Falënderimi i takon vetëm All-llahut, i Lëvduar qoftë Ai, i përhershmi që s’ka fillim, i Amshueshëm që s’ka mbarim, i Vetmi që s’di për përfundim dhe zhdukje, Krijuesi, i cili që kur e krijoi këtë botë, ia veshi asaj petkun e përkohshmërisë dhe gjithçka në të e bëri të ketë fillim dhe mbarim! Salavat me ashkun e zemrës i çojmë atij, nuri i të cilit në dynja solli dritë dhe bereqet, atij, që shërbëtorë e sulltanë i bënë nder e mukajed, Muhammedit a.s. që i mësoi njerëzisë Islamin me te’vil, që ummetit i dha nasihat, se dynjaja ka mbarim, së është e shkurtë e s’është gjatë, selam u çojmë shokëve të tij besnikë-sahabëve dhe të gjithë ndjekësve të përbetuar të rrugës së tij të ndritur, deri në Ditën e Premtuar.
Të dashur dhe të nderuar profesorë dhe kolegë të pranishëm, sot, është hera e fundit që dal këtu para jush dhe rasti ma imponon që për herë të fundit t’ju rrëfej pikërisht për fundin, për përkohësinë e kësaj jete, të qaj me ju dertin e mbarimit të gjithçkaje të filluar, në këtë botë, që edhe vetë në mbarim është e destinuar.
Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se çdo gjë e filluar, mbarimin e ka me vete, por ç‘ti bësh zemrës, që sikur nuk donë të pajtohet me fatin, nuk pajtohet të ndahet aq lehtë nga një kapitull i jetëve tona, të cilin e ndërtuan vitet, e stolisi përjetimi, të paharruar e bëri përkujtimi, të kaluar do ta bëj përfundimi…
Po a mundet vëllezër të nderuar, të pajtohemi aq lehtë me faktin, se ne sot duhet t’i vejmë pikën e fundit tregimit më të bukur, duhet t’i vejmë tri pika këtij libri-kryevepër, si të mos qajnë zemrat, për këtë vatër, ku e kaluam fragmentin më të bukur e më të ëmbël të kësaj jete të shkurtër, për këtë shkollë ku e kaluam lulen e rinisë, ku jetuam të lumtur për 4 vjet mes gëzimesh e hidhërimesh, mes haresë e pikëllimit, ku krijuam shoqëri, për të cilën as që dinim se mund të ekzistojë, shokë me të cilët i ndamë të gjitha, ku erdhëm si fëmijë të vegjël, të paaftë edhe krevatin ta rregullojmë, e këtu u kalitëm, u formuam, u ndërtuam, morëm mësime jete, që sot kur fundi duket në horizont, tanimë ta ndjejmë veten si të rritur, ta aftësuar që të dalim dhe të përballemi me sfidat e jetës, që ta fillojmë betejën e “madhe” siç e quajti i Dërguari ynë a.s. jetën, me armën më të përsosur, me mësimet islame, me fjalën e All-llahut e këshillën e Pejgamberit a.s., që janë formula e vetme e suksesit në jetë, por këtë sukses ne, të gjithë, po të arrijmë dikur, do t’ia kemi borxh kësaj Medreseje dhe këtyre profesorëve, që vlerën dhe peshën po fillojmë t’ua shohim sot, kur e kuptojmë se tanimë po na ikin nga duart dhe po treten drejt të kaluarës.
Është shumë e rëndë kjo ndjenjë që e ndjej sot, ndjej sikur një gur ma rëndon zemrën, por sa i rëndë është ky gur, aq më rëndë e kam t’i përshkruaj këto ndjenja që më janë bërë lëmsh, nuk di si të ndjehem, të jem i gëzuar, që sot ne po mbarojmë Medresenë, që sot po hyjmë në listën e lavdishme të atyre, që kanë mbaruar këtë shkollë, ditë të cilën ditët e para kur erdhëm këtu as që e mendoja, por ja sot, erdhi dhe na gjeti ta papërgatitur andaj unë sot nuk mund të ndjehem i gëzuar, sot nuk mund ta ndjej atë gëzim të zakontë të ditës së xhuma, ditë feste në Medrese, se ne nuk u ngopëm me Medresenë, me profesorët e me shokët, shumë shpejt na ikën ditët, muajt e vitet duke u ankuar se nuk rrihet këtu dhe sot kur edhe ditarët më nuk na mbajnë, kur gjithçka po na drejton drejt largimit dhe ndarjes ne nuk duam një gjë të këtillë, duam ende të jemi nxënës, të rijmë ende ulur në bankat tona, ku jemi gëzuar kur kemi marrë notë të mirë dhe jemi pikëlluar kur kemi marrë notë të dobët, por realiteti dhe dëshirat janë larg njëri-tjetrës si lindja me perëndimin, si toka me qiellin.
