Ajo që idallon njerëzit karshi sprovës është besimi. Kur besimtari sprovohet, ai duron, reflekton dhe lartësohet tek Zoti i gjithësisë. Kur jobesimtari sprovohet, shfryn mllef dhe inat ndaj Zotit, si dhe mallkon
çdo gjë që është rreth tij. Kështu ai zhytet më shumë në stres dhe në sprovë.
Nga: Mr.Ferid Piku
Zoti ynë thotë në Kuranin fisnik: “
Elif Lam Mim. A menduan njerëzit se do të thonë: “Ne kemi besuar” e të mos vihen në sprovë? Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, në mënyrë që Allahu t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët”. (El Ankebut: 1-3)
Gabon ai njeri, që ka menduar se dynjaja është vendi i rehatisë dhe i luksit. Sikur të shpenzojë gjithë pasurinë e kësaj dynjaje, përsëri do të kuptojë se dynjaja kurrë nuk mund të jetë e tillë. Ai njeri që mendon se të jesh besimtar do të thotë ta kesh dynjanë fushë me lule, të mos godasë asnjë fatkeqësi në trup, në familje apo në pasuri, ai gabon rëndë. Gabon ai njeri, që mendon se fatkeqësi dhe sprovë është vetëm e keqja dhe nuk e mendon se sprovë është edhe e mira, madje ajo mund të jetë sprovë edhe më e madhe se fatkeqësitë.
Gjithçka në këtë botë është sprovë. Ajo që të duket e ëmbël është sprovë, ajo që të duket e hidhur është sprovë. Zoti thotë në Kuranin fisnik: “dhe Ne ju sprovojmë juve me të mira dhe me të këqija dhe ju tek Ne do të ktheheni”.
Gabon ai njeri, që mendon se sprovat janë vetëm për një brez njerëzish, janë vetëm për një popull, janë vetëm për të këqijtë. Sprovat janë për të gjithë njerëzit. Ato përfshijnë edhe njerëzit e mirë me në krye profetët e Zotit. Madje e çuditshme është, se ata sprovohen më shumë se të gjithë të tjerët. Profeti (a.s) thoshte: “Ata që Zoti i sprovon më shumë, janë profetët e Tij, pastaj sprovohen njerëzit me radhë sipas besimit që kanë”.
Kur Zoti e sheh se robi e ka besimin e fortë, e sprovon atë, ndërsa kur sheh se njeriu e ka besimin e dobët, nuk e sprovon, sepse i vjen keq për krijesën e Tij.
Ajo që i dallon njerëzit karshi sprovës është besimi. Kur besimtari sprovohet, ai duron, reflekton dhe lartësohet tek Zoti i gjithësisë. Kur jobesimtari sprovohet, shfryn mllef dhe inat ndaj Zotit, si dhe mallkon çdo gjë që është rreth tij. Kështu ai zhytet më shumë në stres dhe në sprovë.
Të besosh në Zot, ta lartësosh emrin e Tij, t`i ruash vlerat njerëzore, ta ruash drejtësinë, t`i japësh hakun atij që e meriton, t`i tregosh vendin zullumqarit dhe të padrejtit, të gjitha këto janë detyra të vështira. Ato nuk mund të vijnë kurrë pa sprova, pa mund, pa djersë e pa sakrifica. Nëse profetët e Zotit dhe besimtarët pas tyre kanë vënë mbi supe këtë detyrë kaq të madhe, që edhe malet nuk e mbajtën, atëherë ata le ta mirëpresin sprovën, se sprova është e domosdoshme për
të çuar në vend amanetin e Allahut (xh.sh).
Pikërisht për rrugën e se vërtetës dhe të drejtës u lodh për 950 vite Nuhu (a.s). Gjatë gjithë kësaj kohe ai duronte ofendime nga më të ndryshmet prej atyre që nuk e besonin Zotin.
