Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| Titulli: Ç’do të thotë të mbarosh medresenë? Tue 20 Sep 2011 - 12:11 | |
| Një ëndërr foshnjore, kur e sheh të realizuar pas shumë vitesh të bën të ndihesh krenar. Por që të ndihesh i sigurtë dhe po aq krenar, kjo ëndërr në gjithë përcjelljen e saj është e bukur kur brenda ka besimin në rrugën e të Madhit Zot.
Kështu ka ndodhur dhe me mua e me qindra shoqe të mijat që sot pasi kanë mbaruar studimet në bangat e medresesë, vazhdimin e tyre të mirë e demonstrojnë me moralin dhe intelektin e tyre atje ku ata vazhdojnë të studjojnë apo dhe të punojnë si edukatore të brezit të ri. Që të mbarosh një medrese dhe të jesh një medresist i mirë duhen patur parasysh tre komponentë, e para vetja jote, familja dhe mësimdhënësi. Të zgjedhësh medresenë si shkollë për t‚u arsimuar, duhet të jesh i bindur në zgjedhjen tënde, të mos shtyhesh nga familja. Çdo të thotë kjo?…
Ka mjaft prindër që dëshirojnë të arsimojnë fëmijët e tyre në medrese, pasi mendojnë se këtu rregulli, edukata, sigurisht dhe niveli mësimdhënës janë në shkallë të lartë. Dhe prindërit kanë të drejtë sepse në të vërtetë kështu është, por ç’thonë fëmijët e tyre thellë në dëshirat që kanë? Përfundimi bëhet si do prindi por me kalimin e viteve tek ky fëmijë nuk sheh një medresist por një nxënës që sapo lë bangat e shkollës kërkon të veprojë në shoqërinë e tij jashtë edukatës Islame. Vajzat vishen jo hijshëm, djemtë fillojnë e preferojnë lokalet, akoma më keq, disa largohen në mbarim të 8-vjeçares ose të tjerë duke mos përballuar dot volumin e mësimeve ose duke mos pëlqyer t‚i përshtaten edukatës Islame, rregullave të saj e lënë shkollën në çfarëdo klase të jenë.
Mjaft medresistë që kanë kryer katër (4) ose tetë (8) vjet studime në medrese kanë marrë bazat e edukatës Islame, por kur i sheh e ke të vështirë të besosh se ku i kanë kryer studimet.
Familja është një shembull i shkëlqyer për fëmijën, e ky shembull jepet dhe fitohet me durim, vëmendje e sjellje të kulturuar. Por edhe shkolla ka pjesën e saj. Motoja e parë e një medreseje për të cilën ajo funksionon është formimi i medresistëve besimtarë me një edukatë Islame si dhe përgatitja shkencore me një nivel të lartë për t’i bërë ata të aftë të konkurojnë në çdo degë të shkencës. Pra një edukim dhe formim i shkëlqyer. Shkolla është vendi ku mësohet. Ajo mund të lëshojë dritë mbi idetë dhe ngjarjet vitale, të aftësojë nxënësit dhe studentët e saj të kuptojnë mjedisin e tyre natyror e njerëzor.
