Në Siri thuhet se vazhdon armëpushimi i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, ndonëse, disa orë pas hyrjes në fuqi, janë raportuar disa shkelje.
Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se forcat besnike të presidentit Bashar al-Asad kanë qëlluar për vdekje një civil në provincën Hama.
Burimet e njëjta thonë se dy njerëz të tjerë janë vrarë kur ushtria ka hapur zjarr ndaj protestuesve antiqeveritarë në verilindje të Damaskut.
Aktivistët po ashtu flasin për granatime dhe thonë se trupat qeveritare nuk janë tërhequr ashtu siç parasheh plani i paqes i të dërguarit ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan.
Damasku është zotuar se do të ndalojë operacionet ushtarake, porse do të ruajë të drejtën për të reaguar ndaj, siç ka thënë, “terroristëve”.
Siria është përfshirë nga dhuna dhe protestat antiqeveritare qysh në mars të vitit të kaluar. Kombet e Bashkuara thonë se mbi 9,000 persona kanë humbur jetën në më shumë se një vit trazira./rfe/