Për këtë rrugë u hodh në zjarr Ibrahimi (a.s) dhe ai duroi, sepse e dinte se kjo është natyra e kësaj rruge. Në këtë rrugë u dëbua Musai (a.s) nga Egjipti. Për këtë rrugë u tentua të vritet Isai (a.s). Për këtë rrugë u burgos Jusufi (a.s) dhe qëndroi për vite të tëra në burg, sepse edhe ai e dinte, se kjo është natyra e kësaj rruge. Për këtë rrug u sharrua Zekerija (a.s). Në këtë rrugë u vra Jahja (a.s).
Për këtë rrugë u lodh profeti (a.s) për 13 vite në Meke. Ai e donte jetën e qetë e të lumtur, por e dinte se kjo është natyra e kësaj rruge. Ai vuante sprovë pas sprove, stres pas stresi dhe shqetësimin më të madh e kishte kur shikonte shokët e tij të pafajshëm, që torturoheshin dhe ai nuk i ndihmonte dot, por u thoshte: “Duroni o familja e Jasirit. Vendtakimi ynë është xheneti i Zotit”.
Kur dikush nga shokët e tij i tha: “O profet i Zotit! A jemi në të vërtetën?” “Patjetër – iu përgjigj profeti (a.s). Shoku i tij ia ktheu: “Atëherë pse vuajmë kaq shumë. Lute Zotin për ne”. Profeti (a.s) i tha: “Pasha
Zotin, njerëzit që kanë qenë përpara jush janë sprovuar më shumë sesa ju. Janë futur në një gropë dhe iu është thënë: “Ose braktisni besimin tuaj ose do të vdisni”. Ata kanë zgjedhur besimin dhe pas kësaj janë sharruar nga koka deri në fund të këmbëve dhe nuk hiqnin dorë nga feja e tyre, por ju nxitoheni. Do të vijë ajo ditë, kur Zoti do ta plotësojë fenë e Tij dhe bariu do të udhëtojë i qetë nga Sana`aja në Hadrameut pa pasur frikë askënd përveç Zotit dhe do të jetë i shqetësuar se mos ujku i ha delet”.
Kurani fisnik tregon për një grup besimtarësh nga populli i Isait
(a.s), të cilët u sprovuan nga mbreti i asaj kohe. Ata duhet të
zgjidhnin mes besimit të tyre dhe hedhjes në gropat e zjarrit. Por ata
nuk hoqën dorë prej besimit të tyre dhe ushtarët e mbretit filluan t`i
hidhnin njerëzit një e nga një në zjarr. Tregohet për një grua, që në
dorë kishë foshnjën e saj. Kur erdhi radha e saj, ajo u tremb, sepse iu
dhimbs foshnja. Në këto momente hezitimi, Zoti i dha gjuhë kësaj
foshnje dhe ai i tha nënës së tij: ”Hidhu o nënë, mos kij frikë, ti je
me të vërtetën”.
Profeti (a.s) duroi 10 vjet në Medine luftë pas lufte dhe të gjitha
luftërat ishin të imponuara. Por ai i qëndroi besnik kësaj rruge. Ai u
plagos në këtë rrugë. Pati shumë atentate për ta vrarë atë, por
asnjëherë nuk u mërzit, sepse e dinte se kjo është natyra e kësaj rruge.
Ai (a.s) qëndroi deri në fund dhe Zoti ia zbardhi faqen në këtë botë
dhe në botën tjetër.
Askush të mos mendojë se sprova është dënim prej Zotit. Sprova Ajo në
radhë të parë është ligj i Allahut (xh.sh) për besimtarët. Pas kësaj
sprove fshihet urtësia e Zotit. Ne nuk i dimë shumë urtësi, por ato i di
vetëm Allahu (xh.sh), ndërsa shumë të tjera i shikojmë me sytë tanë.
