Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| Titulli: Kardavi: Lejohet transplanti i organeve nga një jomysliman tek një mysliman dhe anasjelltas Thu 22 Mar 2012 - 21:42 | |
| Dr. Jusuf Kardavi, kreu i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë, e lejon heqjen e pajisjeve të reanimacionit nga një i sëmurë që nuk pritet të shërohet dhe që me ti hequr këto pajisje, ndahet nga kjo jetë. Ai e konsideron një akt të tillë si rehati për të sëmurin dhe për familjen e tij. Nga ana tjetër, ai e konsideroi të papranueshme dhe një akt shumë të rëndë eutanazinë, injektimin e lëndëve që shkaktojnë vdekjen e pacientit me pretekstin për ta rehatuar nga dhimbjet e sëmundjes.
Karadavi sqaroi se dhurimi i organeve është një akt i lejuar, nëse respektohen disa kritere. Por ai e konsideroi haram, të ndaluar kategorikisht, shitjen e organeve. Ai tha se kriteret e dhurimit të organeve janë: Organi të mos shkaktojë gjymtim të njeriut si në rastin e syrit. Nuk dhurohen organet që mbajnë karakteristika gjenetike siç janë testikujt apo vezorja për femrat. Po ashtu, një kriter i rëndësishëm është që dhuruesit të mos i rrezikohet jeta.
Shejh Karadavi e lejon transplantin e organeve nga një jomysliman tek një mysliman, ashtu siç lejon dhurimin e organeve të një myslimani për një jomysliman. Ai tërhoqi vëmendjen se organet e trupit, të një myslimani qofshin apo të një jomyslimani, konsiderohen myslimane dhe madhërojnë Zotin.
Këto deklarata shejh Kardavi i ka bërë gjatë një emisioni televiziv, ku gazetari i drejtoi pyetjet e mëposhtme:
Gazetari:”Fillimisht, duam të na sqaroni se çfarë nënkuptohet me transplant të organeve, para se të flasim nëse lejohet apo jo!”
Shejh Kardavi:”Filloj me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, paqja dhe salavatet ia dedikoj zotërisë tonë, liderit, modelit, të dashurit dhe mësuesit, profetit Muhamed a.s, shokëve dhe atyre që ndjekin udhën e tij.
Zoti e krijoi njeriun dhe e nderoi atë, duke e bërë të aftë të mësojë. Thotë Zoti në Kuran:”Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.” (Nahl, 78)
Bazuar në këtë, njeriu ka mësuar gjatë historisë shumë të fshehta universale. Çdo kohe dhe zamani, ai i shton informacione të reja, të cilat janë akumuluar në histori dhe na kanë lënë një trashëgimi tepër të pasur. Thotë Zoti i lartësuar lidhur me njeriun:” ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” (Alak, 5)
“Ai krijon edhe gjëra që ju nuk i dini.” (Alak, 8)
Me zhvillimin e shkencave të ndryshme, paralelisht është zhvilluar dhe ka ecur përpara dhe mjekësia, saqë sot flasim dhe për transplant organesh. Me transplant organesh, kuptojmë marrjen e një organi nga një person i gjallë apo i vdekur – në formën e dhurimit – dhe implantimi i tij tek një person i cili ka nevojë. Nëse organi merret nga një i vdekur, është kusht që ai ta ketë dhuruar para vdekjes, ose ta bëjë dhurimin e organit familja e të vdekurit. Megjithatë, kjo vlen për disa organe dhe jo për të gjithë organet.
Dhurimi i organeve
Gazetari:”Na tregoni diçka mbi gjykimin fetar lidhur me implantimin e organeve!”
