Tetova vazhdon të përballet me mungesën e ujit të pijshëm përkundër premtimeve të shumta të autoriteteve për zgjidhjen e këtij problemi jetik. Për lagjet e epërme të qytetit ujë ka vetëm në orët e hershme të mëngjesit edhe atë jo më shumë se një orë e gjysmë. Banorët furnizimin me ujë e bëjnë me mbushjen e bidonëve nga rezervuari, por edhe ka filluar të zbrazet thotë Rraman Ibraimi, drejtues i këshillit banesor. Ai për gjendjen e vështirë të furnizimit fajëson edhe banorët.
“Është problem I madh sepse harxhohet uji pa lidhje për ujitje për larje , kohën e dimrit del por tash si fillojnë ti ujisin kopshtet vjen deri te mungesa. Do kisha apeluar deri tek pushtetarët lokal nëse nuk kanë mundësi politike apo financiare ta bëjnë vet le të kërkojnë ndihmë nga pushteti qendrorë që vitin e ardhshëm mos e kemi këtë problem”, u shpreh Raman Ibraimi, Këshilli i Banesës.
Qytetarët shprehen të revoltuar, atyre nuk iu intereson nëse problem qëndron tek pushteti lokal apo ai qendror. Ata kërkojnë zgjidhjen e problemit.
“Me ujin jemi katastrofë, ditën mbushin, në mbrëmje në ora gjashtë ndalet dhe lëshohet në ora 5 në mëngjes”.
“Mundohen përmes restrikcionit të arrijnë diçka, mirëpo nuk jemi të kënaqur me furnizimin me ujë”
“Ndonjëherë ka ndonjëherë jo, si e bëjnë ata, mbushim çfarë do bëjmë s’kemi tjetër rrugëdalje”.
“Me ujë dobët jemi sidomos pjesa e epërme , s’ka ujë një orë dy dhe aq luftë bëjmë me bidonë me kova”.
Por ndryshe nga banorët,drejtuesit e ndërmarrjes publike thonë se situata ka filluar të përmirësohet dhe se së shpejti sipas tyre dhe restrikcioni nuk do të ketë më shumë se dy orë në ditë.
“Situata është përmirësuar dukshëm dhe jam i gëzuar ti lajmëroj qytetarët se sot është bë shtimi i sasisë së ujit në 147 litra ujë në sekondë dhe për 3 apo 4 ditët e ardhshme do arrihet kapacitet i plotë ku qytetarët ditëve të ardhshme do jenë të furnizuar në mënyrë të bollshme me ujë për pije sepse ua kemi borxh”, deklaroi Ajet Murati, drejtor i NPK Tetova-Tetovë
Sipas shpjegimeve të Ndërmarrjes Publike, mungesa e ujit vjen si pasojë e fenomenit që paraqitet prej 10 vjetësh tashmë, rënies së nivelit të ujit në rezervuare. Zgjidhja e pjesshme e problemit sipas drejtuesve të ndërmarrjes shihet në ndërtimin edhe të katër rezervuarëve të reja në malin Sharr. Bashkim Sulejmani