Muzeu Britanik do të çelë një ekspozitë të madhe kushtuar haxhit, peligrinazhit islam në Mekë. “Haxhi, udhëtim në zemër të Islamit” do të bashkojë objekte historike dhe bashkëkohore, përfshi dorëshkrime, tekstile, objekte arkeologjike dhe fotografi. Kjo ekspozitë pritet të hapet në janar 2012 dhe do të ketë edhe punime të artistëve bashkëkohorë sauditë, ndër të cilët Ahmed Mater, i cili ka krijuar një instalacion me magnete dhe hekur për të simbolizuar qindra mijë haxhinj që shkojnë në Qabe dhe bëjnë tavafin. Zërat në dhomën e leximit do të japin idenë e të qenët në Mekë, sepse do të përçojnë lutjen që recitohet nga haxhinjtë kur bëjnë ritualet e tyre, ose “Lebejk”.
Drejtori i muzeut, Neil Macgregor, thotë: “Është e veçantë sepse është i vetmi aspekt i Islamit ku jomyslimanët nuk mund të marrin pjesë. Nuk është më thjesht një fenomen fetar, por edhe kulturor. Muzeu synon të prezantojë një lidhje mes besimit dhe shoqërisë”.
Kjo ekspozitë do të tregojë edhe anën logjistike të haxhit, që sipas Mecgregor është “ndër arritjet më të mëdha administrative në botë”. Ndonëse ritualet e haxhit nuk kanë ndryshuar në 1400 vite, vetë Meka është kthyer në një qytet modern.