Shejh Kardavi:”Së pari, duhet të dimë se ekzistojnë organe të cilat nuk lejohet të transplantohen, nga një i gjallë tek një i gjallë tjetër, siç janë organet teke, zemra dhe mëlçia, pasi kjo shkakton vdekjen e personit dhurues. Po ashtu, nuk lejohet dhurimi dhe transplantimi i organeve që gjymtojnë dhuruesin. Prandaj, nuk lejohet dhurimi i syrit duke e lënë personin qorr, nuk lejohet dhurimi i këmbës etj... Dhurimi i organeve kufizohet vetëm për organet dyshe, ku nëse dhurohet njëri, tjetri vazhdon kryerjen ne funksionit, pa rrezikuar jetën e dhuruesit.
Bazuar në këtë, dhuruesi duhet të gëzojë shëndet të plotë, sidomos lidhur me organet që cenohen nga dhurimi. Organi që do të mbetet, duhet të funksionojë sa më mirë. Për shembull, thuhet se njeriu mund të jetojë qoftë dhe me 1/6 e veshkës dhe në këtë rast, nuk ka asnjë problem që atij ti merret njëra veshkë.
Ka organe të tjera që nuk lejohet të tranplantohen as nga një i gjallë tek një i gjallë dhe as nga një i vdekur tek një i gjallë. Këtu hyn transplanti i aparatit riprodhues dhe organeve gjenitale. Nuk lejohet transplanti i organeve që transmetojnë gjenet, siç janë kromozomet, testikujt tek meshkujt dhe vezorja tek femrat. Kjo, pasi këto organe përmbajnë kodin gjenetik të familjes.
Duke përjashtuar këto organe që përmendëm, lejohet transplanti i organeve të tjera nga një i gjallë tek një tjetër, me kusht që të bëhet nëpërmjet aktit të dhurimit, jo shitje-blerjes. Në disa vende janë krijuar tregje ku organet e njerëzve shiten si të ishin mallra të rëndomtë. Ashtu siç kemi mafien e organeve, të cilët rrëmbejnë fëmijë thjesht për tu marrë organet e për t’ua shitur.
Prandaj, në raste të tilla vihet theksi që organet duhet të jenë të dhuruara, jo të blera. Sipas studiuesve dhe fakihëve, shit-bjerja është një akt shkëmbimi i një prone me një pronë, me aprovimin e të dy palëve. Sakaq, njeriu nuk është pronë. Zoti e ka nderuar njeriun, gjë të cilën e cek dhe në Kuran ku thotë:” Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit” (Isra, 70)
Zoti i ka shpallur njeriut libra të shenjtë, i ka dërguar profetë, e ka ngarkuar me përgjegjësi. Prandaj, ai nuk mund të konsiderohet si një mall që blihet e shitet.
Gazetari:”Disa dijetarë dhe studiues mendojnë se transplanti i organeve nuk është i lejueshëm. Ata e ndalojnë diçka të tillë sido të realizohet, nëpërmjet dhurimit apo shitjes.”
Shejh Kardavi:”Po. Prej këtyre dijetarëve është dhe shejhu Muhamedd Sharavi, Zoti e mëshiroftë, i cili ishte kundër dhurimit të organeve. Ai thoshte se fiziku i njeriut është pronë e Zotit, prandaj nuk mund të dhurohet. Për fat të keq, disa njerëz e kanë sulmuar dhe kritikuar ashpër shejh Sharavin për këtë mendim, i cili në fund të fundit ishte thjesht një mendim. Ata thoshin se shejh Sharavi po mban qëndrim në dëm të njeriut. Në librin tim “Fetva bashkëkohore” unë i kam kthyer përgjigje shejh Sharavit duke i thënë se:”Çdo dijetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij, me të cilin mund të pajtohemi ose jo. Unë i thashë se fiziku i njeriut është pronë dhe krijesë e Zotit, ashtu siç besojmë se pasuria e njeriut është sërish pronë e Zotit. Njeriut i është besuar mbarëvajtja dhe përkujdesi për pronën e Zotit. Thotë Zoti në Kuran:”Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe shpenzoni nga ato që Ai jua ka lënë trashëgim” (Hadid, 7)
“Jepuni diçka nga pasuria juaj, të cilën ju ka dhuruar Allahu.” (Nur, 33)
“Pa dyshim, Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë.” (Nur, 64)
“I Allahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën.” (Shura, 49)
Nga këto ajete kuptojmë se çdo gjë i përket Zotit, është pronë dhe krijim i Tij. Ai na ka dhënë të drejtën të përfitojmë nga krijesat e Tij. Ai na ka dhënë të drejtën të përdorim këtë fizik që kemi, pa asnjë kufizim dhe pa kushte. Një nënë, ka të drejtë tu ushqejë nga qumështi i saj foshnje të tjera. Po ashtu, dikush që mundet, mund të dhurojë gjakun e tij, për të shpëtuar jetë njerëzish, gjë të cilën e kanë lejuar dijetarët myslimanë dhe e kanë konsideruar si sadakanë më të vlefshme. Kjo, pasi duke dhuruar gjak, ne shpëtojmë jetë njerëzish, jeta e të cilëve nuk mund të shpëtohet pa këtë gjak.
