Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, shtroi me dt. 17 gusht 2011, një iftar në emër të Kuvendit të Shqipërisë me rastin e muajit të Madhërueshëm të Ramazanit.Të ftuarit e znj. Topalli në rezidencën qeveritare ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman Haxhi Selim Muça, drejtues të KMSH-së, myftinj e imamë, përfaqësues të komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri, deputetë, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe personalitete të fushave të ndryshme.
Kryeparlamentarja Topalli iu drejtua të ftuarve me urimet më të përzemërta me rastin e këtij muaji të jashtëzakonshëm, duke shprehur në mënyrë të veçantë respektin dhe vlerësimin për sakrificat dhe adhurimet e tyre të kryera për hir të Zotit.
Nga ana e tij, Kryetari i KMSH-së, Haxhi Selim Muça ka falënderuar në emër të institucionit dhe besimtarëve znj. Topalli për iftarin e shtruar, duke theksuar se kjo tryezë është tregues i vlerësimit që
shteti shqiptar ka ndaj institucioneve fetare për veprimtarinë dhe kontributin që ata japin në dobi individit dhe mbarë shoqërisë shqiptare.
Kjo nuk është hera e parë që znj. Jozefina Topalli shtron iftar për myslimanët. Edhe këtë herë, duke vijuar traditën e mirë, ajo ka dashur të shprehë nderimin për gjithçka që bashkëqytetarët e saj kryejnë në emër të Zotit në këtë muaj mirësie e triumfi.
(KMSH)