Tash e dymbëdhjetë vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, qytetarët e Kosovës dhe besimtarët myslimanë nuk kanë hapësira të mjaftueshme për kryerjen e riteve fetare islame. Kjo mungesë e hapësirës nuk është shfaqur tani, por shumë më herët, qysh në kohën e pushtimit serb. Meqë shqiptarët ishin të shtypur në të gjitha aspektet, nënkuptohet se nuk ka pasur mundësi dhe hapësirë që këto kërkesa t’i adresohen pushtuesit serb.
Me përfundimin e luftës në Kosovë, kuptohet se të gjithë shqiptarët shpresuan në një jetë më të mirë në të gjitha sferat e jetës, e ndër ta edhe praktikuesit e fesë. Por tani duket se jo të gjithë shqiptarët janë të barabartë, thua se shqiptarët nuk luftuan që një ditë të gjithë të jenë të lirë, por pjesërisht. Ata që janë ulur në ulëset e pushtetit që prej përfundimit të luftës më 1999 e deri më tani (tre Qeveri të ndryshme), po i shijojnë të mirat e lirisë dhe benifitet nga më të ndryshmet, ndërsa që të njëjtat liri nuk ekzistojnë edhe për shtresat e tjera të shoqërisë. Do të isha jo real nëse do të pretendoja se në Kosovë mungojnë vetëm kushtet për praktikimin e fesë. Zgjodha të shkruaj për këtë problematikë të caktuar, pa i harruar dhe mohuar edhe kushtet tejet të vështira të shtresave të tjera, mbi të gjitha të atyre që sakrifikuan më së shumti për këtë liri si familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës; e pastaj në gjendje shumë të rëndë janë edhe pensionistët etj..
Pas çlirimit, pritjet për hapësira dhe kushte më të mira vazhduan vit pas viti me pretendimet e politikanëve se të gjithë duhet përqendruar në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Këto ishin çështjet më madhore të shqiptarëve të Kosovës duke lënë mënjanë padrejtësisht të gjitha shtresat dhe problemet e tjera të popullsisë.
Më në fund erdhi edhe Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, gjëja më e dashur dhe më e kërkuar e shqiptarëve të Kosovës dhe padyshim se të gjithë ishim gëzuar për ëndrrën më të madhe, Kosovën shtet të pavarur. Tashmë po bëhen edhe katër vite të tjera që nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe akoma asgjë, sepse problemet vazhdojnë, vazhdojnë… dhe asnjëherë nuk kanë të ndalur.
Jo që kishim dyshuar ndonjëherë, por tanimë të gjithë e kemi të qartë se Udhëheqësit tanë pa dallim (komunalë apo shtetëror) bëhen të shurdhër e memecë kur bëhet fjalë për fenë dhe diskriminojnë padrejtësisht shumicën absolute të popullit (96%), asaj shumice dhe feje të cilës edhe vetë i takojnë.
Duke qenë se ekziston një numër i konsiderueshëm i xhamive, kërkesa për xhami të reja dikujt mund t’i duket absurde. Por a janë të mjaftueshme këto xhami që besimtarët t’i kryejnë obligimet fetare në kushte normale? Për këtë pyetje duhet bërë një analizë më e thellë e rrethanave në të kaluarën dhe në të tashmen.
