Muslimanët, Allahu i ka cilësuar në Kur’anin fisnik si njerëz të mendjes, veprimit, humanizmit, dashurisë, paqes… respektivisht si njerëz që reflektojnë. Dhe vërtetë ne, si një Ummet që jemi, jo thjeshtë si individë, kemi nevojë të reflektojmë.
Po, cili është shkaku i gjendjes në të cilën kemi rënë sot? Numri i pakët i muslimanëve apo burimet e pakta natyre? Apo mos, vallë, u mungojnë personalitetet historike?
As njëra e as tjetra, ngase 1/5 e njerëzve që jetojnë në sipërfaqe të këtij dheu janë muslimanë. Po ashtu, burimet më të pasura të planetit gjenden në duart e musliamënve. Kurse, sa për personalitete frymëzuese, nuk besojë se ka pasur ndonjë fe tjetër të atillë, siç ka pasur shoqëria islame.
Atëherë ku qëndron problemi?
Pse ndodhemi në këtë gjendje?
Të diturit i kanë dhënë me kohë përgjigje kësaj pyetjeje. Shkaku i ngecjes qëndron te mungesa e një karakteri të lartë dhe e përjetimit të fesë tek ata që mbartin përgjegjësinë e të qenit musliman. Autoriteti i përgjegjshëm, thuajse, mbeti i së kaluarës…
Kur imam Aliu (r.a.) u bë udhëheqës i muslimanëve, në prononcimin e tij të parë, pasi hipi në minber, tha vetëm këto fjalë: “O njerëz, ju keni nevojë për njerëz të veprave dhe jo të fjalëve…”, dhe zbriti nga minberi.
Kaq ishin fjalët e tij, kaq duam që edhe ne t’ju themi sot: O muslimanë, le të bëhemi nga ata që më tepër do të shkëlqejmë me veprat e mira, sesa me fjalët e arta!
Është koha të flasim përmes veprave!