Ku është Haki Haziri 29 vjeçar nga Shutka? Nga 1 maj kur është arrestuar në aksionin policor ‘Monstrum’ atij i humbet çdo gjurmë. Familjarët nuk dinë asgjë për fatin e tij. Ata janë të shqetësuar për fatin e tij dhe dyshojnë se policia i ka humbur djalin e tyre 29 vjeçar Haki Hazirin. Dje familjarët edhe pse kanë pritur ai të nxirret para gjykatësit hetuese në Shkup, një gjë e tillë nuk ka ndodhur . Avokatëve i është thënë se ai nuk është në mesin e atyre që dyshohen dhe duhet të merren në pyetje. Janë drejtuar më pas në polici por ajo që u është thënë ka qenë se, ai është liruar rreth orës 9:30 minuta nga stacioni policor Gazi Babë dhe nuk e dinë se ku mund të gjendet i njëjti. “Bastisja ka zgjatë prej ora 5 mëngjes deri në ora 12. Mua më kanë lidh dhe shtri për tokë bashkë me djemtë e mijë dhe pas bastisjes kur kanë shkuar, e kanë marrë Hakiun dhe prej atij momenti ne për djalin nuk dimë asgjë. Atë ditë që e kanë marrë nuk dimë asgjë, të nesërme rreth orës 9:30 e kanë nxjerrë prej stacionit policor gjoja për me dërguar në gjyq, atje gjykatësi nuk e ka pasur askund. Ne kemi angazhuar avokatin, gjyqi i ka thënë avokatit se nuk ekziston ky person. Policinë e kemi pyet na kanë thënë rreth orës 9:30 ka dalë prej stacionit policor për gjyq edhe më nuk dihet se ku është”, tha Safet Haziri, prind i Haki Hazirit. Alsat M duke investiguar rastin nuk arriti të marr informatë të saktë nga policia se ku mund të gjendet Haki Haziri edhe pse ka dyshime se i njëjti mund të gjendet në burgun e Shutkës, ku është dërguar pa vendim të gjykatësit hetues. Familjarët thonë se gjatë bastisjes, policia në shtëpinë e tyre nuk ka gjetur asgjë, kanë konfiskuar kartela të telefonit si dhe foto aparat. Ndërsa dyshimet më të mëdha paraqesin në faktin se policia pasi ka kryer bastisjen të nesërmen janë kthyer e kanë marrë veturën e Haki Hazirit dhe nuk e kanë kthyer. Apelojnë tek avokati i popullit dhe faktori ndërkombëtar në vend që të ndihmojnë familjen që të gjejnë djalin e tyre. Shkëlzen Aqifi/AS/