Më shumë se dy milion muslimanë sot jetojnë dhe punojnë në Moskë dhe sipas numrit të tyre kryeqyteti rus hyn në mesin e qyteteve Evropiane me popullsi më të madhe muslimane
Vitet e fundit, fluksi i madh i muslimanëve në Moskë nuk është shoqëruar me ndërtimin e përshtatshëm të infrastrukturës për besimtarët muslimanë.
Shumica e muslimanëve të porsaardhur në Moskë janë të rinj nga ish-republikat sovjetike, të Azisë qendrore dhe Kaukazi. Varfëria dhe konfliktet në vendet e tyre i kanë detyruar ata që të kërkojnë një jetë më të mirë në Moskë.
Shumë prej tyre janë uzbekë, taxhikë dhe kirgizë të cilët kanë gjetur punë në Moskë dhe pastaj aty kanë mbetur. Ata zakonisht punojnë në ndërtimtari apo në punë tjera të vështira që rusët nuk duan t’i punojnë ose i punojnë vetëm nëse detyrohen.
Sipas të dhënave nga Qendra Sova dhe organizatat ruse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, krahas këtij fluksi të madh, sulmet raciste janë reduktuar ndjeshëm. Pra në vitin 2011 janë regjistruar 28 sulme raciste, ku shtatë prej tyre kanë rezoltuar me vdekje, gjë e cila tregon se numri i tyre është shumë më ulët në krahasim me vitin 2008 kur janë regjistruar 196 sulme dhe 57 vdekje.
Muskovitët gjithnjë e më shumë vendosin që, në vend të darkave të shtrenjta të cilat kushtojnë deri në 150 euro, të blejnë specialitete të lirë aziatike, të cilat i marrin me vete, kështu janë popullarizuara simitet e mbushura samsa apo hallall samsa.
Një tjetër dukuri e pazakontë kohëve të fundit është duke ndodhur në Moskë, bënë të ditur BBC. Një numër i ortodokseve është duke u konvertuar në Islam. Në mesin e tyre është edhe një ish prift ortodoks dhe politikan Ali Vyacheslav Polosin.