Një grup i inspektorëve ndërkombëtarë janë duke qëndruar në Siri, pasi janë të ngarkuar me fillimin e procesit për të eliminuar armët kimike të mbajtura nga regjimi i Bashar al-Asad.
Një ekip prej 20 inspektorëve nga Holanda udhëtuan për në Damask për të filluar një mision kompleks për të gjetur dhe çmontuar një arsenal prej 1,000 ton armësh kimike, të cilat janë përdorur nga regjimi gjatë luftës civile.
Inspektorët kanë rreth nëntë muaj kohë për të përfunduar detyrën e tyre, në mënyrë që regjimi të shkatërrojë stokun e tij të armëve kimike nga mesi i vitit 2014.
Grupi i parë i ekspertëve nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike hynë në Siri nëpërmjet kufirit me Libanin.
Grupi zëvendëson një ekip të OKB-së që ka përfunduar misionin e tij të dytë në Siri për të hetuar shtatë sulme me gaz sarin, dhe shpreson të paraqesë një raport përfundimtar nga fundi i tetorit.
Në fillim të këtij muaji grupi paraqiti një raport të përkohshëm që konfirmoi përdorimin e agjentit nervor sarin më 21 gusht, në masakrën që la më shumë se 1500 të vdekur.
Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me veprim ushtarak ndaj regjimit sirian, duke akuzuar forcat besnike të Asadit që kryen qëllimisht vrasjen e mijëra civilëve. /mesazhi/