Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan botës i është drejtuar këtë herë nga Forumi Ekonomik Botëror që zhvillohet në Stamboll.
Kryeministri Erdoan tërhoqi vëmendjen e botës mbi problemet që po jeton rajoni sot dhe tha se Turqia nuk ka ndonjë synim apo qëllim si ai i ndërhyrjes në punët e brendshme të ndonjë vendi të çfarëdoshëm.
“Ne vazhdojmë të bëjmë paralajmërimet pasi e dimë që një zjarr që do të binte në Siri, do të përfshinte të gjithë rajonin”, tha Erdoan.
Në fjalën që mbajti në Forumin Ekonomik Botëror, Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan tha se Turqia me politikën e saj të jashtme aktive që ka ndjekur 10 vitet e fundit me duke pasur në fokus paqen dhe me reformat që ka bërë për demokratizimin edhe më shumë të vendit përbën një shembull edhe për vendet e tjera të rajonit.
“Ne si Turqi nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi asnjëherë ndonjë qëllim për t’u përzier në punët e brendshme të asnjë vendi, si të vendeve fqinje, ashtu edhe të vendeve që ndodhet larg nesh”, u shpreh Erdoan.
Kryeministri Erdoan foli edhe për çështjen palestineze dhe iraniane.
“Po e nënvizoj edhe një herë. Ne përqendrohemi tek çështja palestineze, pasi e shikojmë atë si çështjen më të rëndësishme që kërcënon paqen dhe stabilitetin e rajonit, që prish qetësinë e rajonit. Të njëjtin qëndrim parimor ne e kemi demonstruar edhe në çështjen e Iranit. Kemi mbrojtur mendimin që një krizë e re në rajon do të ndikonte të gjithë rajonin. Gjithmonë kemi qenë pro negociatave dhe dialogut”, cilësoi Erdoan.
Kryeministri Erdoan foli edhe për qëndrimin e Turqisë ndaj zhvillimeve në botën arabe. “Në veçanti kemi trajtuar çështjen mbi domosdoshmërinë e kalimit nga regjimet autokratike në ato demokratike, pra respektimin e vullnetit të popullit”, tha ai.
Kryeministri Erdoan tha se për paqen globale flitet gjithmonë, vetëm se nuk hidhen hapa të rëndësishëm.
Pastaj Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan kaloi në zyrën e punës në pallatin Dollmabahçe dhe priti këtu në takime të ndara Kryeministrin e Jordanisë, Fayiz el-Taravne, Kryeministrin e Kirgizisë Omyrbek Babanov dhe Kryeministrin e Ukrainës, Viktor Janukoviç./trt/