SIRI, REBELËT ULTIMATUM QEVERISË SË ASAD
Ushtria e Lirë Siriane i ka dhënë qeverisë së Presidentit Bashar Al-Asad një afat 48-orësh për të shqyrtuar planin e armëpushimit të OKB-së.
Koloneli i ushtrisë rebele, Qassim Saadeddine tha se nëse nuk do të jepej asnjë përgjigje deri në mesditën e së premtes atëherë Ushtria e Lirë Siriane do ta konsideronte veten jo më të lidhur me planin e paqes.
Plani u bën thirrje forcave qeveritare të tërhiqen në kazerma.
Të mërkurën, vëzhguesit e OKB-së konfirmuan zbulimin e 13 viktimave nga shkëmbimi i zjarrit në afërsi të qytetit të Deir El-Zour.
Koloneli Saadeddine tha në një video të publikuar në internet se qeveria duhet të "zbatojë një armëpushim të menjëhershëm, të tërheqë trupat e saj, tanket dhe artilerinë nga qytetet dhe fshatrat siriane".
"Ajo gjithashtu duhet të lejojë ndihmat humanitare në të gjitha zonat e prekura dhe të lirojë të gjithë të paraburgosurit... Regjimi duhet të hyjë në negociata reale dhe serioze përmes Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që pusheteti të kalojë në dorë të popullit sirian", vazhdoi ai.
Edhe pse e armatosur keq, Ushtria e Lirë Siriane vazhdon të kontrollojë disa nga qytetet kryesore në vend/mesazhi