BESIMI TE FALLXHORËT
--------------------------------------------------------------------------------
Islami e cilëson këdo që shkon te falltori duke besuar se ai di të padukshmen dhe të ardhmen, kafir (jobesimtar, mohues). Ebu Hurejra dhe Hasani [radijAll-llahu anhuma] transmetojnë nga i dërguari i Allahut, Muhamedi [sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem] se ai ka thënë: “Kushdo që i afrohet një fallxhori dhe beson çfarë thotë ai, ka mohuar atë që iu shpall Muhammedit [sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem]” (Imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe Bejhekiu). Një besim i tillë i jep krijesave disa prej cilësive të Allahut në lidhje me dijen e të padukshmes dhe të ardhmes. Pra ai rrëzon teuhidin Esmaa ues- Sifaat dhe paraqet shirk në këtë aspekt teuhidi. Për analogji në kufer përfshihet edhe leximi i librave ose shkrimeve të fallxhorëve, dëgjimi i tyre në radio ose shikimi në television sepse këto janë mjete më të zakonshme me anë të të cilave sot falltorët përhapin thëniet e tyre. Allahu thotë qartë në Kur`an se askush veç Tij nuk e njeh të padukshmen, bile as i dërguari I Tij, [sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem]. Allahu thotë:
“Çelësat e fshehtësisë janë vetëm te Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di askush përveç Tij…” (Kur`an: 6:59)
Allahu I ka thënë të dërguarit të Tij, Muhammedit [sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem]: “Thuaj: “Unë nuk kam në dorë për vetën time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, veç çfarë do Allahu. Sikur t’a dija të fshehtën, do të shumoja për vete të dobishmet e nuk do të më prekte gjë e keqe…” (Kur`an: 7:188).
Në një ajet tjetër thuhet:
“Thuaj: “Askush veç Allahut as në qiell, as në tokë nuk e di të fshehtën…”” (Kur`an: 27:65).
Prandaj të gjitha metodat e ndryshme që përdoren nëpër botë nga falltorët ose treguesit e fatit janë të ndaluara për muslimanët (p.sh. shikimi në filxhan të kafesë, hedhja e fallit me letra, horoskopi, orakulli etj.). Allahu thotë në Kur`an: “S’ka dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë kijameti, Ai e di kur e lëshon shiun, Ai e di se ç’ka në mitra e veç Tij nuk e di kush se çfarë do t’i ndodhë nesër, dhe askush nuk e di, veç Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. Allahu është më i Dijshmi, më i Njohuri” (Kur`an: 31:34)
Ne duhet të kemi kujdes me librat, revistat, gazetat apo edhe individët të cilët në një mënyrë ose në një tjetër, thonë që dinë të ardhmen ose të padukshmen. P.sh. kur një musliman që merret me parashikimin e motit parashikon shi, borë, ose kushte të tjera klimatike për të nesërmen, ai duhet të shtojë shprehjen “InshaAllah” (nëse do Allahu). Gjithashtu muslimania doktoreshë (mjeke) e informon pacienten e saj se ajo do të lind një fëmijë në 9 muaj ose në këtë apo atë ditë ajo duhet të shtojë “InshaAllah” sepse këto parashikime janë vetëm vlerësime të bazuara mbi informacionin statistikor.