Omani u ka dhënë azil disa anëtarëve të familjes së Muamar Kadafit, dy prej të cilëve janë të kërkuar nga Interpoli. Lajmin e bëri të ditur një zyrtar i Omanit, por Libia tha se ishte shumë herët për të folur për ekstradime të mundshme. Algjeria tha javën e kaluar se e veja e liderit libian dhe tre fëmijët e tij kishin lënë territorin e saj shumë kohë më parë, por pa thënë se ku kishin shkuar. Ata kishin kërkuar strehim në Algjeri në vitin 2011, pasi çlirimtarët libianë arritën në Tripoli dhe e çliruan vendin përmes kryengritjes së armatosur, e që përfundoi sundimin 42-vjeçar të Muamar Kadafit. "Gruaja e Kadafit, dy djem dhe një vajzë, si dhe fëmijët e tyre kanë qenë në Oman që nga tetori i vitit të kaluar", ka thënë një zyrtar i qeverisë së Omanit për Reuters. Ai i bëri këto deklarat në kushte anonimiteti. "Ne kemi pranuar tashmë kërkesat e tyre për azil, por me kusht që të mos angazhohen në aktivitete politike," shtoi zyrtari. Ai tha se përveç të vesë së Gadafit, Safia Kadafi dhe vajzës së tij Aisha, edhe djemtë e tij Hannibal dhe Muhamed ishin në mesin e atyre që u është dhënë azil. Aisha dhe Hanibali janë të kërkuar nga Interpoli, pas një kërkese nga autoritetet libiane, por nuk ka mandat ndërkombëtar arrestimi për Muhamedin apo Safian. Ministri i Jashtëm libian Muhamed Abdelaziz ka konfirmuar se disa anëtarë të familjes Kadafi kanë lëvizur nga Algjeria për në Oman. "Omani është një vend sovran dhe ka të drejtë, ashtu si vendet e tjera, për të marrë azilkërkuesit dhe anëtarë të opozitës politike," u tha Abdelaziz gazetarëve në Doha, përpara takimit të Ligës Arabe. I pyetur nëse Libia do të kërkojë ekstradimin e tyre, ai tha: "Është shumë herët për të folur për këtë." Djali i Kadafit, Saif al-Islam, ishte kapur nga kryengritësit më shumë se një vit më parë, dhe u shfaq në një gjykatë libiane për herë të parë në janar. Libia dëshiron ta gjykoj atë dhe të tjerët zyrtarë të epokës së Kadafit, edhe pse Saif al-Islam ka qenë i akuzuar për krime kundër njerëzimit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare Një nga bijtë e diktatorit, Saadi Kadafi, iku në Niger në fund të revoltës. /mesazhi/