Një ndër komponentët që lot rol me rëndësi në formimin e medresistëve është dhe mësimdhënësi (mësuesi). Mësuesi vërtet është ai që mbjell farën e dlirë dhe kujdeset për ta mbrojtur atë. Rruga më e mirë e edukatorëve është të tregojnë kujdes për secilin individ si një botë më vete. Mësimdhënësi duhet të dijë ta gjejë atë rrugë që të çon në zemrat e nxënësve dhe që lë gjurmë të pashlyera tek ata. Edukatorët janë njerëzit më të nderuar por që kanë edhe punën më të vështirë. Ata duhet të japin një shembull të mirë me sjelljen e qëndrimin e tyre personal, por duhet të jenë po aq shembull në anën e jashtme, duhet të kenë durim për të drejtuar jo vetëm intelektin e tyre por edhe zemrën, ndjenjat e tyre. Secili duhet të shmangë ekstremet në veprime por më parë në mendime. Edukimi është tjetër gjë nga të dhënit mësim, por mënyra e të dhënit mësim mirë është një edukim i mirë. Asnjëherë të mos nënvleftësohet nxënësi sepse nesër ai mund të jetë një koleg i mirë. Është e dyshimtë të quhet njerëzor një njeri që nuk përpiqet të rinovojë vetveten. Shumë kush mund të jetë i suksesshëm në përvetësimin e diturive, por janë të paktë ata që janë të aftë të edukojnë mendjen dhe ndjenjat e tyre. Unë si medresiste gjithmonë kërkoj brenda vetes më të bukurën e fjalës medresist. Njeriu nuk është një qënie e përbërë vetëm nga trupi dhe nga mendja. Ai ka gjithashtu një shpirt që kërkon kënaqësi, pa të cilën ne nuk mund të gjejmë kurrë lumturinë dhe përsosmërinë e vërtetë, kënaqësia shpirtërore arrihet nëpërmjet njohjes së ZOTIT dhe besimit në Të. Të jesh medresist do të thotë ta justifikosh këtë emër me punë e sjellje të mirë. Të zgjedhësh medresenë si shkollën ku ti do të arsimohesh do të thotë të ndjesh përgjegjësi brenda vetes, të besosh se me edukatën dhe dijen e fituar do t‚i shërbesh më mirë, më drejt familjes dhe shoqërisë Islame. Medresist do të thotë t‚u përcjellësh njerëzve atë që ju mungon për të dalë nga gjendja e tyre apatike, medresist do të thotë të kesh fatin e madh dhe të mirë që njeh, di dhe zbaton mësimet e Kur’anit Famëlartë.
O motër medresiste! Robëreshë e Allahut, koha e fundit, një ditë fare afër ose shumë larg, do të afrohet. A mendon se si do të të zërë ty? A nuk i frikësohesh Allahut? O edukatore mësimdhënëse në medrese! A ke menduar ti ndonjëherë se nxënëset e tua janë të shqetësuara për ty, për shembullin e besimit tënd, për fjalët e tua pa vend, për gjykimin tënd si mosbesimtare qoftë edhe për një problem të vogël në dukje pa rëndësi? Si mendon se të mëshiron Allahu duke mërzitur zemrat e tyre që dëshirojnë të mbushen çdo ditë e më shumë me besim?
O ti që mendon se je e ditur, kujdes se zemra jote, nijeti jot është aty. “Për çdo send që nuk pajtoheni, gjykimi për të është tek Allahu (Mbizotëruesi, Gjykuesi)….” ( 42:10) Resulullahu na paralajmëron duke na kujtuar se “Në qoftë se ndonjëri merr (nxë) dituri nga gjërat prej të cilave kënaqësia e Allahut është kërkuar dhe në kundërshtim (me pikën më lart) ai e merr (nxë) atë, diturinë vetëm për të marrë epërsi (të mira) të kësaj bote, ai nuk do ta ndjejë aromën e Xhennetit në Ditën e Gjykimit.” Pra ti që sot i prin rinisë islame, nuk ka rëndësi se ku, në medrese apo jo, kujdes… shumë kujdes me atë që udhëzon e bën. Askush dhe asnjëherë nuk duhet të ndihet superior ndaj tjetrit se ka miq e shokë, i Gjithëpushtetshmi është vetëm Ai, Krijuesi i Gjithësisë, i DREJTI, Mbizotëruesi i Botërave.
Sot në universitetet tona ka mjaft djem e vajza besimtare që studjojnë dhe që paraqesin nivel të lartë formimi në lëndët shkencore. Kjo është detyrë e Komunitetit Musliman, Drejtorisë Arsimore të tij për të zgjedhur më të mirët, sepse duke zgjedhur më të mirët në lëndën e vet dhe po aq të mirë në besim do të mund të arrijmë që medresistët të mos largohen pas përfundimit të ciklit të ulët nga medreseja apo të ketë firo edhe gjatë rrugës.
