Një djalë përgatitej për t’u diplomuar. Babi i tij i kishte premtuar se ditën e diplomimit do t'i blinte si dhuratë një makinë sportive të tipit më të ri. Më në fund erdhi dita kur djali u diplomua.
Babai e ftoi në dhomën e tij të punës duke i thënë se ishte i kënaqur me të, i lumtur që diplomoi dhe se e donte shumë. Pastaj babai i dhuroi një kuti të paketuar. Djali i dëshpëruar hapi pakon dhe para tij u paraqit një Kur’an i bukur me kopertinë lëkure. I zemëruar dhe me zë të lartë djali iu drejtua babait: “Si është e mundur kjo?”
Fle mbi para e më ke blerë dhurate Kur’an? Me këto fjalë doli nga shtëpia plot hidhërim, pa u përshëndetur fare me babanë.
Kaluan shumë vite. Ndërkohë djali u rrit dhe u bë një njeri i suksesshëm. Kishte një familje fantastike dhe shtëpi të bukur. Gati e kishte harruar fare babanë e vet të moshuar. Pas shumë kohësh, kur i shkoi ndërmend për të, vendosi ta vizitonte. Por, një telegram me njoftimin për vdekjen e babait dhe për lënien trashëgim të tërë pasurisë, atij e beri që të nisej menjëherë në qytetin ku banonte babai i tij. Sa më shumë që i afrohej shtëpisë së babait, aq më shumë i shtohej edhe pikëllimi dhe brerja e ndërgjegjes që nuk e kishte vizituar babanë e tij që kur ishte diplomuar dhe ishte larguar me hidhërim nga shtëpia, e babai megjithatë prapë ia kishte lënë tërë pasurinë atij.
Hyri në dhomën e punës së babait për t'i rregulluar dokumentet e trashëgimisë dhe shikimi i shkoi në Kur’anin që ishte po në atë vend kur babai ia kishte dhuruar me rastin e diplomimit. Me lot në sy filloi ta shfletoj Kur’anin, kur nga ai ra një zarf, të cilën kur e hapi pa një palë çelësa të veturës dhe kartelën e autogarazhit. Në kartel shënohej emri dhe tipi i veturës dhe autogarazhi, si dhe data që ishte e po asaj dite që kishte diplomuar djali.
Po a thua, sa herë e herë e kemi lëshuar mëshirën dhe dhuratat e Allahut, sepse nuk kanë qene të paketuara ashtu siç ne kemi pritur?
Përgatiti: Dr. Ali Iljazi