208 metra katror dyqane me çmim prej 1500 euro për metër katror do të shes komuna e Tetovës. Nga kjo shitj Komuna do të arkëtojë të paktën 312 mijë euro që do të destinohen për rindërtimin e tubacionit nga Leshnica deri në Tetovë. Me 26 vota për dhe 4 kundër këshilltarët e miratuan edhe këtë pikë të rendit të ditës, por me vërejtje që çmimi fillestarë të jetë 1500 euro për metër katror dhe kryetari i këshillit, Irfan Emini të jetë anëtarë i Komisionit që do të vendosë për shitjen. Kjo pikë e rendit të ditës shkaktoi debate të ashpra. Pjesa më e madhe e kuvendarëve kërkuan që të saktësohen mirë hollësitë rreth shitjes dhe destinimi i parave.
“Pa llogari dhe analizë për shpenzimin e parave, përkatësisht për çka do të destinohen, grupi i kuvendarëve të VMRO-DPMNE-së nuk e mbështet këtë vendim”, deklaroi Miroslav Koçoski, VMRO-DPMNE.
Nga PDSH i porositën që të mos dyshojnë në atë sesi do të shpenzohen mjetet sepse do të jenë të destinuara për të mirën e qytetarëve.
Mirëpo, kreu i këshillit, Irfan Emini, thotë se ai dhe grupi i tij i kuvendarëve druajnë se mjetet në vend se për ujësjellësin të përdoren për pagimin e borxheve të vjetra të ndërmarrjes komunale publike.
Përpos këtyre mjeteve nga shitja e dyqaneve, komuna do të merrë një kredi prej 1.5 milion euro dhe të gjitha mjetet do të jenë për rindërtimin e tubacionit të filluar. Për tu realizuar ky investim kapital nevojiten rreth 2.2 milion euro. Nga ministria e financave thonë se komuna do të duhet ta presë edhe qëndrimin e tyre rreth marrjes me borxh tek banka komerciale. Ndonëse ligji thotë se komunat kanë të drejtë të marrin me borxh, megjithatë kushtet me të cilat do të bëhet kjo duhet t’i lejojë edhe ministria e financave. Verica Pavlloski