Absolutizmi i takon vetëm All-llahut, vetëm Ai është i përkryer, kështu edhe ne domosdo të kemi mangësi, për 4 vjet ndonjëherë edhe jemi kundërshtuar mes veti, jemi hidhëruar me njëri tjetrin, kemi kërkuar anët negative të shokëve, të profesorëve e të Medresesë dhe jemi munduar t’ua zëmë atyre për të madhe ndonjë lëshim të vogël, apo ndonjë veprim të drejtë por që neve për momentin na është dukur i gabuar, por sot kur po na çelen sytë dhe shohim me sytë e zemrës e jo të ballit, gjithçka duket ndryshe, shikimi kalon mbi të gjitha mangësitë, vlerat dhe virtytet e shokëve, profesorëve dhe Medresesë po na shfaqen para sysh dhe mu kjo pamje na bën të mërzitemi, ta qortojmë veten që s’ditëm t’i dallojmë ngjyrat e bukura të kësaj pamje prej fillimi, por dikur gjithçka na dukej bardhë e zi.
Sado që të flas, sado të mundohem të gjej fjalë, që të jenë aq të fuqishme për të shfaqur atë që e ndjejmë unë dhe shokët e mi përbrenda, nuk gjej dot fjalë që ta bëjë këtë, shkalla sipërore më duket e ulët, sikur dua që për këtë rast, për këto ndjenja, të ketë edhe një shkallë më të lartë se vetë sipërorja, se ne jemi të pikëlluar, por ky pikëllim nuk është pikëllim sepse ne gëzohemi që sot jemi më shumë se kurrë “maturantë”, se ne jemi të gëzuar, por ky gëzim nuk është gëzim sepse neve sot na mërzit ndarja, nga Medreseja, nga profesorët, nga shokët e shumtë që ne i krijuam këtu, 3 gjenerata më të mëdhenj dhe 3 më të vegjël se ne, të gjithë i kemi shokë, me të cilët kemi ndarë dhomat e gjumit, kemi ngrënë së bashku, jemi argëtuar së bashku, me të gjithë na lidh dhe na i bashkon zemrat një emër i madh, emër që na fal identitetin, emër që bën të ndjehemi krenar, të pamposhtur, emër “medresant” që është gdhendur me shkronja të arta në zemrën e secilit prej nesh.
Sot kur po largohemi, për të filluar një jetë të re me kujtimin e të vjetrës, kemi kuptuar më mirë së kurrë vlerën e asaj që e lamë pas dhe po mundohemi të kthehemi në retrospektivë, ta kthejmë lentën prapa dhe të rikujtojmë këshillat e profesorëve, që më aq zell na mësonin si të jetojmë, na këshillonin si t’u bëjmë ballë sprovave dhe pengesave të jetës, se ata në mos tjetër i ka mësuar përvoja, se edhe ata kanë qenë medresantë dikur, edhe ata janë ndjerë dikur siç ndjehemi ne sot, andaj na japin këshillën më të sinqertë dhe ne ndonëse pak me vonesë, sot i kuptojmë fjalët e tyre dhe me gjithë zemër ju themi “faleminderit”. Ndoshta 4 vjet ishin pak që ne ta kuptojmë dhe ta njohim karakterin tuaj, ndoshta edhe ju për kaq kohë nuk arritët ta kuptoni e ta njihni karakterin tonë, mbase ende s’i kuptojmë ndjenjat e njërës e tjetrës palë, por të jeni të sigurt se sa herë që të hasim vështirësi në jetën tonë të mëtutjeshme do t’ju kthehemi fjalëve tuaja për këshillë, andaj All-llahu ju shpërbleftë për mundin tuaj!
Për ju shokë të dashur nuk kam fjalë tjetër pos t’ju them se ne sot po ndahemi, dallgët e jetës do të na hedhin na brigje të ndryshme, vetëm Zoti e di në do të takohemi sërsih dikur, por s’kemi ne forcë ta kundërshtojmë këtë ligj te jetës, duhet të pajtohemi me të, të pajtohemi me ndarjen, ta përcjellim pështymën sado e hidhur të jetë ngase All-llahu xh.sh. na tregon se: “Gjithçka din për zhdukje dhe fund, përpos Tij, Atij i takon gjykimi, tek Ai do te kthehemi…” por për të gjithë ju kam një porosi të vetme, mos lejoni që as lindja e as perëndimi, as largësia prej mijëra kilometrash që do të jetë mes nesh, t’ju bëj të harroni shoqërinë tuaj, të harroni medresenë, ju lus që të paktën për hir të lotëve që i derdhëm kur erdhëm e po i derdhim tani që po ndahemi në mos më shumë të na ruani si një kujtim të çmuar, në mos na i pafshi fytyrat, kthehuni kujtimeve dhe aty do të na gjeni, por mos e harroni kurrë këtë shoqëri që e krijuam në këtë fragment më të bukur të jetëve tona. Sot nuk është turp nga sytë të pikojnë lotë se edhe nga sytë e të Dërguarve kanë pikuar lotë, sot nuk është turp të qajmë për ndarjen, se zemrat që nuk qajnë për ndarjen, nuk mallëngjehen as për takimin…