Më 3o gusht të këtij viti, ndërroi jetë, në moshën 87 vjeçare, një nga personalitete më të shquara të jetës fetare islame në rrethin e Strugës, Hfz.H.Sabit Efendi Shehu. Më 30 gusht, ose më mirë të thuhet në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit, në ditën e parë të Fitër Bajramit, varroset fryma e fundit e ulemasë së këtyre trevave.
I ushqyer me dashuri të madhe ndaj fesë, ai nuk shquhej vetëm për dituri, ai gjithashtu shquhej edhe për élan të fortë dhe vullnet të mirëfilltë. Ai deri ne ditën kur vdiq, në natën e shenjtë të Fitër Bajramit, në natën e pranimit të lutjeve, vdiq me Kur`an në gojë, sepse ai qetësohej në bisedë me Allahun Fuqiplotë.
Në moshën 12 vjeçare, ai e përfundoi hifzin (mësimin përmendësh të Kur`anit). Ishte nga ata dijetarë që e pasonte fjalën e Pejgamberit a.s. :“Kërkoni diturinë nga djepi e gjer në varr.“
Ishte njohës i shkëlqyeshëm i gjuhes Arabe, tefsirit (shkencave të Kur`anit), hadithit (fjalës, veprave dhe punëve të Pejgamberit a.s.), faraizit dhe mirasit (shkencës së ndarjes së trashëgimisë), Usuli Fikhut (Hyrje në Shkencat e Jurisprudencës Islame), Akaidit (apologjetikës Islame), Ahlakut (Moralit Islam), Texhvidit (Rregullat për leximin e Kur`anit), historisë Islame, histroisë së Pejgamberit a.s. E kaloi jeten duke e shpernda fjalën dhe frytin e besimit. Sa kuriozitet, sa mallëngjim, sa bukuri, i lumi ai për veten dhe shpirtin e tij. Gjithnjë thoshte ne jemi te Allahut dhe tek ai do te kthehemi“.
Ai ka ndërruar jetë! Njerëz të mëdhenj të tillë kurrë nuk vdesin. Besimtarë të devotshëm të tillë kurrë nuk vdesin. E them nuk vdesin jo për tu kundërvënë Urdhërave të Allahut, por për jetën dhe veprën e tyre kushtuar besimit në Allahun dhe duke qënë në shërbim të Tij dhe njerëzimit. Ata kurrë nuk vdesin sepse kanë mbjellë farën e një ardhmërie fatlume të popullatës shqiptare të besimit islam.
“Sa i lumtur është Hfz. H. Sabit ef.Shehu. Dihet se Allahu i ka
sihariqëzuar këta njerëz me fjalët e tija duke u thënë: “O shpirt i
qetësuar. Kthehu tek Krijuesi Yt, i kënaqur me ty dhe ti i kënaqur me
Ate. Hyr në radhën e robërve të zgjedhur (të mirë), hyr në Xhennetin
tim.“
Ishte i durueshëm me urtësinë e vet. Shquhej për durim (sabrin e madh). Urtësia e tij ishte mbase edhe profetike, prej një lakoni të mirëfilltë. Përgjigjet dhe sqarimet e interpretimet e tija ishin gjithmonë lakonike. Ai la pas vete jo vetëm familjarët e mallëngjyer, por edhe miqtë, adhuruesit e tij dhe mbarë popullatën e rrethit të Strugës.
-Hfz. H. Sabit ef. Shehu u lind më 13.03.1924 në Veleshtë, ku jetoi deri në ditën e shenjtë të Fitër Bajramit, më 30 gusht të këtij viti.
Ishte arsimdashës i madh që dëshmon edhe fakti se gjatë shërbimit të tij si imam në fshatin Koroshishtë, nga janari i 1941 e deri kah fundit i vitit 1947, së bashku me mësuesin e parë të shkollës shqipe në këtë fshat, Pandi Treska nga Korça, fillojnë aktivitetin e përbashkët për njohjen sa më mirë të historisë shqiptare dhe brumosjes me ide edhe më të fuqishme dhe fisnike e patriotike, që më vonë do ti kthehen si
boomerang.
Nuk vonoi shumë, dhe policia famëkeqe, i troket në derë dhe e privon
nga liria, duke e mbajtur mbi dhjetë ditë në paraburgim, pa asnjë
arsyetim, e më pas, për kënaqësinë edhe të xhematit, ai kthehet në
misionin e tij fisnik..
Puna e përkushtuar, misioni i tij fisnik, ka qenë halë në sy për pushtetmbajtësit, të cilët ia kurdisin kurthin për ta burgosur, përkundër faktit se shërbente si imam në xhaminë qendrore në Veleshtë. Nuk vonon dhe i shqiptohet dënimi në kohëzgjatje prej dy vjet burg të rëndë, nga Gjykata e Qarkut Ohër, duke e akuzuar “…për veprimtari armiqësore kundër shtetit…” sipas Kodit penal, Neni 118 dhe 119.
Vazhdimisht ka qenë nën vëzhgim të organeve të sigurimit, që e kanë ndjekur hap pas hapi: vizitat e udhëheqësit shtetëror që asokohe i kanë bërë Strugës, sipas shërbimeve të sigurimit dhe të policisë, Hfz.H.Sabit ef.Shehu ka paraqitur rrezik, dhe vazhdimisht në raste të tilla ai është “izoluar”- është vënë në burg shtëpiak, duke ia kufizuar maksimalisht të drejtat elementare të njeriut si dhe lëvizjet nëpër fshat apo qytet. Kështu ndodhë edhe gjatë vizitës së Titos në Strugë, kur e izolojnë për katër ditë rrjesht, duke e konsideruar si element të rrezikshëm për shtetin, si person me pretendime të veprimtarisë armiqësore, sa që nuk i është lëshuar as pasaporta e udhëtimit, për të kryer obligimin e haxhit.
Pasi mbushi 87 vjet, pas një sëmundje të shkurtër, Hfz.H.Sabit ef.Shehu, ndërroi jetë në Ditën e Fitër Bajramit, më 30.08.2011 dhe varroset në varrezat e fshatit Veleshtë, me nderime të larta fetare. Ate për në banesën e tij të fundit e përcollën numër i madh nga Veleshta, Struga dhe vendbanimet tjera, në të cilat ai ka shërbyer dekada me radhë, duke lënë mbresa të pashlyeshme.
Ai ka ndërruar jetë! Njërëz të mëdhenj të tillë kurrë nuk vdesin. Besimtarë të devotshëm të tillë kurrë nuk vdesin. Nuk vdesin sepse pas vete kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në rend të parë tek pasardhësit e tij, djali dhe vajza, si dhe katër nipër të gjithë me arsim universitar.
Prehu në amshim, prehu i qetë Hfz. H. Sabit ef. Shehu.