Ndërsa nga Siria vijnë raportime shqetësuese të vëzhguesve ndërkombëtare se nuk po respektohet armëpushimi dhe gjakderdhja po vijon, një sjellje krejt kontroverse vjen nga njeriu që orkestron ofensivën ndaj grupeve opozitare. Presidenti sirian Bashar al Assad dhe bashkëshortja e tij Asma, kanë qenë në një qendër për shpërndarjen e ndihmave në Damask, duke paketuar ushqime, veshmbathje dhe medikamente, për ironi të fatit, pikërisht për njerëzit që janë prekur më shumë nga situata kaotike e 13 muajve të fundit, për banorët e Homsit. Në pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror sirian, shfaqet Al Assad me gruan e tij dhe me qindra vullnetarë, duke bërë gati ndihmat. Njerëzit që rrethojnë Al Assad duken thellësisht të lumtur, ndërkohë që realiteti në vendin e trazuar arab, paraqitet krejtësisht ndryshe, me rreth 11 mijë të vrarë, të shënuar në harkun kohor të një viti./vizion+/