Është njësoj si të njohësh dëmet e cigares dhe të vazhdosh ta pish atë. Pavarësisht konceptit të dëmtimit të shëndetit, papritur, shohim që jemi nën vartësinë e tij dhe nuk mund ta lëmë ose nuk duam ta lëmë përkundrazi ndihemi të lumtur kur jemi me të. Na shqetëson heshtja që mbisundon kur nuk e ndezim.
Ndoshta nuk mund ta kontrollojmë ose ngaqë jemi nën kontrollin e tij, nuk jemi të lumtur, koeficienti i stresit sa vjen e rritet, kohën që mund ta kalojmë duke ndarë diçka të bukur me familjen ose duke biseduar, e harxhojmë duke qëndruar me orë të tëra pa lëvizur dhe pa menduar para asaj kutie.
Në fund ai arrin të kontrollojë dhe ndjenjat tuaja. A nuk ju tregojnë efektet gazmore të komedive kohën kur duhet të qeshni? Ju tashmë nuk mund të vendosni se çfarë do të shihni... ai e përcakton vetë: të hënën në orën 20:00, të martën në orën 21:40 e kështu me radhë, njerëzit i planifikojnë gjërat që do të bëjnë në vartësi të këtyre orareve dhe ju tashmë duke menduar para ose pas këtij filmi apo programi, e jetoni jetën tuaj sipas programeve të televizorit, dhe dashur pa dashur, fëmijët tanë i përshtasin oraret e mësimit dhe të bërjes së detyrave në bazë të programeve televizive.
E vërteta e frikshme e nxjerrë në pah nga një studim i ka çuditur shumë njerëzit; televizori tashmë në çdo shtëpi që shihet punon si një zhdukës i programuar dhe krejt i qetë, pa bërë zhurmë, fshehtazi fillon të zhdukë ngadalë forcën e të menduarit, forcën e krijimtarisë, kapacitetin e të mësuarit dhe të konceptuarit, vlerat morale dhe kulturore, lidhjet familjare, ndjenjat tona, pafajshmërinë, ndjeshmërinë, gjuhën, kohën dhe ndoshta, të ardhmen tonë.
Po çfarë duhet të bëjmë atëherë? Fatkeqësisht duhet të përpiqemi dhe të luftojmë vartësinë tonë ndaj tij njësoj si në rastet e vartësive të tjera. Nuk themi që të aplikojmë metoda të papërshtatshme si heqja e menjëhershme e TV nga shtëpia apo mosshikimi i tij, por është e vendit që të ndjekim metodat graduale të lënies së TV apo të ndjekim TV duke përdorur arsyen dhe fuqinë e të gjykuarit. Sigurisht që nuk mund të japim një recetë për të gjithë. Për të mos filluar edhe një herë nga e para kur të përballeni me të duhet të përpiqeni të jeni një ndjekës i kontrolluar dhe i mirinformuar, por pjesa e pandryshueshme e recetës është “DUHET TË SHIHET NË MËNYRË TË KONTROLLUAR”. Ajo që kuptojmë me kontroll nuk është mbajtja e komandës në dorë, por mundësia e përdorimit shpesh të butonit të fikjes.
Nëse dëshironi quajeni lidhje apo vartësi fatkeqësisht TV ju ka hedhur në rrjetën e tij. Dhe fatkeqësisht zakoni i shikimit të TV është kthyer në një gjendje vartësie. Zhvillimet teknologjike dhe kulturore të arritura vitet e fundit treguan se duhet të bëhen studime mbi faktorët të cilët e robërojnë njeriun, i krijojnë vartësi dhe e lënë të pashpresë, për faktorë që ndikojnë në arsyen dhe gjykimin e tij. Vartësitë teknologjike përkufizohen si vartësi jo kimike të cilat synojnë aktivizimin e njeriut si të ishte një makinë. Këta vartësi mund të jenë pasive –televizori- dhe aktive-kompjuteri.
Televizori ashtu siç mund të jetë zbavitës mund të jetë dhe edukativ dhe mund të plotësojë nevojat si mungesa e përqendrimit e të tjera të ngjashme. Por problemi i vërtetë paraqitet atëherë kur njerëzit fillojnë të mendojnë se nuk duhet të shohin shumë TV dhe fatkeqësisht nuk arrijnë të bëjnë asgjë për të pakësuar apo frenuar këtë gjendje.
Në mungesë të aktiviteteve jetësore, televizori është një mjet i cili mbush boshllëkun e kohës së lirë duke u kthyer në një zakon ose ves. Ato që kapen pas tij ndihen të painteresuar ndaj evinementeve të tjera dhe në këtë mënyrë vështirësohet dhe mundësia e kurimit të vetvetes. Në pamje të parë televizori të cilin e shohim si një gjë të dobishme na ndihmon të kalojmë kohën.
Ç’është e vërteta në ditët e sotme një jetë pa televizor duket krejt e pamundur, atëherë ajo që i mbetet për të bërë prindërve është t’i mësojnë fëmijët e tyre të shohin TV në mënyrë të kontrolluar. Mirëpo, si mund t’i mësojmë ato që ta shohin TV në mënyrën më të shëndetshme? Çfarë duhet pasur parasysh?