Hussein al-Kharsan i gjunjëzuar dhe i kërrusur
mbi një fletë të madhe letre, me ndihmën e pendës me bisht druri,
shkruan me kujdes fjalët e librit të shenjtë të Islamit – Kur’anin
Ai me këtë përpiqet të shkruaj kopjen më të gjatë të Kur'anit në botë.
Ky 25-vjeçar nga Iraku është i vendosur që në një mënyrë të pazakontë të
bëhet i famshëm, duke shkruar kopjen më të gjatë të Kur'anit në botë.
Kharsan thotë se gjatësia e tij do të jetë mes 5.500-6.000 metra.
Qëllimi i tij, thotë ai, është që të hyjë në Librin e rekordeve
Guinness.
Kopja e Kur’anit është dashur të paraqitet këtë vit, kur qyteti i
Naxhafit është paraparë të jetë ‘Kryeqytet i kulturës islame’, por për
shkak të dyshimeve për korrupsion gjatë përgatitjeve të tij projekti u
shty për një kohë të pacaktuar.
Kjo, megjithatë, nuk e ka penguar Kharsanin, i cili u diplomua në
Universitetin e Arteve të bukura në Bagdad, të vazhdoj punën në shkollë
fetare në Naxhaf pavarësisht dhimbjeve në qafë si pasojë e kujdesit të
madh gjatë shkrimit të vargje kur’anore.
"Në fillim, marrëveshja ishte që punën ta përfundojmë brenda gjashtë
muajve, d.m.th. çdo ditë duhej të shkruheshin nga tre prej 503 faqeve të
Kur'anit", tha ai për AFP. "Ditët e para ia arrita ta mbaj ritmin, duke
punuar 16 ose më shumë orë në ditë, por pastaj filluan dhimbjet."
"Mjekët më thanë të pauzoj një muaj, por unë refuzova dhe u thash se jam
duke punuar me bekimin e Kur'anit. Sot, jam duke marrë ilaçe kundër
dhimbjeve, dhe punoj pesë orë në ditë, që do të thotë se do t’më
nevojitet një vit për ta përfunduar", thotë ai.
Që nga mosha e tij nëntë vjeçare Kharsan ka marrë pjesë në konkurse të
ndryshme të kaligrafisë arabe. Ai e kopjon Kur’anin në rrotullame letre
të gjata 1.500 metra. Që nga fillimi punës, një muaj më parë, arriti të
kopjoj 13 faqe të Kur’anit.
"Kaligrafia arabe është njëra prej formave më të njohura të artit arab
dhe islam. ‘Stili Kufi’ (i quajtur sipas qytetit irakian Kufa) është
shumë i njohur. Ne e kemi praktikuar historikisht këtë art", thotë Sheik
Ali Merz, drejtori i shkollës ku punon Kharsan.
Merz shtoi se puna e Kharsanit do të ekspozohet në Naxhaf edhe nëse projekti ‘Viti i kulturës islame’ nuk jetësohet.
Librin e rekordeve Guinness nuk ekzistojnë të dhëna për Kur’anin më të
gjatë në botë, por kopja më e madhe e shtypur deri më tani është e lartë
2 metra e 1.52 metra e gjerë, dhe është prezantuar në nëntorin e kaluar
në Rusi.
Kopja më e vogël është shtypura në Kajro, në vitin 1982, nga duart e një
pakistanezi. Dimensionet e saj janë 1.7 me 1.3 centimetra dhe ka
571faqe.
Dimensionet e librit më të madh në botë janë 5 me 8.06 metra dhe peshon
rreth 1.500 kilogramë. Fjala është për librin për jetën dhe arritjet e
Profetit Muhamed a.s., i cili u paraqit në muajin shkurt në Dubai.
"Është mirë të punohet diçka që të lidh me Kur'anin, apo xhamitë", thotë
Kharsan. “Është një punë e bekuar. Në të njëjtën kohë, emri im do të
jetë pjesë e historisë, sepse shpresoj se do të shpërblehem në planin
ndërkombëtar duke hyrë në librin e rekordeve", shtoi ai.
"Për punën time nuk marrë para, edhe pse ekziston një marrëveshje e cila
parasheh që unë të marr një përqindje nga buxheti i projektit i cili
kushton 100 milion dinarë (irakian) ose (80.000 dollarë). Jam krenar për
atë që bëj dhe dua të lë gjurmë në botë", tha në fund Kharsan.