Tregohet se një fshatar nga Benu Israil, pa një ditë një burrë në bregdet i cili thërriste me sa kishte në kokë:”Kush më sheh mua, mos i bëjë padrejtësi askujt pas kësaj dite!”
Fshatari i afrohet dhe e pyet:”O rob Zoti! Çfarë të ka ngjarë?!”
Burri i tha:”Unë punoja polic në oborrin mbretëror. Njëditë, erdha këtu në bregdet dhe pashë një peshkatar i cili kishte nxënë një peshk goxha të madh. Unë i kërkova të ma japë, por ai refuzoi. I kërkova t’ia blej dhe ai sërish nuk pranoi. Atëherë e godita me kamxhik në kokë dhe ia mora me dhunë peshkun. Rrugës për në shtëpi, peshku më kafshoi gishtin tregues. U orvata ta heq gishtin nga dhëmbët e goja e peshkut, por nuk munda. Kur mbërrit anë shtëpi, fëmijët më ndihmuan dhe me zor e nxora gishtin nga dhëmbët e peshkut. Por më e keqja akoma nuk kishte ndodhur. Menjëherë gishti mu mavijos dhe filloi të fryhej dhe mbushej me qelb. I detyruar, vajta tek një doktor, i cili me ta parë më tha se është gangrenë. Nëse nuk do të pritej gishti, sëmundja do të kalonte tek krahu e mandej në të gjithë trupin, duke rrezikuar jetën. Kështu, u detyrova dhe pranova të ma presë gishtin. U ktheva në shtëpi, por nuk munda të vë gjumë në sy, për shkak të dhimbjeve të padurueshme. Të nesërmen vajta sërish tek doktori i cili më këshilloi të presim dorën dhe ashtu bëmë. Por sëmundja u përhap në parakrah. Dhimbjet ishin aq të mëdha, saqë ulërija pa ditur ç’të bëja. Doktori ma preu krahun në bërryl, por dhimbja mu përhap në pjesën e mbetur të krahut. Dhimbja se vinte dhe shtohej më shumë, derisa preva dhe krahun ngjitur me supin. Disa njerëz që erdhën të më vizitojnë, më pyetën se si filloi dhimbja dhe unë u tregova historinë e peshkut. Ata më thanë:”Nëse do e kishe kthyer peshkun që ditën kur të filloi dhimbja, ti kishe kërkuar të falur dhe t’ia kishe bërë qejfin, nuk do të kishte ndodhur kjo që të ka ndodhur. Prandaj, shko kërkoji falje dhe bëja qejfin, para se sëmundja të përhapet në gjithë trupin.”
Unë nuk lashë vend pa e kërkuar, derisa më në fund e gjeta. Menjëherë i rashë në gjunjë duke i puthur këmbët dhe me sytë e përlotur i thashë:”Pash Zotin më fal!”
I habitur, ai më pyeti:”Kush je ti?!” Unë iu përgjigja:”Jam ai që të mori peshkun me dhunë.” Dhe i tregova gjithçka kishte ngjarë pas asaj dite, si dhe i tregova krahun e cunguar. Atij i rrodhën lot kur më pa në atë gjendje dhe më tha:”Të kam falur!”
Unë i thashë:”Pash Zotin më trego çfarë lutje dhe mallkimi më ke bërë, kur ta mora peshkun!” Ai tha:”Po. Në ato çaste thashë:”O Zot! Ky ma tregoi gjithë forcën e tij dhe më mori ushqimin tim. O Zot! Tregoja fuqinë Tënde këtij njeriu!”