Bazuar në këtë, nuk prish asnjë punë nëse dikush dhuron një organ të tij, heqja e të cilit nuk i shkakton probleme, për t’ia dhuruar dikujt tjetër që ka nevojë. Një herë, një grua më pyeti:”Motra ime ka nevojë urgjente për një veshkë. Unë jam gati t’ia dhuroj, por im shoq nuk e pranon këtë dhe më thotë se kur jemi martuar kam pranuar për bashkëshorte një grua me dy veshka, tani nuk e dua gruan vetëm me një veshkë. E ku e di unë, që veshka tjetër nuk do të sëmuret?” Ky bashkëshort, ka të drejtë dhe refuzimi i tij duhet të merret për bazë në raste të tilla.”
Vdekja e trurit
Gazetari:”A i lejohet dikujt që para se të vdesë, të lërë porosi që organet ti dhurohen dikujt, ose një institucioni?”
Shejh Kardavi:”Ky është burimi kryesor lidhur me transplantin e organeve, të cilët sigurohen nga leja e marrë gjatë jetës, për dhurimin e organeve, në raste aksidentesh. Kurse dhurimet e organeve, mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të nevojave. Kurse shumica e organeve merren nga personat e aksidentuar para se truri i tyre të ketë vdekur totalisht, ndërkohë që zemra u pulson. Në këtë rast, atij i merren organet e sakta për transplant, si zemra, mushkëritë, dy veshkat...
Fetvaja e transplantit të organeve, bazohet në fetvanë për vdekjen e trurit. Këtë temë e ka studiuar imtësisht Organizata Islame e Shkencave të Mjekësisë në Kuvajt. Për çështje të ndryshme, ajo mbledh studiuesit myslimanë dhe studiues të mjekësisë të cilët ua shtjellojnë çështjen në mënyrë të detajuar dijetarëve myslimanë. Mandej, të dy palët e diskutojnë derisa të arrihet në një vendim dhe gjykim të pleqëruar mirë. Vetë Konferenca Islame ka organizuar simpoziume të shumtë, ku kam marrë pjesë dhe vetë personalisht. Ndër këto simpoziume, mund të cek atë të fillimit të jetës dhe përfundimit të saj, vdekjes së trurit etj... Simpoziumi mbi vdekjen e trurit, u mbyll me konkluzionin se Sovrani nuk na e ka përcaktuar çfarë është vdekja. Më parë, njerëzit e përkufizonin vdekjen si ndalim të zemrës, edhe pse ndonjëherë zemra ndalon dhe njeriu vazhdon tëjetë gjallë, saqë ka njerëz që janë ngritur nga arkivoli.
Prandaj, Konferenca Islame ka marrë një vendim, me të cilin është prezantuar dhe Akademia e Fikhut Islam, e cila përfaqëson të gjithë shtetet islame, se vdekja ndodh:
1 – Kur zemra ndalon së pulsuari totalisht. Kjo është vdekja tradicionale dhe e njohur nga të gjithë. Nëse doktorët thonë se i sëmuri ka vdekur dhe nuk mund të rikthehet sërish në jetë, atëherë personi konsiderohet i vdekur.
