Bashkia e Tiranës ka publikuar rregulloren e re për organizimin, funksionimin dhe ndarjen e detyrave e përgjegjësive në aparatin e Bashkisë e cila vendos kritere për veshjen dhe kodin e etikës që punonjësit duhet të përmbushin gjatë orarit të punës.
Neni 16 i rregullores mbi etikën dhe kodin e veshjeve të punonjësve, përcakton se punonjësit duhet të paraqiten çdo ditë në ambientet e punës me kostume e kravata.
Në nivele më të ulëta sesa rangu i drejtorit, punonjësi duhet të mbajë detyrimisht pantallona dhe këmishë serioze.
Ndërsa punonjëset e kanë të ndaluar mbajtjen e fundeve apo fustaneve të shkurta apo këmisha e bluza me dekolte.
Rregullorja përcakton edhe kujdesin që nëpunësit duhet të tregojnë për higjienën në ambientet e punës dhe mbajtjen e flokëve.
Për punonjësit meshkujt ndalohet mbajtja e flokëve nën gjatësinë e përcaktuar, ndërsa për punonjëset ndalohen nuancat e forta dhe modelet ekstravagante./shekulli/