Aktivistët
për të drejtat e njeriut dhe banorët lokalë thanë se forcat e sigurisë
të Sirisë të mbështetura nga tanket janë vërsulur sot në qytetin jugor
Deraa.
Deraa është qyteti ku filuan protestat kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad një muaj më parë.
Një dëshmitar i tha agjencisë Reuters se kishte parë trupa në rrugë pasi qindra ushtarë në autoblinda dhe tanke hynë në Deraa.
Një banor i tha televizionit Al Jazeera se tanket po e bombardojnë qytetin.
Zyrtarët jordanezë kanë konfirmuar se Siria e ka mbyllur kufirin me Jordaninë. Qyteti Deraa ndodhet afër kufirit mes dy vendeve.
Aktivistët dhe dëshmitarët thanë se forcat e sigurisë janë vërsulur
në paralagjen Douma të Damaskut, ku kanë qëlluar civilë dhe arrestuan
disa banorë.
Raportet nuk kanë mundur të verifikohen sepse shumica e korrespondentëve të huaj janë dëbuar nga Siria.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se më shumë se 350 civilë janë vrarë që nga fillimi i trazirave në Siri./rel/