2 – Kur vdes truri.
Gazetari:”Atëherë ju e pranoni vdekjen e trurit?”
Shejh Kardavi:”Të thuash që ka vdekur truri, nënkupton që ai është jashtë çdo funksioni, pra ka vdekur dhe ka filluar dekompozimin dhe doktorët kanë konfirmuar se ai nuk mund ti kthehet sërish jetës. Këtë konfirmim, duhet ta japin doktorët ekspertë të nervave dhe reanimacionit. Madje, kushtëzohet që në këtë ekip doktorësh, të mos jetë askush nga doktorët që merren me transplantin e organeve, i cili mund të ketë ndonjë interes apo përfitim.
Ky është vendimi i Akademisë së Fikhut, në bazë të cilit operojnë një sërë vendesh myslimane, si Arabia Saudite e cila ka kryer me mijëra transplante, bazuar në vdekjen e trurit.
Heqja e pajisjeve të reanimacionit
Gazetari:”Disa të sëmurë hyjnë në reanimacion, ku jetojnë vetëm falë pajisjeve të këtij sektori, ndoshta dhe me vite. Një rast i tillë, shkakton shumë vuajtje. Pandaj, a lejohet që këtij të sëmuri ti hiqen pajisjet që e mbajnë në jetë?”
Shejh Kardavi:”Në perëndim kjo nuk lejohet, madje shumë doktorë arabë dhe myslimanë ndanin të njëjtin mendim. Por para disa vitesh, ne e patëm shqyrtuar një çështje të tillë dhe unë, kur mora fjalën pata thënë:”Këto pajisje luajnë rolin e mjekimit dhe mjekimi, tek fakihët islamë është i lejuar dhe nuk hyn tek obligimet. Por, edhe nëse operojmë sipas mendimit që thotë se mjekimi është detyrë, sidomos kur është i efektshëm dhe jep rezultat, mund të themi se në këtë rast, ai nuk ka asnjë efekt pozitiv.
Nëse doktorët thonë se ky i sëmurë nuk ka shanse shërimi, se qëndrimi i tij është barrë për të dhe për familjarët dhe se nëse i hiqen pajisjet e reanimacionit, ai vdes, në këtë rast, lejohet ti hiqen këto pajisje. Kjo bëhet me qëllim që të rehatohet vetë i sëmuri por dhe familja.”
Gazetari:”Ndonjëherë, njeriu e ka të vështirë ta pranojë një akt të tillë duke thënë:”Si mund t’ia bëjë këtë nënës apo babait?!”
Shejh Kardavi:”E vërteta është se me këtë akt, ai rehaton babanë dhe veten e tij. Disa njerëzve u vdes truri dhe nuk ndjejnë asgjë, edhe pse zemra u punon. Në Katar, para disa kohësh një i ditur pësoi të njëjtin fat. Fëmijët e tij më pyetën se çfarë të bëjnë dhe unë u thashë:”Çfarë ndodh nëse ia hiqni pajisjet e reanimacionit?” Ata u përgjigjën:”Vdes pas disa minutash.” Unë i thashë:”Atëherë përse e torturoni dhe nuk ia hiqni?” Ata e pranuan këtë mendim dhe ia hoqën pajisjet dhe i sëmuri vdiq. Më vonë, më erdhën dhe më thanë:”Zoti ta shpërbleftë se na rehatove dhe rehatove babanë!”
Eutanazia
Gazetari:”A i lejohet një doktori eutanazia? Ose thënë ndryshe: Një i sëmurë të cilit i është mërzitur jeta, a lejohet ti injektohet lëndë e cila i shkakton vdekjen?”
