Qendra Kulturore Islamike Shqiptare në Tompkinsville të Staten Island qe një nga zonat që Departamenti i Policisë së Nju Jorkut e mbajti nën vëzhgim të gjatë në përpjekje për të luftuar terrorizmin, bëri të ditur agjencia e lajmeve Associated Press, transmeton Shqip.com .
Departamenti i Policisë e pati shënjestruar këtë zonë për shkak të “fluksit të lartë” të emigrantëve shqiptarë nga Mali i Zi, Kosova dhe në një “përqindje më të ulët”, nga Shqipëria. Raporti sekret i policisë thotë se “bizneset shqiptare” qenë përqendruar përgjatë bulevardit “Victory” dhe përfshinte klube, dyqane ushqimesh hallall etj, që frekuentoheshin përgjithësisht nga burra shqiptarë pas faljeve. Xhamia që gjendej në numrin 307 të bulevardit Victory, qe mbajtur nën vëzhgim.
Në seksionin mbi këtë vëzhgim, policia thotë: “Imami ka mundësi të ketë lidhje me xhaminë Al-Faruk në Bruklin” dhe “komuniteti shqiptar pretendon se ka grumbulluar 5 milionë dollarë për xhaminë në vitin 1990.” Sipas policisë, vizitorët këtu janë myslimanë suni.
Gjashtë biznese në Tompkinsville janë listuar gjithashtu si të mbajtura nën vëzhgim. Ato janë biznese shqiptarësh si Video Ulqini, , Emil's Halal Meats, Rey's Pizza, V & A Deli & Grocery dhe Giannini Hair Salon.
Pas zbulimit të raportit nga media amerikane, disa komunitete myslimanësh dolën në protestë kundër vendimit të policisë për të mbajtur nën vëzhgim zona të tëra. Një nga grupet e protestuesve lëshoi një deklaratë ku kërkoi që Departamenti i Policisë të pranojë se veprimet e saj qenë së paku të gabuara, ndonëse jo të paligjshme.
Këshilli i Marrëdhënieve Amerikano-Islamike i kërkoi të premten administratës së Presidentit Obama të marrë në shqyrtim zbulimin e faktit që Departamenti i Policisë të Nju Jorkut ka mbajtur nën vëzhgim një numër biznesesh bazuar te argumenti i vetëm se ato biznese qenë nën pronësinë e myslimanëve.
Sun 11 Mar 2012 - 15:49 nga Jasemina