Në vendet me orientim islamik biznesi bankar pa interesa është diçka e zakonshme. Në kohën e krizave ndërkombëtare financiare edhe në vendet në Perëndim, po mendohet si mund të funksiononte një sistem bankar etik.
Interesat janë të ndaluara, spekulimet tabu. Ndryshe nga biznesi konvencional bankar, banka e parë në Gjermani për myslimanë bazohet në rregullat e fesë islame. Sipas saj, është e ndaluar të marrësh apo paguash interesa, pasi kështu risku i biznesit peshon në mënyrë të njëanshme.
Ndarje e ndershme e riskut të biznesit
Kur dikush merr një kredi konvencionale, e mban gjithë riskun e biznesit vetë: nëse punët nuk shkojnë mirë, dhe pëson humbje, bankës duhet t’i paguash, veç këstit të shlyerjes së kredisë, dhe interesat. Kreditori, pra banka, duke marrë interesin, realizon fitim, megjithëse biznesi kredimarrës pëson humbje.
Kjo nuk është e pranueshme në fenë islame. Transaksionet me para kërkojnë këtu një shpërndarje të drejtë të riskut: banka “Kuveyt Türk” në Mannheim, biznesin e saj nuk e bën me interesa, por me financim pjesëmarrjeje në sipërmarrje. Nëse sipërmarrja realizon fitime apo pëson humbje, banka merr pjesë në çdo rast në to. Por disa degë janë të përjashtuara, thotë drejtori Ugurlu Soylu.
“Si bankë me pjesëmarrje, me këtë model specifik ne nuk lejohemi të përfshihemi në biznese që janë të lidhura me alkoolin, mishin e derrit, pronografinë apo industrinë e armatimeve. Gjithashtu të përjashtuara janë të gjitha bizneset që dëmtojnë të mirën kolektive”, thotë Soylu.
Një tjetër kriter që e dallon “bankingun islamik” nga biznesi i zakonshëm bankar është lidhja me ekonominë reale. Investuesit, të cilët duan të orientohen në rregullat islamike, duhet të investojnë në një produkt apo sipërmarrje reale. Çdo fluks pagesash duhet të jetë i lidhur me një të mirë reale.
“Kjo ka rëndësi të madhe makroekonomike: kështu sektori i kredisë rritet në përputhje me sektorin real dhe nuk krijohen flluska kredish”.
Vështirësitë në praktikë
Për klientët e bankës, që kanë nevojë për kredi, banka në Mannheim ofron dy mundësi: ose financon një projekt konkret, p.sh. një supermarket, përmes një pjesëmarrjeje në kapital, që do të thotë pjesëmarrje si në fitim ashtu edhe në humbje.
Ose në rast kredie për financimin e një imobilje, banka blen objektin e dëshiruar, dhe ia shet atë klientit me një çmimin që përmban edhe fitimin e bankës. Çmimi i blerjes mund të paguhet pastaj me këste.
Deri këtu ishte teoria, pasi në praktikë ka vështirësi të mëdha. Leila Momen, eksperte kontabël pranë “Ernst & Young”, shpjegon:
“Problemi është që kur vendos për një financim sipas modelit islamik, i cili ka formën e një transaksioni të dyfishtë blerje dhe shitje, duhet të paguash dy herë taksën e truallit, dhe kështu financimi bëhet mjaft i shtrenjtë. Pra në praktikë nuk është i realizueshëm për momentin”.
Korniza ligjore mungon
Korniza e rregullave për etablimin e një “bankingu islamik” nuk ekziston ende në Gjermani, ndryshe nga Britania e Madhe apo Franca. Megjithatë: autoriteti federal për mbikëqyrjen e sektorit financiar (BaFin) e sheh me dashamirësi zhvillimin e një biznesi bankar mbi baza etike.
Johannes Engels, referent për çështje ndërkombëtare pranë BaFin, shpjegon:
“BaFin merret intensivisht me “bankingun islamik” dhe në përgjithësi me biznesin financiar bazuar në fenë islame. Në maj të vitit të ardhshëm do të mbajmë një konferencë në Frankfurt për këtë. Tema është shumë e rëndësishme për ne, pasi mund të ofrojë rrugëzgjidhje në krizën financiare”, ka thënë Engels.
Sistemi aktual financiar, i cili e çoi botën në buzë të humnerës, më e vonëta që prej fillimit të krizës në vitin 2008, nuk është në gjendje të japë më përgjigje. Shkëputja nga ekonomia reale, e cila tronditi një sistem të tërë, ka bërë të reflektojnë edhe jomyslimanët.
Sipas drejtorit të bankës “Kuveyt Türk”, të interesuar për hapjen e llogarive pranë saj janë si të rinjtë me qëndrim kritik ndaj kapitalizmit, ashtu edhe pensionistë.
(DW)