Shejh Kardavi:”Kjo çështje, përmban diçka që lejohet dhe diçka që nuk lejohet. Ajo që lejohet, është që të mos i japësh asgjë dhe ai të vdesë, domethënë, ta privosh nga mjekimi, ose ti heqësh pajisjet që e mbajnë gjallë. Kjo lejohet. Kurse ajo që ndalohet, është që ti injektosh lëndë që i përshpejtojnë vdekjen. Jo. Në këtë rast, nuk lejohet ndërhyrja për ti përshpejtuar vdekjen. Vrasja e mëshirshme nuk lejohet. Vrasje e mëshirshme mund të quhet vetëm kur i ndërpret kurimin, gjë e cila siç thamë lejohet.
Gazetari:”Ju e lejoni transplantin e organeve nga një kafshë tek një njeri. Po sikur të supozojmë se një i sëmurë ka nevojë për një organ derri ose qeni?”
Shejh Kardavi:”Mendoj që lejohet. Ato janë organe për përdorim të brendshëm dhe pjesa e brendshme e njeriut është plot pisllëqe, ai përmban gjak dhe jashtëqitje. Përderisa nga jashtë nuk përmban pisllëqe, nuk prish punë. Disa dijetarë thonë se derri është haram të konsumohet, të hahet. Profeti a.s kaloi pranë një deleje të ngordhur dhe i pyeti myslimanët:”Përse nuk ia rropët lëkurën dhe të përfitonit prej saj?” Ata u përgjigjën:”O i dërguar i Zotit! Po ajo është ngrodhësirë?” Profeti a.s u përgjigj:”Zoti ka ndaluar ngrënien e saj.” Dhe dihet se kafsha e ngordhur dhe derri, janë ndaluar në të njëjtin kontekst. Thotë Zoti në Kuran:”Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe mishin që nuk është therur në emër të Allahut.” (Bekare, 173)
Organet e cunguara
Gazetari: Nëse një personi i cungohet ndonjë organ, si formë ndëshkimi për një vepër penale si vjedhja. A lejohet që ky organ i prerë ti implantohet dikujt? A lejohet që ky organ ti implantohet sërish të njëjtit njeri?”
Shejh Kardavi:”Lidhur me pyetjen e dytë, nuk lejohet, pasi qëllimi i këtij penaliteti është frenimi i vesit të vjedhjes. E duke ia implantuar kjo nuk ndodh.
Lidhur me pyetjen e parë, kjo varet nga vetë personi të cilit i pritet organi. Nëse ai ia dhuron dikujt tjetër, Zoti ia shpërbleftë. Çështje të tilla i kemi diskutuar në Adademinë e studimeve pranë Ez’herit. Mendimi im ishte i tillë që organet e personave të dënuar, nuk mund të përdoren për transplant, veçse me lejen e tyre. Sakaq, mendimi i shejhut të Ez’herit, ishte i kundërt me mendimin tim. Unë u thashë se kështu ne e ndëshkojmë dy herë, e cungojmë dhe i heqim të drejtën të vendosë për një organ të tij. Mendimi i shumicës së dijetarëve është se nëse dikush dënohet për vrasje ose vjedhje, kjo i shlyen gjynahet. Pra, Zoti e pastron nëpërmjet dënimit.”
Gazetari:”Nëse një myslimani i nevojitet një organ, i cili mund të sigurohet nga një mysliman. A lejohet të bëhet ky transplanto?”
Shejh Kardavi:”Padyshim që lejohet. Shohim që shumë myslimanë shkojnë në Evropë dhe Amerikë për transplanto organesh. Disa prej tyre shtrojnë pyetjen: Po ky organ që do të marr, mos do më çojë në zjarr?” Kur organet implantohen tek një trup, ato bëhen pjesë e tij. Njeriu nuk është vetëm disa organe, por është një kompleks organesh që kanë shpirt.”
Gazetari:”Po, zemra a hyn këtu?”
