Policia egjiptiane të premten ka shpërndarë disa tubime të organizuara nga mbështetësit e presidentit të rrëzuar Muhamed Mursi në bazë të legjislacionit të sapomiratuar që synon të "rregullojë" protestat në rrugë.
Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit pro - Mursi në Haram Street në Giza, ndërsa ka pasur raporte për viktima. Një numër i protestuesve u arrestuan nga policia. Në qytetet Delta Nil dhe Damieta, katër protestues u plagosën nga plumbat qorr.
Protesta e së premtes u thirr nga Aleanca Kombëtare për Mbrojtjen e legjitimitetit, blloku kryesor pro Mursit.
Një ligj i miratuar kohët e fundit u jep të drejtë forcave të sigurimit të refuzojnë lejet për protesta, dhe të ndalojnë çdo tubim pa leje ku mbledhen më shumë se 10 persona. Sipas ligjit , shkelësit ose do të gjobiten ose do të burgosen - ndëshkime këto që provokuan zemërim nga ana e shumë politikanëve dhe aktivistëve egjiptian të cilët thonë se legjislacioni i jep policisë të drejtë për të ndalur protestën popullore. /mesazhi/