Gjykata e Serbisë ka liruar sot dy policët kosovarë, të cilët ishin arrestuar dy ditë më parë në kufirin Kosovë-Serbi. Lajmin e ka konfirmuar për Kosovapress ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili pohoi se policët Kosovarë të arrestuar dy ditë më parë, janë liruar sot nga gjykata serbe dhe se ata tani më i janë dorëzuar EULEX-it. “Gjykata serbe i ka liruar policët kosovarë dhe se tani më ata i janë dorëzuar EULEX-it dhe se ata pritet të arrijnë në Kosovë në orët e pasditës”, pohoi Rexhepi.Ndryshe, policët kosovarë janë arrestuar në një pritë të organizuar ditë më parë nga xhandarmëria serbe në Merdare, derisa policët ishin duke patrulluar në zonën kufitare.
Rexhepi viziton policët në Merdare
Dy zyrtarët policor të rrëmbyer ditë më parë e të cilët janë liruar sot, nën përcjelljen e zyrtarëve policorë të komponentës së EULEX-it, janë kthyer në Kosovë.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani, pohoi për Kosovapress se dy zyrtarët policorë të cilët ditë më parë ishin arrestuar nga xhandarmeria serbe në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës, tani më gjenden në Kosovë dhe se nga atje janë ardhur nën përcjelljen e EULEX-it. Kelani pohoi se ata ende nuk kanë pasur kontakt me policët e liruar, pasi që ata gjinden ende në Drejtorinë Rajonale të Lluzanit.
“Kanë ardhur në përcjellje të Eulex-it dhe tani kanë mbërri në Kosovë, por ende janë në Drejtorinë rajonale të Lluzhanit”, pohoi ai.
Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, sot ka vizituar Drejtorinë Rajonale të Policisë Kufitare në Luzhan të Podujevës. Ministri Rexhepi ka biseduar me zyrtarët e policisë kufitare, për zhvillimet e fundit dhe është interesuar për kushtet e punës së Policisë Kufitare, patrullimet në këtë pikë kufitare dhe me shqetësimet që kanë gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Në një komunikatë për media të MPB-së, thuhet se gjatë kësaj vizite, ministri Rexhepi, inkurajoi zyrtarët e Policisë Kufitare që të kryejnë punën e tyre sipas mandatit që kanë, në ruajtje të rendit dhe ligjit dhe në respektim të tërësisë territoriale, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ministri Rexhepi dhe drejtori Maxhuni gjatë kësaj vizite kanë qëndruar edhe pikën kufitare në Merdare, për të parë nga afër punën që po zhvillohet në këtë pikë kufitare. Ministri Rexhepi pa nga afër kolonat e gjata të qytetarëve të Kosovës që po pritnin në anën serbe të kufirit.
“Kërkojmë nga Bashkimi Evropian që të bëjë presion ndaj palës serbe, në mënyrë që ata të kryejnë obligimet e tyre karshi marrëveshjes për lëvizje të lirë të arritur në Bruksel. Është e patolerueshme që qytetarët tanë, që vinë nga perëndimi të mbahen me orë të tëra në kufi, për shkak të neglizhencës së qëllimshme të zyrtarëve serb. Kërkojmë që ky maltretim i qytetarëve tanë të merr fund”, ka thënë ministri Rexhepi. Kosovapress