O ti e re dhe i ri! Mos u ndiko vetëm nga dëshira e mirë e prindit për të studiuar në medrese me mendimin e dëshirën se merr një edukatë të mirë, se je i mbrojtur nga një sërë fenomenesh si imoraliteti, droga, sida, prostitucioni, krimi etj. Vendos vetë nëse e ndjen se është pikërisht kjo që të duhet ty për jetën tënde. Ji i sinqertë në mendimet e veprimet e tua para se të bësh zgjedhjen për të hapur shtigje të reja të pashkelura ndonjëherë drejt sukseseve të mëdha. E lus Allahun që të jeni të gjithë prej atyre që i frikësoheni Allahut, sepse me të vërtetë të tillë janë dijetarët, e këtë e dëshmon më së miri fjala e të Lartmadhëruarit: “…Po Allahut ja kanë frikën nga robërit e TIJ, vetëm dijetarët….” ( 35:28)
Medresist! Ti lufton dhe kurrë nuk lodhesh për të fituar kënaqësinë e Allahut, në shpirtin tënd ti do që të rrijë përherë një melek i bukur, ti do që portat e përtej iluzionit tënd të hapen e të thireshe ti me emrat më të bukur, në portën e varrit të të hapej ajo e duhura, dera e xhennetit.
Medresist! Ti nuk do të jesh me të humburit, ti e mendon dhe e di rëndësinë e Ditës së Gjykimit tënd, ti je vetja jote sepse pranove të marrësh dijen e Allahut me devotshmëri.
Ti ecën rrugëve, herë-herë bie po kurrë nuk ankohesh, ngrihesh mbi gjymtyrë të vrarë e kërkon rrugën që të shpie tek kënaqësia e Allahut, ti ngrohesh nën rrezet e diellit kur ke ftohtë e mendja të shkon tek i vetmuari, tek i varfëri, i rrëzuari prej lodrave të jetës dhe kërkon që rrezet që të ngrohin ty, t’i shkojnë njerëzve në nevojë! ….Por ti nuk lodhesh… nuk mërzitesh, kërkon brenda vetes më të mirën, më të bukurën që të kënaqësh Zotin Tënd, ti e di që nuk je krijuar kot, je krijuar në formën më të mirë, më të bukur për të ecur i sigurtë (për aq sa e ke të shkruar) në shërbim të vetvetes, njerëzimit dhe Islamit. Ti e di se drita e Zotit Tënd të udhëzon të jesh fisnik, tolerant, i drejtë, i butë, i ndershëm, i gëzuar e të kënaqesh me atë që ke, bujar, me vullnet të çeliktë e zemër të kristaltë. E kështu, ti e di se çelësin e portës për tek Zoti e ke në duart e tua. Allahu të lehtësoftë rrugën për në Ditën e Gjykimit.
A nuk është bukur të jesh medresist? Po të merresh me formimin dhe edukimin e tyre a nuk është bukur? E bukura ndodhet tek Allahu, e Allahu të bukurën e dëshiron dhe për krijesat e Tij.
Motër e vëlla medresist! Edukatore të nderuara në medrese! A e dini pse vallë jeni më të suksesshmit në bisedat me njerëzit?Ju jeni më të suksesshmit, më të pranuarit në bisedë, sepse ju flisni pikërisht me gjuhën e duhur, me fjalën e ëmbël, me fjalën e Krijuesit të Gjithësisë. “Kush ia dorëzon veten ALL-LLAHUT, duke qenë edhe punëmirë, ai është kapur për lidhjen më të sigurt”. (31:22)
Falenderoj Zotin se si ish medresiste më ka bërë mua e shumë të tjerë të përgjegjshëm ndaj vetes, familjes e shoqërisë dhe njëkohësisht e lus Zotin për mirësi e begati për të gjithë robërit e Tij.
Shkruan: Jetmira Sejko (Teli)
| |
|