Tregohet se njëherë tre thirrës në Islam kishin kaluar pranë një populli i cili adhuronte zjarrin dhe i ftuan që ta adhuronin vetëm Allahun xh.sh. dhe vetëm Atij t’i luteshin, mirëpo populli ata nuk pranuan.
Kur dëgjuan për këta, ushtria e këtij populli i prangosi dhe i solli para mbretit të tyre. Kur i dëgjoi mbreti, thirri prijësit e tij fetarë që të bënin dialog më këta.
Kleriku i tyre u tha thirrësve islamë që do t’ju bënte disa pyetje, ndërsa këta thanë:
“Nëse përgjigjemi në pyetjet tuaja, a do ta pranoni Islamin?!” Kleriku pranoi dhe filloi me pyetjet:
1. Çfarë është ajo që Zoti nuk e njeh?
2. Çfarë kërkon Zoti prej robërve të Tij?
3. Çfarë Zoti nuk ka në thesaret e Tij?
4. Çfarë ka njeriu e që Zoti nuk e ka?
5. Çfarë Zoti ia ka ndaluar Vetit?
Në këtë, njëri prej thirrësve në Islam filloi të përgjigjej në pyetjet:
1. Atë që Zoti nuk e njeh është shirku (politeizmi); “… Thuaj: Përshkruani realitetin e tyre! A ju po e njoftoni Atë për atë (shok) kinse Ai nuk po ditka se ç’ka në tokë, apo vetëm po i emërtoni me fjalë (e ata as që ekzistojnë)? Jo, por ata që nuk besuan u duket e mirë dredhia e tyre …” (Err-Rra’d:33) Pra, Ai nuk njeh ortak në pushtet.
2. Atë që Zoti kërkon prej robërve të Tij është huaja: “Nëse Allahut i huazoni diçka të mirë, Ai juve ua shumëfishon atë dhe ju falë; Allahu është shumë mirënjohës, i butë.” (Et-Tegabun:17)
3. Atë që Zoti nuk ka në thesaret e Tij është varfëria, sepse thesaret e Tij janë gjithnjë përplot dhe jep sa të dojë e kujt të dojë.
4. Atë që njeriu e ka e Zoti nuk e ka janë gruaja dhe fëmijët.
5. Atë që Zoti Vetit ia ndaloi është zullumi (padrejtësia).
Kur dëgjoi këto përgjigje kleriku filloi të qante dhe tha: “Kjo është fe e vërtetë! Si ta pranoj?”
Thuaj: “La ilahe ilallah, Muhammedun resulullah!”
Kleriku me sy të përlotur e tha shehadetin e pas tij të gjithë e përsëritën këtë.