PYETJA:
Hoxhë i nderuar, cfar mendimi keni ju personalisht per Dijetarin e njohur El-Buti. Dhe si e komentoni ju perkrahjen qe ky dijetar [po i jep zullumqarit te poshter Sirian. Ku ne disa video qe kam pare ai gjithnje po lavderon ket zullumqar dhe asnjeher nuk thot keq per te. Pse qendron keshtu puna? A mos ky dijetar ka frike prej ketij diktatori a? SubhanAllah, nese mundet me detajisht nje sqarim rreth kesaj. Allahu ju shperblefte, per fjalet e sinqerta?
Mr. Bashkim Aliu
PËRGJIGJA:
Esselamu alejkum. Së pari më vjen rëndë që të flas për dijetarë prej të cilëve ne kemi mësuar dhe akoma mësojmë, nëse jo drejtpërdrejtë, me siguri përmes librave dhe ligjëratave të tyre. Dr. Buti është një mendimtar i njohur islam jo vetëm në tokën e Shamit, por në mbarë botën. Ka dhënë kontribut të dalluar shkencor në shumë fusha të shkencave islame. Është shumë normale se ka gjëra që nuk janë të pranuara nga të gjithë, apo me fjalë tjera, ka gjëra për të cilat dijetarët tjerë mendojnë ndryshe, dhe kjo është shumë normale në shkencë. Mirëpo, ka gjëra që, megjithatë, duhet të thuhen. Jo se ne kemi arritur t’i zëmë dijetarët e mëdhej, por se dijetarët tjerë kanë bërë vërejtje ndaj tyre, dhe ne i paraqesim këtu qëndrimet dhe vërejtjet e tyre.
Për Dr. Butin duhet dalluar dy aspekte:atë shkencor dhe qëndrimet politike. Për aspektin shkencor tregova më lartë se Ramadan Buti ka dhënë kontribut në disa lëmi shkencore, pa marrë parasyshë se ka edhe vërejtje dhe ka shumë që nuk pajtohen me të. Por, e përsëris, kjo është krejt normale në shkencë.
Ndërkaq, për sa u përket qëndrimeve politike, unë që herët kam lexuar dhe dëgjuar vërejtje të dijetarëve ndaj qëndrimeve të tij politike. Jo vetëm tash, por edhe më herët, shumë dijetarë e kanë kritikuar Ramadan Butin për qëndrimet e tij politike, dhe në veçanti qëndrimin e tij që nuk u ka hije dijetarëve ndaj familjes që e mban në dorë me dhunë pushtetin në Siri, e që dihet se kanë bërë krime ndaj popullatës muslimane në Siri.
Me të vërtetë është për tu habitur se edhe tash, kur populli është ngritur dhe masakrohet në mënyrën më brutale nga regjimi alevit anti islam dhe anti sunit në veçanti i familjes Asad, ai vazhdon ta mbështesë këtë kryetar që është jolegjitim dhe ta akuzojë popullin dhe kryengritësit se janë në shërbim të agjendave të huaja. Kjo është për të ardhur keq nga një dijetar si ky. Këto vërejtje Ramadan Butit ia kanë bërë dijetarë të famshëm të kohës sonë, si:Jusuf El-Kardavi, Ali Sabuni, Muhamed Ratib Nabulsi, Selman Aude dhe shumë shkollarë tjerë muslimanë. Së këtejmi, edhe unë i bashkangjitem dënimit të këtyre dijetarëve ndaj Ramadan Butit, dhe mund të them se Dr.Buti ka arritur rezultate në aspektin shkencor, por ka dështuar, edhe atë rëndë, në qëndrimet e tij politike, në veçanti me mbështetjen që ua jep xhelatëve të muslimanëve të Sirisë. Allahu ia faltë atij dhe neve.
Allahu e di më së miri.
Tue 10 Apr 2012 - 21:05 nga Shemsi