Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| Titulli: NË PËRFUNDIM TË NJË VITI HIXHRIJJ Sat 26 Nov 2011 - 9:03 | |
| Sot është dita e fundit e vitit sipas kalendarit të myslimanëve, gjegjësisht sipas kalendarit hixhri, për zanafillën, historikun dhe detaje tjera të rëndësishme të të cilit, kemi folur edhe më parë, madje, falë ndihmës së Allahut, ajo temë bashkë me të gjitha temat tjera që janë publikuar për çdo javë në këtë gazetë janë përmbledhur dhe botuar në një libër të veçantë, të titulluar “Qëndrime në kohë.” Kësaj radhe, këtë datë të rëndësishme islame, do ta trajtojmë nga një këndvështrim tjetër. Njerëzit në përgjithësi, myslimanë e të tjerë, i gëzohen vitit të ri përkatës, mu për këtë edhe shumë prej tyre e festojnë. Në realitet, ka qenë dashur të jetë e kundërta, jo vetëm që mos ta festojnë, por edhe të mërziten e të brengosen, sepse me kalimin e një viti kalon edhe një vit nga jeta jonë, edhe një vit më afër vdekjes, një vit më përpara, një vit të kaloi të doli nga dora, më nuk do kesh mundësi ta kthesh asnjëherë deri në kiamet. Dhe lëre se kaloi një vit, por kështu po na kalojnë shumë vite, e viti është kohë, e koha është jeta jote dhe e imja, sa kohë kalon, aq pjesë nga jeta jonë kaloi. Njeriu e ka në dispozicion vetëm një jetë që është e përbërë nga disa vite, apo disa dekada, e që është një kohë e caktuar dhe e cila as nuk shtohet e as nuk pakësohet. Kjo jetë është pasuria më e shtrenjtë që e posedon njeriu, kështu i mençur është ai i cili ia di vlerën të shtrenjtës, e çmon atë... Për këtë arsye Islami i kushton kohës një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, saqë Allahu i Madhëruar edhe zotohet në kohë. Thotë Allahu: “Pasha kohën” (Kur’ani, el-Asr: 1.); “Pasha natën që me errësirë mbulon gjithësinë! Pasha ditën kur ajo shkrepëtin” (Kur’ani, el-Lejl: 1-2.); “Pasha agimin!” (Kur’ani, el-Fexhr: 1.), si dhe shumë e shumë raste tjera ku i Madhi Allah përmend kohën, ose zotohet në të, për t’ia kujtuar myslimanëve rëndësinë e madhe që ajo ka për ta. E në anën tjetër Pejgamberi Muhammed a.s. na porositë që ta shfrytëzojmë kohën në maksimum duke pasur parasysh vlerën e madhe që ka dhe se ajo kohë është jeta jote, është vepra jote, është fryti i juaj, është rezultati i punës suaj në bazë të së cilës vlerësohesh se a ke qenë i mirë apo i keq, i dëmshëm apo i dobishëm. E më pas sipas atyre veprave e punëve tua do të kesh vlerë në familje dhe në shoqëri, bile edhe në botën tjetër, për atë thotë Allahu xh.sh: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s'ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës” (Kur’an, el-Kehf: 30.) Ndërsa Pejgamberi a.s. thotë: “Shfrytëzoji pesë gjëra para se të vijnë pesë të tjera: rininë tënde para pleqërisë, shëndetin tënd para sëmurjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të zihesh dhe jetën para vdekjes.” Të gjitha këto janë pjesë e jetës sate të cilat po nuk i shfrytëzove të ikin, e dikur pendohesh por bëhet vonë. Sa plaku pendohet që nuk ka punuar mirë, apo që nuk ka kryer shkollë kur ka qenë i ri, por tash i është bërë vonë. Sa i sëmuri pendohet që nuk ka ditur ta ruaj shëndetin e tij dhe ta shfrytëzon atë si duhet, por tashmë i është bërë vonë. Sa i varfëri pendohet që nuk ja ka ditur vlerën pasurisë sa ka pasur dhe nuk e ka harxhuar aty ku duhet, por tashmë i është bërë vonë ... dhe kështu me radhë. Andaj kalimi i një viti ka domethënie më të madhe se thjesht të një feste. Një vit shumë kujt nuk i duket shumë, por aty janë 365 ditë e çdo ditë nga njëzet e katër orë, kështu nga ky prizëm kalkulimi kjo bënë shumë. Sa njeriu ka vdekur për një vit? A nuk kemi mundur që edhe ne të jemi nga ta? Po nëse nuk kemi qenë prej tyre gjatë këtij viti, atëherë kush na garanton se nuk do jemi prej tyre gjatë këtij viti, në prag të të cilit jemi tani. Sipas një statistike për çdo orë në botë vdesin rreth 6,178 njerëz. E vdekja vetëm një herë na vjen; ajo nuk përsëritët dy herë. Shumë shpejt kaloi një vit, kaluan edhe shumë vite, e kështu po kalon jeta krejt. Pa pyetni pleqtë se sa gjatë ju duken vitet që kanë jetuar, e do ta shihni se ç’përgjigje merrni. Do thonë: Sa hap e mbyll sytë na kaloi kjo jetë. Po -të nderuar- kjo është më se e vërtet. Është interesant se me kë të bisedosh ka për të thënë: shumë shpejt po kalon koha, shumë shpejt kaloi një vit. Po, ashtu është, koha kalon shumë shpejt, në veçanti në këtë kohë, sepse sa më afër kiametit, apo fundit të botës aq më shpejt kalon koha, aq më shumë humb bereqeti i kohës, aq më pak kanë njerëzit bereqet në punë. Kjo është e vërtetuar edhe me hadith të Profetit Muhammed a.s. Kaloi viti 1432 sipas kalendarit të musliamnëve, e që ky vit do të shënohet në histori si “vit i ndryshimeve” në veçanti në botën arabe. Gjatë do ta kujton historia “pranverën arabe” që tashmë veç është futur në fjalor dhe është bërë shprehje e përditshme. Ky vit –sipas mendimit tim- ka qenë viti më i bereqetshëm në botën islame që nga koha e rënies së kalifatit. Vit në të cilën miliona njerëz kanë filluar të marrin frymë lirshëm, ta adhurojnë Allahun të qetë, të jetojnë të sigurt e të lirë. Ende ka shumë punë për tu bërë atje në botën arabe, ende ka diktatorë e mizorë të cilët nuk kursejnë asgjë vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet, ende në shumë shtete gjaku i qytetarëve është shumë “i lirë”, por shpresat janë edhe më të mëdha. Dje, një prej këtyre diktatorëve famëkeq, Abdullah Salihi, president i Jemenit, dha dorëheqje, dhe kështu mizorisë iu shkëput dhe një hallkë, mbase prej të fundit që i kanë mbetur në vendet arabe. Le të shpresojmë se lajme të këtilla të mira do të na vijnë edhe nga Siria. Që nga nesër po futemi në vitin e ri 1433 e ta shohim se çfarë ndryshimesh e presin botën, se çka fshihet në dijen e Allahut, athua do të jemi gjallë edhe një vit, do të jetë ky vit më i frytshëm e më i begatshëm se viti paraprak? Këto dhe shumë gjëra tjera na mbetet t’i shohim, por gjithherë me shpresë dhe optimizëm se do të bëhet mirë, se do të punojmë më shumë e më mirë sesa që kemi punuar gjatë këtij viti që lamë pas. Lusim Allahun të jetë ashtu, për ne dhe për mbarë njerëzimin, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjerët selam alejkum. | |
|