Në Rijekë të Kroacisë hapet qendra islame, e cila merr titullin “Xhamia më e bukur në Europë”
Në Rijekë, më 04.05.2013, solemnisht është hapur Qendra Islame, ndërtimi i së cilës ka zgjatur më shumë se tre vjet, e ku janë investuar mbi 10 milionë euro.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë mbi 20.000 njerëz nga mbarë bota, në mesin e të cilëve kryebashkiaku Vojko Obersnel, presidenti kroat Ivo Josipoviç, kryetari Josip Leko, shefi i delegacionit të BE-së në Kroaci, Paul Vandoren, anëtar i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Bakir Izetbegovic, Reis-ul- ulema i Bashkësisë Islame në Bosnje, Hussein Kavazoviç, kryetar i Bashkësisë Islame në Kroaci, muftiu Aziz Hasanović dhe të ftuarit e posaçëm ministri i vakufit të shtetit të Katarit, dr. Gajs b. Mubarek el-Kuwari dhe Hamed bin Khalifa et-Thani, emir i Katarit dhe donatori më i madh.
Qendra islame është ndërtuar në pjesën veriperëndimore të Rijekës, në afërsi të autostradës anësore. Autor i projektit ideor është Dusan Dzamonja, ndërsa idenë e tij e kanë jetësuar arkitektët Darko Vlaovic dhe Branko Vuçinoviç.
Qendra e sapohapur islame do të bëhet vend qendror i adhurimit dhe grumbullimit të 10.000 deri 12.000 qytetarëve të besimit islam, të cilët aktualisht jetojnë në Rijekë dhe rrethinë.
Gurëthemeli i kësaj Qendre islame, e cila kap një sipërfaqe prej 5.300 metra katrorë, ishte vënë më 3 tetor të vitit 2009, ndërsa ndërtimi i saj kishte filluar në mars të vitit 2010.