Ishte një zhvillim i paparashikuar që produktet hallall në Francë, të shndërroheshin në kurban që Sarkozi i ofron therrtores së djathtës ekstreme për zgjedhjet presidenciale.
Produktet hallall janë shndërruar në një debat kryesor gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Francë. Sarkozi e ka përdorur këtë çështje për të fituar votat e të djathtës ekstreme, e cila ka manifestuar qartë alergji ndaj komunitetit mysliman.
Më parë, Sarkozi pati refuzuar një kërkesë nga komuniteti mysliman që produkteve të mishit hallall, tu vihej një shenjë e cila tregonte se është therrur sipas dispozitave islame. Por, më pas ai pati deklaruar se:”Mishi hallall renditet tek produktet për të cilat populli frances tregon interes.”
Kreu i Frontit Kombëtar Marine Le Pen, nga ana e saj gjeti moment te përshtatshëm për tu shprehur se:”Të gjitha therrtoret në Francë respektojnë therjen hallall dhe se francezët e konsumojnë këtë mish pa e ditur. Të gjitha thertoret tona në Paris i janë nënshtruar kritereve të një pakice, gjë e cila na shqetëson.”
Sipas saj, myslimanët po i detyrojnë parisienët dhe miliona turistë të huaj të konsumojnë mishin hallall të cilin e therin sipas normave të sheriatit islam.
Kurse Fransua Holland, kandidati i partisë socialiste e akuzoi Sarkozin se po rreket të fitojë votat e frontit kombëtar duke u fokusuar tek produktet e mishit hallall, gjë të cilën e konsideroi si ngushtim të lirisë së myslimanëve. Ai bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe për të mos rrëshqitur në deklarata të tilla negative. Ai tha se në këtë kontekst, ne duhet të tregojmë interes më shumë që kafsha të vuajë sa më pak, pa marrë parasysh traditat islame qofshin apo joislame.
Kryeministri frances Fransua Fillon propozoi që myslimanët dhe hebrenjtë të heqin dorë nga mënyra tradicionale e therjes së kafshëve, duke shtuar se:”Nuk mund të bëjmë më shumë aktualisht në një shtet të shkencës, teknologjisë dhe problemeve shëndetësore.”
Por Richart Brasquir, kryetar i Këshillit Përfaqësues të institucioneve hebraike, shprehur indinjatën e tij të thellë lidhur me propozimin e Fillon, të cilin krerët e bashkësive hebraike dhe myslimane e ftuan për tu ulur për bisedime lidhur me këtë çështje.
Myslimanët ndihen të lodhur dhe të shqetësuar nga fakti që shndërrohen në dash kurbani sa herë që organizohen zgjedhje në vend. Ata e konsiderojnë tepër të rrezikshëm shfrytëzimin e produkteve hallall për qëllime politike. Muhamed Musevij, kreu i këshillit francez për fenë Islame, shprehu shqetësimin e tij duke thënë se:”Kjo krijon shumë tensione në shoqëri.”
Vlen të themi se produktet e mishit hallall kanë lulëzuar dhe janë sa të njohura aq dhe të kërkuara nga vetë konsumatorët francezë, sidomos shkollat, spitalet, restorantet dhe kompanitë ushqimore. Edhe pse komuniteti mysliman në Francë është diku tek 5 milionë, kërkesa për produkte të mishit hallall është dy herë më shumë. /ardhmeriaonline/