Sipas qeverisë Gjermane më shumë se 20.000 viktima të abuzimeve seksuale janë marrë në pyetje në kuadër të konsultimeve.
Kisha katolike gjermane është tronditur nga një skandal i ri pedofilie. Imzot Stephan Ackermann, i ngarkuar nga Konference e peshkopatës gjermane të hedhë dritë rreth abuzimeve seksuale ndaj të miturve, kishte premtuar “tolerancë zero” për kriminelët seksualë brenda kishës. Mirëpo, në dioqezën e tij peshkopi po fshihte ish-pedofilë, njofton javorja “Der Spiegel”.
Të paktën shtatë priftërinj pedofilë ushtrojnë nga një detyrë aty, thekson “Spiegel”. Sipas magazinës, është e pamundur që imzot Ackermannn të mos ketë qenë në dijeni. Tre priftërinj tashmë janë dënuar nga drejtësia. Një profesor internati kishte detyruar një nxënës të kryente marrëdhënie seksuale dhe dy të tjerë janë akuzuar për posedim të fotografive pedo-pornografike.
Dioqeza e Trierit, e cila nuk pranon ta tregojë numrin e saktë të kriminelëve seksualë aktivë në famullitë e saj, e minimizon aferën. Të punësuar për detyra “të dorës së dytë”, këta burra nuk janë më në kontakt me të miturit dhe kisha i vëzhgon nga afër.
Megjithatë, afera i ka tronditur asociacionet për mbrojtjen e viktimave të abuzimit. “Peshkopi Ackermann vazhdon t’i lërë të punojnë ish dhe dhunuesit e mundshëm”, thekson Thomas Schnitzler, një zyrtar i asociacionit të viktimave “MissBit” për “Der Spiegel”. “Rreziku që u kanoset fëmijëve është absolutisht tejet i madh”.
Gjatë vizitës së tij në Gjermani në shtatorin e kaluar, papa Benedikti XVI kishte takuar viktimat e priftërinjve pedofilë dhe u ka shprehur keqardhjen e tij të madhe.
Kisha katolike gjermane qe tronditur më 2009 nga një varg zbulimesh të fakteve rreth abuzimeve seksuale brenda institucioneve të saj.
Gjithçka kishte nisur kur kryesori nga kolegjet prestigjioze jezuite Canesius i Berlinit u kërkoi falje ish nxënësve për keqtrajtimet e shkaktuara nga mësimdhënësit e shkollës. Duke thyer murin e heshtjes, letra kishte nxitur një varg zbulimesh të fakteve të këtyre keqtrajtimeve, madje edhe të natyrës seksuale.
Të rajoneve të ndryshme të Gjermanisë, viktimat kishin thirrur në një “hotline”, të vënë në funksion nga kisha gjermane. Në janar, qeveria federale ka vendosur t’i propozojë çdo personi që gjatë fëmijërisë ka qenë viktimë e keqtrajtimeve në shkollat katolike të vendit, nga një terapi në vlerë 10.000 euro, të financuar nga një fond i ngritur për t’iu përgjigjur skandalit të pedofilisë. Ky fond, prej 100 milionë eurosh, është fryt i dhjetë muaj konsultimesh ndërmjet qeverisë, viktimave dhe zyrtarëve të kishës.
Sipas qeverisë, më shumë se 20.000 viktima të abuzimeve seksuale janë marrë në pyetje në kuadër të konsultimeve.
Në shtator, Papa kishte siguruar asociacionet e viktimave se zyrtarët e kishës “po punojnë në ndriçimin e delikteve të abuzimit seksual dhe se po përpiqeshin të përkrahnin masa efikase për mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve”. Akuzimi i imzot Ackermannit, përgjegjësi kryesor i dosjes, është një goditje tepër e rëndë për kredibilitetin e kishës. /lefigaro/zeri/