Zyra Federale e Rusisë për Migracionin (FMS) u ka lejuar aplikanteve për leje të punës të fotografohen me shami, nëse kjo bazohet në bindjet e tyre fetare
Dekreti i nënshkruar nga kreu i FMS, Konstantin Romondanovsky, thotë se "personat të cilët për shkak të bindjeve të tyre fetarë duhet t’i mbajnë kokat e mbuluara, do të lejohen të fotografohen me 'mbulesa kokë', por që fytyrat e tyre duhet të jenë të dukshme."
Të njëjtën gjë e konfirmon edhe zëdhënësja e FMS, Zalina Kornilova, duke shtuar se kriteret e njëjta vlejnë edhe për fotografitë e pasaportave.
"Liria e fesë është e garantuar me Kushtetutën e Federatës Ruse dhe marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut", thotë Kornilova.
Kjo rregullore përcakton rregullat e reja për fotografimin dhe gjurmët e gishtërinjve për të huajt që kërkojnë punë ose aplikojnë për regjistrimin e patentave në Rusi.
Ministria e brendshme ruse në vitin 2003 u ka lejuar muslimaneve që të fotografohen me shami në kartat e identifikimit.