Myslimanët shqiptarë vazhdojnë të solidarizohen në ndihmë të banorëve të izoluar nga dëbora në veri dhe juglindje të vendit
Si pasojë e kësaj situatë të krijuar Komuniteti Mysliman i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, që të japin kontributin e tyre për t’i ardhur në ndihmë këtyre banorëve.
Në kuadër të kësaj thirrje xhamia e Et’hem Beut, xhamia Dine Hoxha dhe xhami të tjera në kryeqytet kanë marrë një fushatë sensibilizuese, duke i bërë thirrje qytetarëve që të japin kontributin e tyre.
Për këtë ata kanë vendosur edhe një arkë ku çdo qytetar mund të hedhë kontributin e tij, kontribut i cili më pas do të trokasë në dyert e familjeve të izoluara për t’ia lehtësuar sadopak vështirësitë e këtyre ditëve të ftohta dimri.
”Ata janë në sprovë po edhe ne jemi sprovuar me ata se sa do t’ju gjendemi pranë”. Të gjithëve ju drejtohemi pa përjashtim që të vini dorën në zemër për njerëzit e ngujuar nga i ftohti dhe bora e të kontribuojmë me ç’të mundemi, rroba ushqime elektroshtepiake dhe vleftë monetare dhe jo vetëm kaq po edhe lutjet t’ia drejtojmë Zotit për të lehtësuar situatën e njerëzve në nevojë”. Me këtë mesazh imami i xhamisë Dine Hoxha në kryeqytet Ahmed Kalaja, i është drejtuar besimtarëve dhe qytetarëve të Tiranës, duke bërë thirrje kështu për nisjen e një Fushate Sensibilizuese Për Njerëzit në Nevojë.
Ndërkohë po në kuadër të kësaj fushate Myftinia Pukë dhe Myftinia Shkodër dy ditë më parë kanë shpërndarë ndihma të konsiderueshme në familje e izoluara dhe do vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme. Përfaqësuesit e këtyre myftinive kanë trokitur në dyert e banorëve të izoluar për t’i ndihmuar ato në këto ditë të vështira.Ndërkohë, veç të tjerash Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ka vënë në dispozicion të qytetarëve edhe një numër llogarie ku mund të dërgojnë kontributin e tyre:BKT 110000709, IBAN: AL 14 2051 1014 000709 CL TJCL ALLO, ku mund të dërgohen donacione me emërtimin “Kontribute për zonat e izoluara nga moti”.
Një pjesë e madhe e Shqipërisë vijon të jetë e mbuluar nga bora. Ndërsa në veri trashësia e saj vijon të sjellë probleme në qarkullim dhe emergjenca të shumta shëndetësore. Prej 15 ditësh, të izoluara mbeten dhjetëra fshatra në veri të vendit, kryesisht në Tropojë, Has, Pukë, Kukës, Malësi e Madhe, Dibër dhe Mirditë. /drita islame/