Në të kaluarën, qytetet tona kanë pasur me qindra xhami, ndërsa tani numërohen me dhjetëra. Popullsia në qytetet e mëdha sidomos kryeqytet rritet shpejt. Lagjet e vjetra janë rrënuar e bashkë me to edhe xhamitë dhe si pasojë e kësaj besimtarët detyrohen ta falin namazin e xhumasë (ditën e premte) në temperatura tejet të ulëta gjatë dimrit dhe temperatura të larta gjatë verës. Xhamitë e ndërtuara gjatë kohës së Perandorisë Osmane janë të vogla dhe kanë qenë të mjaftueshme vetëm për numrin e banorëve të asaj kohe. Në fillim të shekullit të kaluar Prishtina nuk kalonte shifrën prej 20-30 mijë banorëve, ndërsa prej përfundimit të luftës më 1999 e deri më sot janë ndërtuar vetëm disa xhami, e në anën tjetër numri i banorëve thuajse është dhjetëfishuar në rreth 300 mijë banorë sa numëron sot Kryeqyteti i Kosovës. Andaj edhe me logjikën më të thjeshtë mund të kuptohet se ka disproporcion të madh mes numrit të xhamive dhe numrit të banorëve të qytetit. Situatë e ngjashme është edhe në qytetet e tjera të Kosovës, ndërsa ekzistojnë edhe fshatra të cilët nuk kanë fare xhami. Për shembull në Prishtinë Lagja Ulpiana nuk ka fare xhami ndërsa Lagja Dardania ka rreth 60 mijë banorë dhe ka vetëm një objekt të adaptuar në xhami për të cilin vetë qytetarët e paguajnë qiranë.
Mungesa më evidente është mungesa e xhamive të mëdha për kryerjen e riteve fetare të ditës së premte (falja e xhumasë) kur frekuentimi i xhamive arrin kulmin edhe në kushte ekstreme atmosferike (shi, borë, akull, baltë si dhe temperatura të larta gjatë verës).
Në shenjë revolte ndaj këtij diskriminimi, qytetarët sikur t’i kishte sinkronizuar dikush shfrytëzuan këtë kohë me borë për të ndërtuar dhjetëra xhami prej bore anekënd qytetit të Prishtinës. Këto xhami simbolike prej bore nuk u ndërtuan që ndokush të falej në to por për t’u treguar të gjithëve se kryerja e obligimeve fetare në kushte ekstreme atmosferike tashmë është bërë e zakonshme për qytetarët e Prishtinës.
Nevoja për ndërtimin e xhamive lind nga realiteti dhe nuk ka prapavijë politike siç edhe është pretenduar shpeshherë nga mediat. Është kërkesë e thjeshtë si të gjitha kërkesat e tjera të njerëzve për planifikimin e lagjeve të reja për të pasur shkolla, parkingje, ambulanca etj.. Në këtë planifikim duhet të ketë edhe xhamia në mënyrë që besimtarët t’i kryejnë obligimet e tyre fetare në mënyrë humane dhe dinjitoze. Fundja këta banorë janë taksapagues të rregullt të shtetit dhe kanë të drejtë që në planifikimet e planeve urbane të kërkojnë ndërtimin e xhamive që janë pjesë e popullit dhe identitetit shqiptar për shekuj me radhë.
Institucionet dhe udhëheqësit tanë nuk duhet të kenë frikë nga xhamia. Ajo nuk shërben vetëm për ta mësuar dhe praktikuar fenë, por në xhami po ashtu njerëzit socializohen mes tyre dhe mësojnë moralin, shkencën, ruajtjen e traditave dhe shtetit. Aty nisen dhe krijohen projektet dhe kontributet për të mirën e popullit siç edhe ka ndodhur në të kaluarën. Madje deri dje në kushte të vështira në Kosovë, xhamia përdorej si vend i arsimimit dhe edukimit. Andaj udhëheqësit duhet të jenë mirënjohës ndaj rolit të xhamive e t’i ofrojnë mundësi besimtarëve që të gëzojnë xhami të reja.
Mos ndoshta gjatë stinës së verës qytetarët duhet të ndërtojnë xhami prej baltës apo rërës për ta pasqyruar mungesën e hapësirës për kryerjen e obligimeve fetare.
Të shkosh drejt Evropës nuk do të thotë të jesh antifetar, sepse Evropa respekton të drejtat themelore të të gjitha besimeve e në veçanti të pakicave minoritare. Imagjinoni, si do të hyjë Kosova në BE duke diskriminuar shumicën! Es selamu Alejkum...