Dobia e parë e sprovës është, se nga sprova del në pah se kush janë
besimtarët e vërtetë dhe kush janë dyfytyrëshit. Kur koha është e mirë,
kur ka interesa, ku çdo fjalë flitet kollaj, të gjithë njerëzit
pretendojnë se janë besimtarë dhe e mbajnë veten për miq të Zotit. Por
kur shtrëngohet puna, kur dridhen këmbët dhe zemrat, atëherë del në pah
se kush është besimtari i vërtetë, duket se kush i ka hyrë kësaj rruge
për hir të Zotit dhe kush i ka hyrë për hir të interesave. Sprova e
dallon të sinqertin nga gënjeshtari, atë që kërkon xhenetin e Zotit dhe
atë që kërkon kënaqësinë dhe interesin e kësaj dynjaje.
Dobia e dytë e sprovës është, se sprova është nga mjetet më të forta,
që e afron njeriun me Zotin e gjithësisë. Kur të mbyllen të gjitha
dyert e dynjasë, kur i shikon njerëzit që nuk e kanë mendjen tek ti,
atëherë të mbetet vetëm Allahu (xh.sh). Në atë moment mbështetju Allahut
dhe lutju vetëm Atij, se kjo është forma më e madhe që e lidh robin me
Allahun (xh.sh). Kur të këputen të gjitha forcat, mbetet forca më e
madhe. Kur të këputen të gjitha ndihmat, mbetet ndihma më e madhe. Kur
të hiqen të gjitha pushtetet, mbetet pushteti më i madh. Me të vërtetë
Allahu (xh.sh) ka mëshirën më të madhe, forcën më të madhe, ndihmën më
të madhe dhe pushtetin më të madh. Do të mjaftonte sprova si kënaqësi,
nëse kjo do ta afronte robin me madhështinë e Allahut (xh.sh). Sprova e
pastron besimtarin nga gjynahet, ashtu siç e pastron zjarri hekurin nga
ndryshku. Hekuri që është me ndryshk, nuk i hyn në punë askujt për
asgjë, por kur ai pastrohet, ai i hyn në punë të gjithë njerëzve.
Ashtu edhe Zoti e pastron njeriun nga gjynahet me anë të sprovave. Profeti (a.s) ka thënë: “Është
e çuditshme puna e besimtarit. Ai vazhdon të sprovohet, saqë vjen një
ditë dhe ai ecën mbi shpinën e kësaj toke pa pasur asnjë gjynah mbi
shpinën e tij”. Zoti ia pastron gjynahet robit të Tij me anë të sprovave.
Dobi tjetër e sprovës është, se Zoti sprovon disa njerëz. Ata mund të
jenë gra, fëmijë apo burra. Zoti i përdor si argument për gjithë
botën, për të gjithë ata që e mbajnë emrin muslimanë. Ata mund të jenë
fëmijë të pafajshëm, mund të jenë gra, mund të jenë njerëz pa armë e
pushtet, por sprovohen dhe qëndrojnë si malet, madje edhe më të fortë
se malet. Kjo dëshmon edhe njëherë forcën e besimit tek Allahu (xh.sh).
Prandaj profeti (a.s) ka thënë: “Do të ndodhin shumë sprova,
por çfarëdo që të ndodhë, do të ketë gjithmonë një grup besimtarësh, që
do ta mbajnë amanetin e do të qëndrojnë”. E pyetën: “Ku janë këta njerëz o profet i Zotit?” Profeti (a.s) u përgjigj: “Do
të jenë besimtarët, që janë në xhaminë Aksa dhe në rrethinat e saj.
Ata nuk do t`i dëmtojë tradhtia, që do t`u bëjnë të tjerët. Ata janë
argument i Allahut (xh.sh)”. Sot po e shohim diçka të tillë.
Ne e kuptojmë sprovën, por nuk i dalim përpara asaj. Profeti (a.s) thoshte: “Mos uroni që të takoheni me armikun, por nëse përballeni me të, atëherë qëndroni si burrat”.
E lus Zotin të mos na sprovojë në fenë tonë, por kur të na vijë sprova të na bëjë të qëndrueshëm.
A M I N
/ardhmeriaonline/