Shejh Kardavi:”Po hyn dhe zemra. Ajo nuk është gjë tjetër veçse një pompë që pompon gjak. Atë e gjejmë tek i gjalli dhe tek i vdekuri, tek njeriu dhe tek kafsha. Ashtu siç janë myslimane organet e një myslimani, janë myslimane edhe organet e një jomyslimani. Ne dimë që çdo gjë, përfshirë dhe organet e trupit, madhërojnë Zotin. Thotë Zoti në Kuran:” Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata.” (Isra, 44)
Edhe pse ai nuk e madhëron Zotin, organet e tij e bëjnë diçka të tillë, stomaku e madhëron, zemra e madhëron etj... Prandaj, të gjitha organet e jomyslimanit, konsiderohen myslimane pasi e njohin dhe e madhërojnë Zotin.
Gazetari:”Po nëse pyesim për të kundërtën, pra, a lejohet që organet e një myslimani ti dhurohen një jomyslimani?”
Shejh Kardavi:”O i nderuar! Ata nuk duhet të jenë më bujarë se ne. A është e logjikshme që të shkojnë në shtetet e tyre dhe të na implantojnë organet e tyre, sakaq ne tu themi:”Jo, ne nuk ua japim tonat.” Prandaj them që lejohet. Thotë Zoti në Kuran:” Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë,” (Isra, 8)
Robërit asokohe përbëheshin kryesisht nga idhujtarët. Ajeti i mësipërm pasohet nga:” duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!” (Isra, 9)
Myslimani bën mirë dhe nuk përjashton askënd nga njerëzit. Tek Zoti nuk humbet asnjë thërmijë mirësie.
Gazetari:”A barazohet në këtë çështje jomyslimani armiqësor me atë paqësor?”
Shejh Kardavi:”Jo, armiqësori ka dispozita të tjera.”
Transplanti i embrioneve
Gazetari:”Ndonjëherë, përdoren embrionet për transplant organesh. Madje, disa mjekë bëjnë dhe biznes me këtë. Cili është mendimi juaj?”
Shejh Kardavi:”Kjo nuk lejohet. Nuk lejohet që embrionet që mund të jetojnë, tu merren organet si të ishin pjesë makinash. Po, mund të merren organet e një embrioni që nuk jeton, por pa qenë i plotë. Prandaj, embrionet e tepërta të formuara nëpërmjet pllenimit artificial duhet të eliminohen, pasi mund të keqpërdoren nga njerëz të papërgjegjshëm. Ato mund tu jepen çifteve që nuk lindin dhe kërkojnë vezë të ngjizur.
Gazetari:”Një çështje e ngjashme është dhe ajo e ADN-së, rreth të cilës flitet shumë. A i lejohet një bashkëshorti që të bëjë analizën e ADN-së për të provuar që fëmija është i tij në rast dyshimi?”
Shejh Kardavi:”Jo, nuk i lejohet.”
Gazetari:”Edhe nëse ka dyshime?”
Shejh Kardavi:”Edhe nëse ka dyshime. Nëse ai nuk e pranon fëmijën si të tijin, këtë duhet ta bëjë nëpërmjet mallkimit. Megjithatë, unë mendoj se e anasjellta lejohet, edhe pse Akademia e Fikhut nuk ka të njëjtin mendim. Një gruaje i lejohet të bëjë analizat e ADN-së nëse burri dyshon që fëmija është i tij. Në këtë rast, ajo mund të kërkojë që të bëhet analiza e ADN-së. Në këtë rast, analiza e ADN-së do heqë çdo hije dyshimi nga gruja dhe ia bashkëngjit fëmijën babait. Njëkohësisht, ajo qetëson dhe bashkëshortin dyshues. Sakaq, në rastin kur ADN-ja kërkohet nga burri, rezultati mund të jetë skandaloz për gruan. Sheriati e ka sanksionuar dhe përligjur mallkimin, me qëllim që të mbulohet akti dhe të ruhet dinjiteti. Veç kësaj, përderisa fëmija ka lindur në shtratin bashkëshortor, ai i përket dy bashkëshortëve.” | |
|