Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi u vlerësua nga Universiteti Ajdën i Stambollit (İAÜ) me titullin "Doktor Nderi" në fushën e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë në Konferencën e Liderëve, organizuar në Stamboll nga Unioni i Universiteteve Evroaziatike (EURAS) dhe Universiteti Ajdën i Stambollit, ku mbajti një ligjëratë me temë "Transformimi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në 20 vitet e fundit në drejtim të zhvillimeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit në fushat arsimore dhe kulturore me Shqipërinë".
Krahas Kreut të Shtetit të Shqipërisë, të pranishëm në këtë konferencë ishin Ministri i Integrimit Evropian dhe Kryenegociatori i Turqisë, Egemen Baësh, Presidenti i Bordit Administrues të Universitetit Ajdën të Stambollit, Mustafa Ajdën, Rektori i İAÜ-së, Prof. Dr. Jadigar Izmirli, akademikë dhe studentë.
Ministri i Integrimit Evropian dhe Kryenegociatori i Turqisë, Egemen Baësh, gjatë fjalimit të tij vuri theksin në miqësinë dhe vëllazërinë historike mes popullit turk dhe atij shqiptar.
"Turqit dhe shqiptarët janë vëllezër prej shekujsh, janë dy popuj në solidaritet prej qindra vjetësh dhe jemi të bindur që kjo miqësi, vëllazëri dhe mbështetje reciproke do të vazhdojë edhe përgjatë shekujve të ardhshëm. Unë, me porosinë e veçantë të Kryeministrit Rexhep Tajip Erdoan, duke zhvilluar negociatat për anëtarësimin e Turqisë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, përpiqem me të gjitha mundësitë që të mbështes edhe procesin e integrimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë dhe Kroacisë, pasi Turqia i kushton rëndësi aspiratës së drejtë të këtyre vendeve po aq sa edhe anëtarësimit tonë në BE. Sepse ne Bashkimin Evropian e vlerësojmë si një projekt paqeje. Nëse sot, brenda hapësirës gjeografike të BE-së, mund të jetojnë në paqe dhe qetësi vende që kanë luftuar për shekuj me njëri-tjetrin - si Anglia me Francën dhe Gjermania me Italinë - atëherë ky projekt paqeje, më tërësori i historisë së njerëzimit, është vërtetë me rëndësi të madhe që të përqafojë edhe të gjitha vendet e Ballkanit; ne i kushtojmë shumë rëndësi anëtarësimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Por jo vetëm kaq, sepse krahas vendeve ballkanike, me anëtarësim edhe të Turqisë në Union, ky projekt kontinental paqeje do të kthehet në një projekt global paqeje", tha z. Baësh.
Ndërsa Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi vuri në dukje se marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë shkojnë përtej "miqësisë". Ai përmendi kontributin e madh të Ankarasë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe nënvizoi se kjo mbështetje nuk do të harrohet kurrë.
Duke dhënë informacione rreth ish-regjimit 45-vjeçar komunist në Shqipëri, z. Topi sqaroi se deri 20 vite më parë Shqipëria ishte një vend politikisht dhe ekonomikisht i izoluar nga e gjithë pjesa tjetër e botës. Madje - theksoi ai - "në ato vite ishte e ndaluar të dilje jashtë kufijve të Shqipërisë dhe të praktikoje besimet fetare."
Presidenti Topi, i cili tërhoqi vëmendjes se një nga çështjet më kryesore të viteve të fundit për Shqipërinë dhe Turqinë është integrimi evropian, vijoi me këto fjalë: "Vendet, që duan ta arrijnë me sukses këtë objektivë, përpiqen me të gjitha forcat dhe përparojnë me hapa të sigurt drejt zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Nëse duhet të flas për vendin tim, gjatë 20 viteve të fundit janë shënuar zhvillime të mëdha. Sot Shqipëria, ku në vitin 1990 mbisundonte regjimi totalitar, është një ndër 28 vendet anëtare të NATO-s."
Në fund të ligjëratës, Presidenti Topi, duke shprehur “interesin dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë aktive në nisma e projekte konkrete bashkëpunimi në të gjitha aspektet e bashkëpunimit kulturor e arsimor”, vlerësoi “frymën e veçantë të miqësisë historike dhe partneritetin strategjik me Turqinë, si një vend mik, me lidhje të forta historike dhe aktuale, një vend dhe një popull tek i cili kemi gjetur e gjejmë përherë një mik të madh e të sinqertë të popullit dhe të kombit shqiptar”.
Ndërkaq, gjatë ligjëratës së tij z. Topi u ballafaqua me një surprizë të studentëve shqiptarë dhe atyre turq, të cilët hapën flamujt kombëtar të Turqisë dhe Shqipërisë, duke bërë kështu që salla të shpërthente në duartrokitje.
Në përfundim të “Konferencës së Liderëve’’ Presidenti Topi iu përgjigj disa pyetjeve të studentëve të pranishëm lidhur me zhvillimet në Shqipëri, qëndrueshmërinë në rajonin ballkanik dhe efektet e krizës ekonomike në rajon.
Pas fjalimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë studentët e Modës pranë Universitetit Ajdën të Stambollit organizuan një sfilatë me temë "Dielli Lind nga Mali Nemrud". Në fund Prof. Dr. Bamir Topi u vlerësua me titullin "Doktor Nderi" në fushën e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare./trt/