Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë thotë se është një organizatë e
pavarur që mbledh në vetvete një numër të madh teologësh myslimanë.
Me deklaratën e saj të mërkurën ajo përfshihet në debatin publik për
çështjen e shamisë islame, me shkas një projektligj për arsimin
parauniversitar të autoriteteve të arsimit në vend.
Përmes një letre të hapur "Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë"
deklaron se shamia nuk është simbol fetar, por pjesë e identitetit të
besimit mysliman.
Ata kërkojnë që të marrë fund ajo që e quajnë diskriminim ndaj këtij
komuniteti, pasi sipas tyre shfaqja publike e besimit, qoftë edhe
nëpërmjet veshjes, nuk duhet të trajtohet si shprehje e një ekstremizmi
fetar dhe cenim i laicitetit të shtetit, por si të drejta legjitime të
këtyre praktikantëve besimtarë.
Hoxhallarët e grupuar në këtë grupim të pavarur thonë se
rikonfirmojnë atë që është deklaruar edhe më parë nga Komuniteti
Mysliman i Shqipërisë se, shamia nuk është një simbol fetar, por pjesë e
identitetit të besimit mysliman.
Sipas tyre, ndalimi i shamisë në arsimin publik parauniversitar, jo
vetëm që përjashton një kategori të rëndësishme të shoqërisë shqiptare
nga e drejta e arsimimit, por ai dëshmon për përjashtimin e tyre nga
jeta publike.
Mirëpo deklarata e hoxhallarëve ka shkaktuar menjëherë reagime në
publik i cili, më së shumti, shprehet pro projektligjit për ndalimin e
simboleve fetare në arsimin parauniversitar dhe veçmas shamisë së kokës
nga vajzat myslimane.
Përveç myslimanëve, në debatin që ka lindur pas prezantimit të
draftit të ri të arsimit parauniversitar janë përfshirë edhe katolikët.
Monsinjor Rrok Mirdita, ka deklaruar se ky draft nuk duhet të
aprovohet pasi, sipas tij, nuk përcaktohet qartë se çfarë kihet parasysh
me simbol fetar. /BBC/