Xhemati mysliman do të dalë sërish në rrugë të premten. Kësaj radhe
do të protestojë për diskriminimin nëpër shkolla, të nxënëseve që mbajnë
shami. Mistri i Arsimit, Ramë Buja, premton se çështja e shamive do të
rregullohet. Thotë se asnjë mysliman nuk duhet të shqetësohet për
shkollimin e vajzave të tyre. Të premten do të kërkohet edhe marrja e
masave ndaj një këshilltari të kryeministrit i cili, sipas Lëvizjes
“Bashkohu”, e ka fyer Kuranin.
Kërkesat e xhematit mysliman nuk kanë të ndalur. Nga protesta për
ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të Prishtinës, tash ata kanë
kaluar në krejt diçka tjetër.
Pas marrjes së premtimeve nga Komuna e Prishtinës se kërkesa e tyre
për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e xhamisë është punë e kryer,
Lëvizja “Bashkohu” ka gjetur tjetër impenjim.
“Bashkohu” ka planifikuar që prapë të protestojë, por kësaj radhe për
t’i kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’i jap fund diskriminimit që, sipas
kësaj lëvizjeje, po u bëhet nxënëseve myslimane që bartin shami, e të
cilat nuk lejohen të vijojnë shkollimin nëpër shkollat publike të
Kosovës.
Por, kërkesat e “Bashkohu” nuk përfundojnë këtu. Në të njëjtën kohë,
kjo lëvizje ka shfrytëzuar rastin që të kërkojë nga i njëjti
institucion, Qeveria, të marrë masa të menjëhershme për Blerim Latifin,
këshilltarin politik të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Kjo kërkesë e dytë e tyre pason pas një deklarate që Latifi e ka bërë
në një debat televiziv dhe e cila, sipas xhematit, ka qenë tejet fyese
ndaj Kuranit. Për të dyja këto kërkesa, “Bashkohu” ka bërë thirrje për
një protestë paqësore nesër, pas faljes së namazit të xhumasë.
Arsim Krasniqi, kryetar i Lëvizjes “Bashkohu”, thotë se kjo protestë
është parë si hap i domosdoshëm nga ana e myslimanëve. Ai thotë se e di
që kjo protestë po ndërmerret shumë shpejt, pas asaj që zgjati me javë
të tëra rreth kërkesës për ndërtimin e xhamisë. Por, sipas tij,
rrethanat janë të tilla, që po e shtyjnë xhematin të dalë në rrugë.
“Viti i ri shkollor fillon në shtator, kurse motrave tona myslimane nuk u
lejohet ndjekja e mësimit. Prandaj, ne duhet të ndërmarrim masa”, tha
Krasniqi për Express.
Sipas tij, gjatë fushatës së fundit zgjedhore myslimanët kanë marrë
premtime se çështja e vijimit të shkollimit për vajzat që bartin shami
do të jetë punë e kryer. “Por ja, tash ka disa shkolla në të cilat
motrat myslimane nuk janë pranuar. Nuk e di çfarë janë duke menduar ata,
la-ilahe il-allah”, flet i shqetësuar Krasniqi.
Sqaron se nuk po kërkohet asgjë tjetër, përveç që deri në fillim të
vitit të ri shkollor, Kryeministria të bëjë zgjidhje institucionale dhe
nxënëset që bartin shami të vijojnë mësimin në shkollat publike. “Ashtu
siç kërkojmë edhe aplikimin e lëndës së edukatës fetare në shkollat
publike”.
Në anën tjetër, Krasniqi thotë se edhe deklarata e këshilltarit të
kryeministrit, Blerim Latifi, është bërë shkas që po i shtyn edhe më
shumë xhematin të protestojë.
“Këshilltari i kryeministrit doli e foli zi e terr për fenë tonë. Ne u
munduam që pas deklaratës së tij të kërkojmë nga Kryeministri që të
ndërmarrë masa ndaj tij. I kemi dërguar dy letra, por e kotë”, sqaroi
ai.
Duke e parë që kërkesat e tyre nuk po merren parasysh, Krasniqi thotë
se lëvizja të cilën e udhëheq ka vendosur që mënyra më e mirë për t’i
pasqyruar pakënaqësitë e xhematit është protesta. “Ne nuk po dalim prej
qejfit për ta falë xhumanë në rrugë, në mes të zhegut. Kryeministria nuk
ndërmori asgjë, as nuk deshi të takohet me ne, prandaj edhe po
detyrohemi të falemi në rrugë”.
Por Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT),
thotë se ai nuk e di se pse myslimanët do të protestojnë lidhur me
problemin e shamive nëpër shkolla. Ai sqaron se përveç premtimeve të
dhëna, MASHT do të përpiqet të bëjë më të mirën, në mënyrë që të mos
krijohen pakënaqësi tek asnjë kategori e njerëzve. “Ne kemi pasur takime
të shumta. Tash për këtë çështje ka mbetur vetëm kohë për t’u
rregulluar. Do të shohim bashkë me kryeministrin se çfarë mund të
bëhet”, tha Buja për Express.
Megjithatë, ministri thotë se asnjë mysliman nuk duhet ta preokupojë
fakti që vajzat e tyre po mbesin pa shkollë, për shkak të bartjes së
shamive. “Unë do të jem iniciues i asaj që askush të mos pengohet për të
vijuar shkollën, pavarësisht përcaktimit të tij fetar”, sqaron Buja,
teksa shton se përveç kësaj, ai do të mundohet ta modifikojë edhe
udhëzimin administrativ, i cili ndalon bartjen e shamisë në shkollat
publike.
(GE)