Më shumë se 6 mijë persona kanë vdekur në Siri gjatë muajit mars, duke shënuar kështu muajin më të përgjakshëm, që prej fillimit të protestave kundër qeverisë 2 vite më parë, kanë bërë të ditur aktivistët.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), një grup aktivist me bazë në Britani, ka thënë se janë numëruar 6005 vdekje gjatë muajit që sapo lamë pas.
Mes viktimave janë të paktën 291 femra, 298 fëmijë, 1486 luftëtarë rebelë dhe të larguar nga ushtria, si dhe 1464 trupa qeveritare.
Rastet e tjera kanë qenë civilë e ushtarë të paidentifikuar, shtonte SOHR.
Grupi anti-qeveritar, i cili monitoron shkeljen e të drejtave të njeriut, nga të dyja palët e konfliktit, përmes një rrjeti kontaktesh anembanë Sirisë, tha se numri total i viktimave i kalon 62554, të faktuar.
“Ne përllogarisim diku te 120 mijë persona”, tha Rami Abdelrahman, kreu i grupit, për agjencinë e lajmeve Reuters. “Shumica e këtyre të vdekurve është tepër e vështirë të faktohen, kështu që nuk i kemi përfshirë zyrtarisht ata”.
OKB ka bërë të ditur se janë mbi 70 mijë të vdekur në Siri, që prej nisjes së trazirave.