AKTUALE
Besimtarët myslimanë festojnë Bajramin
Besimtarët e fesë islame në Kosovë festojnë sot Ditën e Fiter Bajramit, e cila shënohet pas përmbylljes së Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Manifestimi qendror i faljes është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, me ç’rast besimtarëve myslimanë u është drejtuar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili ka dhënë porosinë për kultivimin e tolerancës, dashurisë ndër-njerëzore dhe humanitetit.
Myftiu Tërnava tha se festa e Fiter Bajramit është e një rëndësie të veçantë për besimtarët që kanë agjëruar Muajin e Ramazani dhe që kanë shprehur përkushtim ndaj Krijuesit të Gjithësisë, ndërsa bëri thirrje për vazhdimin e shkëmbimit të mesazheve të mira mes njerëzve.
“Njeriu e kupton dhe percepton burimin hyjnor të Islamit, hulumton nën dritën e tij dhe mundohet që në mënyrë konkrete t’i zbatojë principet e këtij burimi, i cili njeriut i garanton lumturinë në këtë botë dhe prehjen në botën tjetër, pranë Zotit të botëve”, tha Tërnava.
Myftiu u ka rikujtuar besimtarëve që kanë obligim që, krahas kryerjes së riteve fetare, gjatë jetës gjithnjë të respektojnë farefisin, rrethin, vendin dhe të kenë një përkushtim të veçantë ndaj personave me nevojë.
Pas faljes së Fiter Bajramit, myftiu Tërnava kritikoi institucionet që nuk kanë marrë parasysh kërkesat e besimtarëve myslimanë për futjen e lëndëve fetare nëpër shkolla.
“Unë sot, në këtë ditë feste, që nuk e kisha ndërmend t’i flas këto fjalë, mund t’iu bëj me dije të gjithëve se kërkesave të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), adresuar institucioneve tona që i kemi krijuar me mund, përgjegjësit tanë nuk janë duke iu përgjigjur ashtu si duhet. Kemi vonesa të mëdha dhe të pakuptimta”, tha ai.
Myftiu Tërnava vlerësoi se gjatë debatit të zhvilluar dje në Kuvendin e Kosovës ka pasur deputetë që kanë fyer myslimanët. Sipas tij, Bashkësia Islame e Kosovës nuk do të jetë spektatore pasive dhe të shikojë se kush më tepër po fyen ndjenjat e myslimanëve në Kosovë.
“Nuk është e drejtë e askujt që Islami të fyhet në raport me atë se do të hyjë ose jo lënda fetare nëpër shkolla. E drejtë e çdo anëtari të Parlamentit është që të votojë ligjin ose jo, por nuk është e drejtë e askujt që të fyejë identitetin islam dhe ndjenjën islame. Kjo ka ndodhur dje fatkeqësisht nga disa parlamentarë. Unë i thërras ata për një vetëdijesim, se ka kaluar koha e komunizmit, kur avancohej ai që fyente ndjenjat fetare”, tha Tërnava.
Ai theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës, e shtyrë nga mospërgjigjja në kërkesat e saj, do të detyrohet që të ndërmarrë edhe hapa tjerë. Ndërsa përgjegjësia, sipas Tërnavës, do të bie mbi të gjithë ata që fyejnë ndjenjën islame.
Por, myftiu i Kosovës tha se BIK-u, sikurse më parë, edhe në të ardhmen do të vazhdojë të kultivojë respektin ndërfetar në Kosovë “edhe atëherë kur dikush mundohet ta prishë këtë harmoni”.
Përndryshe, besimtarët myslimanë dhe Bashkësia Islame kanë pranuar sot urime të shumta nga udhëheqësit më të lartë të shtetit, ata të partive politike dhe përfaqësues ndërkombëtarë, me rastin e Festës së Fiter Bajramit.
“Festa e Fiter Bajramit vjen pas Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, të lutjeve, të përkushtimit, të forcimit të besimit, të përkujdesjes dhe ndihmës së ndërsjellë”, thuhet në urimin e presidentes Atifete Jahjaga.