarëve. Pse të kemi urrejtje dhe xhelozi, egoizëm dhe urrejtje, me gjëra të tilla asgjë nuk arrijmë. Mos u frikësoni dhe mos u bëni koprracë, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thuaj! Sikur t’i kishit depot e begative të Zotit tim, nga frika se po shpenzohen, do të bëheni koprracë; njeriu është dorështrënguar.” Isra, 100.
Të jemi zemërgjerë në fjalë dhe vepra të mira, udhëzime dhe sugjerime, këshilla dhe miratime, përkrahje dhe mbështetje. Këto të mira që t’i ka dhuruar Allahu i Lartësuar, përdori duke e dëshiruar çdo të mirë njerëzimit, Allahu i Lartësuar ka thënë: “A u kanë zili atyre njerëzve për atë që Allahu u dha nga mirësitë e Tij?’’ Nisa, 54.
Të nderuar besimtarë!
Këto këshilla po ua dëshiroj të gjithëve, sepse i dua për vete. Merrni këto udhëzime dhe mësime, nëse dëshironi të jeni të lumtur. E përmbyll me hadithin kudsi:
“.. O robërit e mi, sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj, e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinëve të ngriheni në një vend dhe të më luteni, Unë do t'i përgjigjem lutjes të çdonjërit prej jush, e kjo nuk do ta pakësojë atë që kam Unë, as aq (ujë) sa mund të merr gjilpëra prej detit.
O robërit e mi, këto janë veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, e për to Unë do t'ju shpërblej. Pra, ai që gjen mirë le ta falënderojë Allahun, ndërsa ai që gjen keq le të mos e fajësojë askënd, përveç vetvetes.’’ Transmeton Muslimi
Mon 28 Feb 2011 - 16:21 nga Bona