Unioni [quote]Botëror i Dijetarëve Myslimanë, i ka shprehur ngushëllimet e tij popullit amerikan dhe të gjithë popujve të tjerë të dëmtuar nga uragani Sandy. Unioni ka bërë thirrje për bashkëpunim human mes të gjithë popujve në bazë të drejtësisë, dhembshurisë dhe paqes.
Në deklaratën e Unionit thuhej:”Ne kemi ndjekur me shqetësim forcën shkatërruese të uraganit Sandy, i cili la pas një numër të madh viktimash në SHBA, Kanada dhe disa vende të tjera, si dhe shumë dëme materiale. Unioni e sheh këtë çështje nga këndvështrimi human dhe nën hijen e vëllazërisë humane. Të gjithë njerëzit janë vëllezër dhe bij të Ademit dhe Havasë. Është pikërisht kjo lidhja që i bashkon dhe u imponon të manifestojnë dashuri dhe dhembshuri karshi njëri-tjetrit. “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa, 1)
Sipas interpretuesve të Kuranit, lidhjet farefisnore që ceken në pasazhin e mësipërm, janë lidhjet njerëzore që nga Ademi dhe Havaja e gjer në ditën e fundit të jetës mbi tokë. Që këtu, Zoti do na kërkojë llogari nëse i neglizhojmë të drejtat e njëri-tjetrit. Kur profeti Muhamed pa një kortezh njerëzish që përcillnin një të vdekur për në varrezë, u ngrit në këmbë në formë respekti. Dikush i kujtoi se i vdekuri ishte një hebre dhe Profeti a.s u përgjigj:”Po a nuk ishte dhe ai njeri?!”
Zoti në Kuran na tërheq vëmendjen se qëllimi final për dërgimin e profetit të fundit, Muhamedin a.s, është që të shërbejë si mëshirë për mbarë botërat dhe jo vetëm për shtresën e besimtarëve myslimanë. Këtë parim, profeti Muhamed a.s e pati parasysh gjatë gjithë jetës, saqë ai lutej edhe për ata që e shqetësonin dhe lëndonin duke thënë:”O Zot! Udhëzoje popullin tim se nuk dinë!”
Kur torturat ndaj myslimanëve u bënë të padurueshme në Mekë, dikush i kërkoi profetit Muhamed a.s që ti mallkonte idhujtarët, por ai tha:”Unë nuk jam dërguar mallkues, por jam dërguar mëshirë për ta.”
Ai manifestonte mëshirë dhe dhembshuri edhe ndaj kafshëve dhe ambientit. Ai na tregon se një grua u dënua në ferr, vetëm për shkakun e një maceje, të cilën e kishte lidhur derisa kishte ngordhur. As se kishte ushqyer dhe as e kishte lënë të lirë të ushqehej vetë. Nga ana tjetër, na informon se një grua jo e mirë, kishte fituar parajsën për shkak se i kishte shuar etjen një qeni.
Me këto akte, profeti Muhamed a.s na tregon se njeriu shpërblehet për çdo vepër të mirë, ndaj njeriut, kafshës, apo dhe ambientit.
Bazuar në këtë këndvështrim, Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë shpreh ngushëllimet e tij dhe ndan dhimbjen me të dëmtuarit nga uragani Sandy në Amerikë, Kandada dhe kudo tjetër. Ne bëjmë thirrje për bashkëpunim mes popujve mbi bazën e drejtësisë, dhembshurisë dhe interesave të përbashkëta, me qëllim që ti gjendemi pranë çdo qenie humane dhe jo vetëm. /Mesazhi/[/quote]